Kushti më i rëndësishëm është garantimi i votës së lirë, kjo është e vetmja siguri që qytetarët do kenë mbi qeverinë e ardhshme
Kështu shprehet nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj në një intervistë për gazetarin Redjon Shtylla në Koha Jonë.
“Unë nuk besoj se ndokush në Amerikë nxit krimin e organizuar apo shitblerjen e votës dhe aq më pak opozita false të marrin pjesë në zgjedhje”. Kështu shprehet nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e pyetur për nxitjen që Ambasada e SHBA-së në vendin tonë, po ju jep të gjithëve atyre kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputetja e LSI-së, thotë se nuk ka “opozitë të re” por “kukulla të zgjedhura të vendosura me dorë nga Edi Rama në karriget e opozitës në parlament”. E pyetur se nëse protestat do ta çojnë vendin në luftë civile, ajo pohon se deri më sot protestat janë mbajtur nën kontroll por “askush nuk mund të japë më garanci për qetësi”.
Si e lexoni nxitjen dhe thirrjen që Ambasada Amerikane dha për cilindo kandidatë që të regjistrohen në zgjedhjet lokale? A po ju dëgjojnë sa duhet ndërkombëtarët dhe si e vlerësoni këtë qëndrim pohues të një qeverie legjitime dhe të një Kuvendi funksional nga Ambasadorët në Tiranë?
Personalisht mendoj se përfaqësuesit e Ambasadave në Shqipëri duhet të jenë më koherente me qëndrimet që mbajnë qeveritë dhe parlamentet përkatëse, qëndrime të cilat ne i marrim zyrtarisht nga raportet e tyre. Në rastin konkret ka qenë Departamenti Amerikan i Shtetit që në raportin mbi Shqipërinë ka theksuar problemet që shtynë edhe opozitën të largohej nga palamenti farsë që ishte krijuar pas zgjedhjeve të 2017. Aksioni i opozitës në Shqipëri është ngritur mbi këto akuza. Unë nuk besoj se ndokush në Amerikë nxit krimin e organizuar apo shitblerjen e votës dhe aq më pak opozita false të marrin pjesë në zgjedhje.
Ne e adhurojmë Amerikën se e idealizojmë si vendin e lirisë dhe demokracisë. Nëse përfaqësues të saj sillen si lobistë të Ramës për të mbajtur në pushtet me forcë këtë regjim kleptokratik, që sipas raportit të DASH e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacinale të krimit të organizuar për Europën, për Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut, atëherë të marrësh seriozisht lobizmin e tyre me tezat e Edi Ramës, jo vetëm do të thotë të kriminalizosh tërësisht të ardhmen e këtij vendi por edhe e kthen Shqipërinë në bazë të sigurtë të krimit të organizuar dhe të terrorizmit dhe kjo është politikë tërësisht anti Amerikane dhe anti NATO.
Megjithatë, është apo jo legjitim ky parlament dhe situata e krijuar në vend, nuk e thonë dot përfaqësuesit e trupit diplomatic por kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese si garantuese e saj, të cilën Rama e ka shkatërruar prej dy vitesh. Është apo jo legjitime kjo qeveri e thonë shqiptarët, të cilët me angazhimin e tyre në protestat e thërritura nga opozita e kanë treguar qëndrimin e tyre.
Protesta e 13 prillit ishte më e fortë dhe agresive se protestat paraardhëse. Çfarë po bëjnë gjithë përfaqësuesit e klasës politike, duke nisur nga kryeministri, për të shmangur ata që i frikësohen të gjithë, që Shqipëria të mos shkojë drejt luftës civile, siç edhe z.Berisha e artikuloi?
Që prej protestës së parë të thirrur nga opozita më 16 shkurt, çdo protestë pasardhëse qofë përpara parlamentit apo në bulevard ka qenë më masive, më domethënëse dhe padyshim shumë përfaqësuese e opinionit dhe ndjeshmërisë së shqiptarëve. Tanimë nuk janë vetëm përkrahësit e partive opozitare ata që protestojnë por të gjithë qytetarët, të gjithë grupet e interesit që me çdo formë e mjet po reagojnë kundër kësaj qeverisje krimanle që u ka humbur shpresën shqiptarëve dhe i ka shtyrë të emigrojnë.
Protestat nuk flasin thjesht për konflikt politik por për keqqeverisjen, kriminalitetin në rritje, papunësinë, shkatërrimin e bujqësisë, vjedhjen e pronës publike, përvetësimin e pronës private, sistemin e deformuar arsimor, korrupsionin e thellë e kështu me rradhë. Qytetarët protestojnë për shtëpitë e tyre, për taksat e rritura që falimentojnë bizneset, për shkollat pa kushte, për tarifat e universitetit, për produktet bujqësore që po u kalben, për spitalet me ilaçe të skaduara, për Shqipërinë që nuk krijon më asnjë mundësi veçse largimit.
