Sipërmarrësit, letër për autoritetet e larta qeveritare
Bizneset ankohen se vendosja e orareve të zhdoganimit në dogana po e pengon thelbësisht veprimtarinë e tyre. Në një letër drejtuar autoriteteve ata kërkojnë heqjen e këtyre kufizimeve. Dhoma Italiane e Tregtisë dhe Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, ka kërkuar edhe një herë nga autoritetet shtetërore heqjen e orareve për kryerjen e procedurave të zhdoganimit për subjektet që kryejnë eksport-import. Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit, Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, këto përfaqësues të sipërmarrjes kanë bërë me dije se, edhe pas reagimit të Doganës lidhur me tërheqjen e vendosjes së orareve dhe ofrimin e fleksibilitetit, kjo gjë nuk ka ndodhur.
“Edhe pse urdhri i Doganave kishte për qëllim t’u jepte përparësi kryerjes së procedurave për subjektet që kryejnë eksport apo rieksport dhe premtonte angazhimin maksimal për të qenë në ndihmë të biznesit, ai ka penguar në mënyrë thelbësore veprimtarinë e sipërmarrjes sipas pikave më poshtë”, thuhet në letrën që ata kanë drejtuar për autoritetet. Të dy dhomat e beznesit kanë shprehur gatishmërinë për të kryer një takim sqarues për këtë çështje, me qëllim sqarimin e dëmeve që pësojnë bizneset e përfshira, si dhe ka kërkuar anullimin e këtij urdhri.
Më herët, Dogana Shqiptare, në një përgjigje për ankesën e Biznes Albania, Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike, Dhomës së Fasonistëve, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë i bën me dije se urdhri i hyrë në fuqi prej datës 16.12.2015 është një tërheqje vëmendje dhe nuk ka për qëllim aspak kufizimin e orarit të veprimit për subjektet apo operatorët ekonomikë.