Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol për koncesionin e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë, kompaninë Transoil Group AG – e lidhur me kompaninë ruse Gazprom Neft dhe atë serbe NIS, duke ngritur dyshime për shkeljen e barazisë në tender dhe konflikt interesi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri duke folur gjatë një mbledhjeje të Komisionit Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, për koncesionin e Aeroportit të Vlorës më 29 janar 2018.
Negociatat pasojnë finalizimin e një gare të mbajtur më 31 mars nga Albpetrol, ku Transoil Group AG u shpall fitues mes nëntë kompanive ndërkombëtare pjesëmarrëse.
Të dhënat dhe dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania fituese Transoil Group, e cila administrohet në Shqipëri nga Shefqet Dizdari dhe ka lidhje biznesi me kompaninë Gazprom Neft në pronësi të gjigandit rus të prodhimit të gazit, Gazprom. Gazprom zotërohet në 50.23 për qind të aksioneve nga qeveria ruse.
Lidhjet e biznesit me kompaninë ruse nuk janë të vetmet pikëpyetje mbi mënyrën se si kompania e naftës, e regjistruar në Zvicër dhe me pronarë të panjohur, u shpall fituese e tenderit për fushat naftëmbajtëse Cakran-Mollaj, Gorisht-Cokul dhe Amonicë.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se në momentin që u hapën ofertat, pagesa e Transoil Group për marrjen e paketës së të dhënave për vendburimet nuk kishte mbërritur ende në llogarinë e Albpetrol. Këto dyshime shtohen edhe nga fakti që gjatë tenderit, vëllai i drejtorit të Albpetrol, Kastriot Bejtaj punonte si drejtues teknik i operacioneve hidrokarbure në fushën e Visokës për llogari të Transoil Group Sh.a – një konflikt interesi për të cilin ministri Gjiknuri ishte në dijeni.
Kompania Transoil Group Sh.a ka gjithashtu detyrime të mbartura ndaj Albpetrol nga operacionet e saj të mëparshme në fushën e Visokës si dhe ka pasur përplasje me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes hidrokarbure.
Megjithatë, këto shkelje nuk e kanë ndaluar kompaninë mëmë të saj, Transoil Group AG, që të deklaronte në faqen e saj zyrtare se i kishte bërë një ofertë Albpetrolit për tre fushat e tjera naftëmbajtëse që në prill 2017 – duke shfaqur siguri se do të arrinte një marrëveshje me kompaninë shtetërore të naftës shqiptare deri në fund të vitit 2017. [Kliko këtu për faksimilen]
Planet e kompanisë Transoil Group për të shtënë në dorë fushat e naftës në jug të Shqipërisë u vonuan nga një orvatje e një tjetër kompanie të lidhur me Gazprom. Përfaqësuesi i Gazprom Neft në Serbi dhe një tregar nafte austriak bënë një ofertë alternative për vendburimet Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Cokul, nëpërmjet kompanisë ‘Jurimex Kommerz Tranzit Ges’.
I shqetësuar, përfaqësuesi në Shqipëri i Transoil Group AG, Shefqet Dizdari, i bëri një notë verbale zv/drejtorit të zhvillimit të biznesit ndërkombëtar të Gazprom Neft, Vladislav Baryshnikov, duke i kujtuar marrëveshjen mes tyre si dhe duke u ankuar se përfaqësuesi i saj në Serbi po tentonte të merrte në mënyrë të maskuar fusha nafte në Shqipëri.
Në notën verbale, Dizdari nënvijëzon që këto shqetësime i kishte ngritur edhe gjatë një takimi të mbajtur në zyrat e kompanisë shtetërore ruse të naftës në Shën Petersebug. Drejtuesi i Transoil Group shprehet gjithashtu se shqetësimet e tij ia komunikuar dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, ndërkohë që nënvizon se Transoil Group nuk e ka fshehur kurrë interesin e saj për ‘marrëdhënie transparente biznesi me Gazprom Neft.’
Kompania Transoil Group AG dhe ajo ruse Gazprom Neft nuk i përgjigjën një kërkesë për koment nga BIRN. Ndërkohë Ministria e Tregtisë dhe Energjetikës në një përgjigje me shkrim pranoi borxhet që Transoil Group ka ndaj Albpetrol, nënvizoi se shkeljet e marrëveshjes hidrokarbure të sinjalizuara nga AKBN ishin të rëndomta; ndërkohë ajo mohoi se ka pasur shkelje të procedurave të tenderit dhe konflikt interesi nga drejtori Albptrol.
