Nga Elvira Dones
Nuk di si fle e si zgjohet Kryeministri shqiptar; nuk kam si ta di. Platoni, në veprën e tij “Republika” përqaste gjumin me botën e hijeve dhe iluzioneve, duke sugjeruar se mendja gjatë gjumit sjell në sipërfaqe refleksione të realitetit, më shumë (apo në vend) të së vërtetës. Gjatë fjetjes, subkoshienca – e cila gjatë ditës normalisht shtyp e nënshtron natyrën bestiale të individit – gjatë natës nuk na lë të qetë. E vërteta dhe perceptimi vetjak i realitetit janë gjithmonë në luftë mes tyre.
E mora larg e larg. Por larg jam, fizikisht, këto javë, nga vendlindja e edhe nga Zvicra, vendi adoptiv. Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional.
Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë.
Por ja, e kam me këtë punën e gjumit. Si fle Edi Rama? Përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe; përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare. Është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes. Hamendësoj se edhe skllevërit e administratës së tij janë në sëkëlldi, por më mirë bëjnë sepuku se të marrin guximin t’i thonë bosit: Po shkojmë në vetvrasje.
Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe.
Ata njerëz flenë mirë: nipat e mi flenë mirë, të moshuarit dhe brezi i ri i palidhur nga zinxhirët e partive flenë mirë..
Kush po proteston fle mirë, pasi e di që po bën diçka për vendin, sepse kur thika të ka kaluar tej e tej nuk ke më ç’të humbasësh. Por mund t’i thonë vetes se aty ishin.
Protestojnë sfilitur nga ulja e kokës; sfilitur nga të qënit konsideruar flora e fauna.
Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra. Errare humanum est. Shqipja jote dikur, Rama, ishte brilante. Ti ishe njeriu jashtë skemave; edhe ekscentrizmi yt na u duk i denjë për një tjetër Shqipëri.
Tani Edi Rama edhe shqipja jote është varfëruar. Kur të dëgjoj e lexoj më kapin mornicat.
Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet.
Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera. Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure.










