Mungoi shtrëngimi i duarve në fund të ndeshjes mes Zhoze Murinjos dhe Antonio Kontes.
Dhe kaq mjafton që “The Sun” të shkruajë se kjo ishte një tjetër shenjë presioni për Konten. Ai e komentoi si të parëndësishëm vendimin e tij për të mos e takuar kolegun e tij Zhoze Murinjo në përfundim të Çelsi-Mançester Junajtid, duke thënë se “shtrëngimi i duarve nuk ishte i rëndësishëm. Ajo që ka rëndësi ishte që fituam ndeshjen. Respektin duhet ta kesh brenda fushe dhe jo jashtë saj. Në fund të ndeshjes shtrëngova duart me arbitrat dhe lojtarët e mi. I kemi shtrënguar duart së bashku dy herë. Mendoj se mjafton”.
Trajneri i Çelsit zgjodhi që ta injoronte portugezin, me të cilin është në një luftë të hapur verbale që prej sezonit të shkuar, duke iu drejtuar fushës për të festuar me lojtarët e tij pas fitores në “Stamford Bridge”. Kjo sjellje e tij e la Moun të habitur. Tekniku i Mançester Junajtid priti pak çaste për të parë nëse italiani do të vinte për ta takuar, por kur e kuptoi qëllimin e tij, atëherë shtrëngoi duart me asistentët e tij dhe iu drejtua tunelit.
“Konte u zhduk, kështu që unë shtrëngova duart me asistentët e tij. Është praktikisht e njëjta gjë. Mos donit që unë të shkoja dhe ta ndiqja në mes të fushës? Unë isha atje. Shtrëngova duart me njerëzit që ishin atje. Mendoj se njëri prej tyre ishte vëllai i tij, asistenti, kështu që mendoj se duke shtrënguar dorën e vëllait të tij dhe asistentëve të tjerë, ndiej se e bëra detyrën time. Unë nuk mund të vrapoj në fushë dhe ndjek Konten. Nuk mendoj se duhet të prisja. Nuk ka asnjë problem”, shpjegoi Mou në konferencë.