Ministria gjithashtu nuk dha informacion se kush ishin aksionerët e kompanisë zvicerane Transoil AG, por nënvizoi se ato nuk ishin Gazprom Neft ose NIS.
“Sipas të dhënave që disponojmë, asnjë nga kompanitë që ju përmendni nuk kanë të drejta mbi marrëveshjen hidrokarbure të Transoil Group me shtetin shqiptar,” ministria e Energjisë.
“Ndërkaq, është jashtë mundësive të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të ketë informacion mbi transaksionet e mundshme tregtare të një kompanie me subjekte të tjera jashtë marrëdhënies në kuadër të marrëveshjes hidrokarbure,” shtoi ajo.
Tenderi i dyshimtë
Në shkurt 2018, Albpetrol shpalli një thirrje për shprehje interesi për kompanitë që ishin të interesuara për të lidhur marrëveshje hidrokarbure për tre fusha të lira nafte, Cakran-Mollaj, Gorisht-Cokul dhe Amonicë.
Tenderi bazohej në urdhrin nr.150, datë 6 shkurt 2018 të ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri. Kompanitë e interesuara kishin afat deri me datë 31 mars 2018, ora 15:00, për të dërguar ofertat e tyre.
BIRN mësoi se në tender morën pjesë 9 kompani hidrokarburesh, ku përfshiheshin Bankers Petroleum, Transoil Group AG, Shandong Kerui Petroleum Equipment, Letho, Verssa Versatile, Pennine, Alcan, Fluid Oil dhe Zennith Energy.
Sipas një burimi në tregun e energjisë, komisioni i vlerësimit të ofertave të Albpetrol nuk i ka hapur zarfet për kompanitë Pennine dhe Zennith Energy, me arsyetimin se nuk kishin paguar një tarifë prej 6500 USD për çdo vendburim, të vendosur si kusht nga Albpetrol.
Brenda 10 ditëve nga hapja e ofertave, Albpetrol ka dërguar në ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dokumentacionin e kompanive ofertuese, së bashku me vlerësimin e kapaciteve teknike dhe financiare.
Me datë 9 maj, me urdhrin nr.495, ministri Damian Gjiknuri ka shpallur fitues të garës për tre vendburimet e naftës kompaninë Transoil Group AG dhe ka ngritur grupin negociator për lidhjen e marrëveshjes hidrokarbure me kompaninë. [kliko këtu për faksimilen]
Harta e vendburimeve të naftës Amonicë, Cakran-Mollaj, Gorisht -Kocul
Transoil Group AG është një kompani e themeluar në vitin 2011 në kantonin Zug të Zvicrës, me operacione në Rusi, Bjellorusi dhe Tiranë. Ajo është pronare e plotë e Transoil Group Sh.a, një kompani shqiptare e cila që nga viti 2011 shfrytëzon nëpërmjet një marrëveshjeje hidrokarbure me Albpetrol-in vendburimin e naftës në Visokë.
Sipas një shkrese të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të datës 9 shkurt 2018, për ‘miratimin e programit të punës së kompanisë Transoil Group Sh.a për vitin 2017,’ kompania zvicerane e naftës konsiderohej në shkelje të afatave për vitin 2017 dhe në të njëjtën kohë nuk kishte dorëzuar programin e punës për vitin 2018.
“Referuar përcaktimeve të Licensë Marrëveshjes por edhe Marrëveshjes hidrokarbure për vendburimin e Visokës, AKBN i konsideron të shkelura të gjitha afatet e pranueshme për miratimin e këtij programi vjetor, pasi kërkesa juaj bëhet në fund të vitit 2017, dhe si e tillë nuk mund të kërkohet realizimi i ndonjë programi për këtë vit kalendarik,” shkruan AKBN.
“Në të njëjtën kohë, sjellim në vëmendjen tuaj se dokumenti përfundimtar i programit të punës dhe buxheti, të përgatitur për vitin 2018 për vendburimin e Viskokës, ende nuk është dorëzuar nga ‘Palët’ për miratim në AKBN, sikurse kërkohet nga Licensë Marrëveshja për këtë vendburim,” shton AKBN, duke vënë njëkohësisht në dijeni Albpetrol.
I pyetur nga BIRN ministra e Energjisë fajësoi kompaninë dhe AKBN-në për shkeljen e afatave për miratimin e planit të punës.