Shqiptarët protesojnë se nuk janë më të lirë të marrin vendime, të votojnë si ata besojnë e mbi të gjitha se nuk ndjehen më të sigurtë në vendin e tyre. Përballë kësaj krize të thellë që është krijuar me dashje nga qeveria e tij, Kryeministri vazhdon të provokojë dhe acarojë. Provokon me vendime arbitrare, me burgosjen e qytetarëve të ndershëm, me përdorimin e gazit dhe dhunës në protesta. Acaron me gjuhën e urrejtjes që përdor vazhdimisht, me shfaqjet qesharake në Parlamentin ilegjitim. Ne kemi ofruar zgjidhjen për daljen nga kriza; qeveri tranzitore që do e çojë vendin në zgjedhje të lira e të ndershme. Gjatë këtyre muajve ne jemi përpjekur që protesta të mos dalin jashtë kontrollit dhe të evitohet përplasja por me situatën që është krijuar në vend, askush nuk mund të japë më garanci për qetësi.
Vendimi final i PD-LSI është se s’ka zgjedhje pa u plotësuar kushtet për qeveri tranzitore. Nga ana tjetër, ju si LSI, keni paralajmëruar edhe tensione të forta nëse qeveria “Rama 2”, do të hyjë në këto zgjedhje me “opozitën e re”. Si do të veprojë LSI-ja nëse zgjedhjet mbahen më 30 qershor?
Unë jam e bindur se nuk do të ketë zgjedhje pa u zgjidhur më parë kriza që është krijuar. Nuk ka “opozitë të re”, ka marioneta të zgjedhura të vendosura me dorë nga Edi Rama në karriget e opozitës në parlament. Maskarada e zgjedhjeve të 2017 është vendosur tani si një shfaqje groteske në parlament, me regjizor Edi Ramën. Largimi i opozitës nga Kuvendi provoi edhe më qartë kauzën tonë. Shikoni integritetin e atyre deputetëve mbushës të fasadës opozitare. Tjetër deklaronin në publik dhe tjetër vepruan pasi rilindja u plotësoi disa orekse të posaçme. Të njëjtët që firmosën për lënien e mandatit pas disa ditësh kthyen mendje. Kjo provoi akuzat për blerje jo vetëm të votës por edhe të përfaqësimit të opozitës në parlament.
Opozita nuk është numra, është vullnet dhe bindje. Dëshira për ta parë vendin të zhvilluar dhe të integruar nuk imponohet, ajo vjen natyrshëm dhe duket qartazi që kukullat e reja të Ramës nuk kanë as ndjeshmëri, as vullnet e as vizion për vendin. Kushdo që ka zgjedhur dhe do të zgjedhë të bëhet fasadë dhe oksigjen për Ramën, me dashje ka vendosur ti japë fund karrierës së vet politike. Qytetarët nuk harrojnë dhe as falin lehtë. Sa i takon LSI-së, ne kemi qenë të qartë në qëndrimin tonë.
Në mbledhjen e fundit të kryesisë janë vendosur kushtet qe duhen plotësuar për të marrë pjesë në zgjedhje. Padyshim kushti më i rëndësishëm është garantimi i votës së lirë, kjo është e vetmja siguri që qytetarët do kenë mbi qeverinë e ardhshme. Po ashtu, në mbledhje është vendosur të mandatohet Kryetarja e LSI-së dhe Sekretari i Përgjithshëm për të finalizuar marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera të frontit opozitar.
Një koalicion i përbashkët pse po bëhet pikërisht në këtë moment? A mos vallë po bëheni gati për të hyrë në zgjedhje? Cilat janë kushtet për të hyrë në zgjedhje?
Aksioni i opozitës është udhëhequr gjatë gjithë kësaj kohe nga kërkesat dhe interesat e qytetarëve. Ishin qytetarët që na kërkuan ti udhëhiqnim ata në rrugë, duke dalë nga ai parlament që nuk i përfaqësonte më. Janë sërish qytetarët dhe situata e krijuar që na çuan drejt kësaj vendimmarrje. Tani vendi ka nevojë për zgjidhje konkrete, për propozime. Mos funksionimi i gjykatës kushtetuese dhe shkatërrimi i parlamentit pluralist na ngarkojnë ne si opozitë me detyrën për të garantuar qytetarët që vendi do të ecë përpara dhe se interesat e tyre janë duke u mbrojtur. Ne nuk do të marrim pjesë në zgjedhje në rast se nuk garantohen të jenë të lira e të ndershme. Është provuar angazhimi i bandave kriminale në zgjedhjet e kaluara, ashtu si presioni nga institucionet shtetërore dhe shitblerja e votës. Këto nuk do të lejohet të përsëriten në të ardhmen. Pas 29 viteve është e dhimbshme të dëgjosh qytetarët të thërrasin sërish: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Është koha të ecim përpara, duke garantuar të drejtat dhe liritë e shqiptarëve.
Holanda e mori vendimin për kthimin e vizave për shqiptarët por vulën e vë BE-ja. A mund të krijojë kjo situatë një efekt domino që edhe shtete të tjera të kërkojnë të njëjtën gjë? A rrezikon Shqipëria të kthehen në një vend të izoluar?
