Nga Enkel Demi
Grekët janë seriozë në shovinizmin e tyre. Ata nuk harrojnë kurrë që ta demonstrojnë idenë e tyre ekstremiste ose si e quajnë ndryshe “Idenë e madhe” (megalloidea). Çdo 14 shkurt disa shoqata që aspirojnë Epirin e Veriut mblidhen dhe demonstrojnë këtë lloj primitivizmi të politikës së fqinjëve. Nuk takohen në ndonjë katund apo zgëq. Demonstrimi i tyre bëhet para Parlamentit të Greqisë me flamuj që mbajnë simbolet e Vorio Epirit. Janë shoqata me do emra që i përkasin shekullit të XIX, të cilat përfshijnë nga politikanë dhe aktivistë komunistë të majtë, deri tek nacionalistë të ekstremit të djathtë si Agimi i Artë. Eurodeputetë, drejtues të shoqatave rinore që i kanë nga 50 vjet, do tipa naziskinë me veshje lëkure dhe në mes tyre Vasil Bollano.
Ky i fundit nuk ka munguar as këtë 16 shkurt në mesditë me orën e Shqipërisë të nxjerrë kokën në fotot e rastit. Tubimi në fakt i organizuar për 104 vjetorin e Vorio Epirit nuk mblidhte më shumë se 132 frymë, por gjithsesi është një shenjë se Greqia nuk heq dorë nga irredentizmi, kurse në Shqipëri nuk ka dasëm që të mos këndohen dhe kërcehen dy valle greke. Madje, emigrantët marrin shaminë dhe udhëheqin vallen thua se janë kushërinjtë e parë të Zorba grekut. Do i kishte zili vetë Anthony Quinn.
Shoqatat që marrin pjesë në këto aktivitete që kërkojnë thjesht luftë dhe aneksim kufijsh kanë do emra që të kallin datën për nga varfëria e mendimit. Fjala vjen “Vorio Epiris”, e cila udhëhiqet nga Babis Karathanos. “Rinia e Vorio Epirit” që drejtohet nga një bionde e ngjyer, Eleni Dhimu, e cila përflitet për intimitet të theksuar me një politikan, anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Kemi “Autonominë e Vorio Epirit 1914” që na e drejton një skinhead si Lefter Prifti dhe kulmin arrijmë tek idhujtarët e “Rezistencës Napoleon Zervas-EDES”.
Në fakt, vetë emrat e shoqatave rrëfejnë se me çfarë atavizmi politik kemi të bëjmë, aq më shumë që këtyre aktiviteteve u bashkohen njerëz të Agimit të Artë apo LAOS. Duket sikur po kthehemi në vigjilje të Luftës së Parë Botërore, kur me tipa të tillë mjaftoi konspiracioni i Sarajevës për të bërë lëmsh njerëzmin.
Por, ajo që të bën përshtypje është si përherë Vasil Bollano. Ku njeri, i cili konsiderohet i dalë nga politika në Shqipëri me rënien e qeverisë së djathtë, u mendua se do i shtynte ditët që i kanë mbetur duke bërë vaj ulliri në Himarë. Thuhet që manifaktura e tij cilësisht nuk është për t’u sharë. Duket ai ende nuk rri dot pa e njomur kafshatën tek ouzaqet e vendit fqinj, ani se në ndeshjet e Kombëtares ovacionet e dënueshme të tifozerisë i bëjnë apelin e robve të shtëpisë.
/tesheshi.com/