“Këto afate kohore janë konsumuar nga të dyja palët në Marrëveshjen Hidrokarbure,” tha MEI. “Megjithatë, në përgjithësi ky është një fenomen që ndodh shpesh dhe për këtë arsye edhe Marrëveshja Hidrokarbure përmban klauzola që bëjnë të mundur vazhdimin e operacioneve hidrokarbure edhe në rastin kur nuk është miratuar ende PPB për një vit të dhënë,” shtoi ajo.
BIRN ka mësuar gjithashtu se kompania Transoil Group sh.a është debitore ndaj Albpetrol për një sasi të madhe nafte, e cila sipas marrëveshjes hidrokarbure për shfrytëzimin e fushës së Visokës duhet të marrë një pjesë të prodhimit nga kompania shfrytëzuese.
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës i tha BIRN se ‘detyrimi që kompania Transoil Group AG i ka shoqërisë Albpetrol sh.a është 6,699.92 ton naftë… ndërkohë, detyrimi në para për shërbime të ndryshme është 64.105.586 lek.” Megjithatë, ajo e justifikoi borxhin duke nënvizuar se kjo ishte një marrëdhënie tregtare midis Albpetrol dhe Transoil Group.
“Për këto çështje ka një korespondence mes palëve ku janë përcaktuar grafikët kohore të shlyerjes së detyrimeve. Informojmë po ashtu, sa lidhet me detyrimin për naftën bruto, marrja e këtij detyrimi nga Albpetrol Sh.A. është e lidhur edhe me kapacitetet tregtuese të saj, kushtet e tregut vendas të përpunimit të naftës bruto, kapacitet depozituese të shoqërisë Albpetrol Sh.A. që më tej lidhet edhe me kostot e magazinimit dhe lëvrimit si dhe kushtet e tjera teknike dhe teknologjike përveç atyre të tregut,” tha MEI.
“Çështja e detyrimeve të prapambetura apo tejkalimit të afateve për likujdimet reciproke është edhe një çështje e marrëdhënieve tregtare mes shoqërive,” shtoi ajo.
Përveç shkeljeve në marrëveshjen hidrokarbure të Visokës, mbetet paqartë se si Transoil Group AG është shpallur fitues i tenderit për vendburimet Cakran-Mollaj, Gorisht-Cokul dhe Amonicë, pasi sipas një faksimile të llogarisë bankare të Albpetrol të siguruar nga BIRN, pagesa për paketën e të dhënave të vendburimeve – një nga kriteret e tenderit, nuk ka arritur në llogarinë e Albpetrol më datë 4 prill 2018.[Kliko këtu për faksimilen] Sipas ministrisë së Energjisë, pagesa është realizuar nga Transoil Group ditën e premte me datë 30 mars 2018.
Pagesa e mbërritur 4 ditë pas hapjes së ofertave ngre dyshime mbi mënyrën se si kjo kompani ka arritur ta sigurojë paketën e të dhënave. Këto dyshime kanë rënë mbi drejtorin e Albpetrol, Kastriot Bejtaj, pasi vëllai i tij punonte gjatë periudhës së tenderit si drejtor teknik operacionesh hidrokarbure në fushën e Visokës për Transoil Group Sha, të paktën deri më datën 1 prill 2018.
Në një njoftim të datës 3 prill 2018, administratori i Transoil Group Sh.a, Shefqet Dizdari, i kërkon drejtorit të Albpetrol që të mos ketë kontakt zyrtar me të vëllanë në lidhje me të drejtat dhe detyrimet që lidhen me Marrëveshjen Hidrokarbure që Transoil Group ka me Albpetrol.
“Siç ju kemi kofirmuar edhe në takimet zyrtare verbalisht, që prej datës 1.04.2018 Z.Edmond Bejtaj, ish-Drejtor Teknik i Operacioneve Hidrokarbure në vendburimin e Visokës është liruar nga kjo detyrë, prandaj ju lutemi të mos keni më asnjë kontakt zyrtar,” shkruan Dizdari.
“Çdo kontakt i mëtejshëm do të mbahet vetëm me administratorin e kompanisë Transoil Group, të dhënat e të cilit janë të depozituara,” shton Dizdari. [Kliko këtu për faksmilen]
Pavarësisht se ky email u ka shkuar për dijeni edhe drejtorit të AKBN-së, Adrian Bylyku dhe ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ministria e drejtuar prej tij tha në një përgjigje të shkruar për BIRN se drejtori i Albpetrol nuk ishte në konflikt interesi.
“Punësimi i zotit Edmond Bejtaj në shoqërinë Transoil Group nuk ka lidhje procedurën për shprehje interesi për tre vendburimet e naftës të shpallur nga Albpetrol sh.a. Ai rezulton të jetë larguar nga detyra që mbante përpara se procedura e hapur për tre vendburimet të kalonte në fazat vendimmarrëse,” tha MEI.