Kjo është dhurata që na bëri Rama para ikjes së tij. Kushdo që e njeh sado pak diplomacinë, e di mirë se Holanda është gjithmonë pararendëse e veprimeve që duan dhe ndërmarrin vendet e tjera të mëdha të BE. Pavarësisht se vendimin përfundimtar për kthimin e vizave e marrin institucionet e BE-së, Komisioni, Parlamenti dhe në fund Këshilli, miratimi nga ana e Parlamentit është një këmbanë alarmi. Nëse vendet anëtare të BE flasin për kthim vizash, me keqardhje duhet të kuptojmë qartë që hapja e negociatave nuk është më fare në diskutim. Arsyet që dha parlamenti Holandez për marrjen e vendimit ishin shumë të qarta dhe alarmante.
Kriminaliteti i rritur me origjinë shqiptare, numri i madh i azilkërkuesve dhe emigrantëve dhe nën zë problemet e demokracisë dhe keqqeverisjes në Shqipëri. Këto janë tema që i ka trajtuar edhe DASH në raportin e fundit, madje më të zgjeruara, po ashtu këto tema trajtohen në bundestagun Gjerman dhe në kancelaritë ë tjera të Europës. Nuk ka asnjë çudi që vendimmarrja e Holandës të pasohet edhe nga vendet e tjera. Unë uroj që kjo të mos ndodhë, kthimi i vizave do të ishte lajmi më i trishtë për shqiptarët dhe do të nxiste një eksod të ri. Nga ana tjetër, habia më e madhe vjen nga qeveria dhe reagimi i papërgjegjshëm i Kryeministrit. Është jo vetëm e pavend por tepër e rëndë që Edi Rama, përgjegjësi kryesor dhe i vetëm i situatës së krimit dhe destabilitetit në vend, të shfajësohet me situatën e brendshme politike në Holandë.
Fatkeqësi që kemi një kryeministër jo thjesht keqbërës por provokues dhe nxitës të konfliktit. E udhës do të kishte qenë që qeveria të hartonte një plan masash mbi problematikat e ngritura nga parlamenti Holandez, të tregonte gadishmërinë për të përmirësuar klimën dhe padyshim të planifikonte vizita në Hollandë dhe vende të tjera skeptike. Kjo nuk ndodhi dhe as do të ndodhë, për sa kohë Edi Rama është në krye të qeverisë, jo vetëm nga papërgjegjshmëria e tij politike, por mbi të gjitha sepse askush nuk e pret më Edi Ramën. Kjo situatë duhet të marrë fund, nuk ka pse të vuajnë shqiptarët për shkak të Edi Ramës, izolimi ndaj tij nuk duhet të përkthehet në izolim të vendit tonë. Detyra kryesore e opozitës në këto momente është pikërisht të çlirojë vendin nga kjo kthetër që e ka kapur dhe të garantojë se rruga e Shqipërisë drejt integrimit në BE nuk do të ndalë në asnjë rast.
Më 29 maj Komisioni Europian do të japë rekomandimin e radhës. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Sorreca ka theksuar se sipas raportit të fundit të publikuar në dhjetor, Shqipëria vazhdon ti përmbushë kushtet për liberazimin e vizave. Sa shanse ka që të jenë bindur vendet anëtare që janë skeptike për Shqipërinë?
Për disa vite me rradhë rekomandimi i Komisionit ka qenë për hapjen e negociatave edhe pse raportet mbi Shqipërinë çdo vite kanë qenë edhe më të ashpra. Përtej 5 prioriteteve të vendosura, pas marrjes së statusit të vendit kandidat, Shqipërisë i janë shtuar edhe kushte të tjera për hapjen e negociatave që kanë të bëjnë me azilkërkuesit, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sipas të dhënave që serviren nga vetë institucionet e BE, vendi ynë nuk ka bërë aspak progres sa i takon problemeve që sapo përmenda, përkundrazi, shifrat bëhen më alarmante dhe reagimi i qeverive dhe parlamenteve të vendeve anëtare po ashtu. Raportet mbi qeverisje, kapjen e shtetit, skemat korruptive, lirinë e medias, respektimin e të drejtave të njeriut etj, janë të nxira dhe janë pjesë e diskutimeve të parlamenteve dhe qeverive të vendve anëtare të BE.
Ato vende që më parë kanë lobuar për hapjen e negociatave dhe anëtarësimin e Shqipërisë, sot janë kritikët më të mëdhenj. Një ditë më parë mësuam se BE-ja ka ashpërsuar gjuhën edhe mbi Refomën në Drejtësi dhe standartet e dyfishta që janë treguar gjatë procesit të Vetting-ut. Të gjitha këto, shtuar edhe evidencat e gjetura mbi cënimin e proceseve zgjedhore me banda e presione, nuk e bëjnë të lehtë vendimarrjen pozitive. Personalisht, duke marrë parasysh dëshirën e shqiptarëve dhe angazhimin në vite të vendit tonë, mendoj se hapja e negociatave për Shqipërinë është e vonuar. Objektivisht, në këto momente, e shoh Shqipërinë edhe më larg se Maqedonia e Veriut në marrjen e këtij vendimi. Sa kohë vendi do të qeveriset kështu si këto vitet e fundit, BE-në do e kemi shumë larg nesh.
/kohajone/