“Kastriot Bejtaj nuk ka qenë pjesë e asnjë grupi pune për vlerësimin e ofertave për tre vendburimet. Vlerësimi përfundimtar dhe shpallja e kompanisë fituese nuk është kryer nga Albpetrol sh.a. Administratori i Albpetrol sh.a, Kastriot Bejtaj nuk është pjesë e grupit të punës që po negocion Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure në përputhje me përcaktimet e Rregullores për përcaktimin e procedurave të miratimit te Marrëveshjeve Hidrokarbure, Licencë marrëveshjes,” shtoi ajo. Kastriot Bejtaj nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN.
Lidhja me rusët dhe serbët
Vendburimi i Amonicës më parë shfrytëzohej nga kompania Phoenix Petroleum Gas dhe vendburimet Cakran-Mollaj dhe Gorisht-Cokul nga kompania GBC Oil Company-një pasuese e Transatlantic Albania Ltd.
Marrëveshja hidrokarbure me Phoenix Petroluem Gas u prish përpara kohe në Mars 2017, pasi kompania kishte akumuluar detyrime financiare dhe ato të naftës bruto ndaj Albpetrol-ndërsa akuzohet se nuk ka kryer investimet e kërkuara në përputhje me kontratën dypalëshe dhe ka keqmenaxhuar vendburimin.
Edhe kontrata me GBC Oil u prish në tre-mujorin e parë të vitit 2017, për shkak se kompania kishte krijuar më shumë 20 milionë USD detyrime.
Pas lirimit të këtyre fushave naftëmbajtëse në prill 2017, Transoil Group AG bëri një kërkesë në ministrinë e Energjisë për t’i marrë ato në shfrytëzim. Por planet e kompanisë u tronditën kur në horizont u shfaq një kompani tjetër e quajtur ‘Jurimex Kommerz Tranzit Ges.’
Në dhjetor 2016 kompania Jurimex i kërkoi ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri dhe Albpetrol hapjen e negociatave për marrjen në shfrytëzim të vendburimeve Cakran-Mollaj deh Gorisht- Cokul. Me17 korrik 2017, Albpetrol i dërgoi ministrisë së Energjisë për miratim termat e një marrëveshje hidrokarbure për dy vendburimet me kompaninë ‘Jurimex.’ Mbas 4 ditësh më 21 korrik 2017, ministria e miratoi kërkesën e Albpetrol për të vazhduar negociatat dhe udhëzoi këtë të fundit që të bëntë kërkesë për Licensë Marrëveshje në AKBN. Pas denoncimeve në media për lidhjet e drejtuesit të ‘Jurimex’ me kompanisë ruse ‘Gazprom’, marrëveshja hidrokarbure nuk u realizua.
Sipas një note verbale të përpiluar nga administratori i Transoil Group, Shefqet Dizdari, pas kompanisë ‘Jurimex’ qëndronte një tregtar austriak nafte i quajtur Robert Noëikovsky dhe përfaqësuesi i degës së Gazprom Neft në Novi Sad, Nafta Industrija Srbje, Igor Tarasov.
Gazprom Neft, më parë e njohur si Sibneft është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi. Nafta Industrija Srbje, shkurt NIS, është kompani serbe nafte dhe gazi, ku Gazprom Neft bleu 51 % të aksioneve në vitin 2012, pas një marrëveshje mes Rusisë dhe Serbisë me vlerë 400 milionë USD.
Në notën verbale e cila i drejtohet zëvendës-drejtorit të përgjithshëm për zhvillimin e biznesit ndërkombëtar të Gazprom Neft, Vladislav Baryshnikov – një kopje e sëcilës është siguruar nga BIRN, Dizdari ankohet se në shkelje të etikës dhe të marrëveshjeve të besimit, Tarasov dhe Noëikovsky, po tentojnë ta përfshijnë gjigandin rus të naftës në mënyrë të fshehtë në tregun shqiptar, të ‘kamufluar si kompania austriake ‘Jurimex’.
“Unë po ju nis këtë reagim për t’iu ndërgjegjësuar në lidhje me hapat e ndërmarrë nga përfaqësuesi i degës suaj në Novi Sad, Z. Igor Tarasov, i cili ka thyer rëndë kodin e etikës dhe ndershmërinë, duke pasur qëllim të përfshijë Gazprom Neft, në mënyrë të maskuar në marrëveshje gazi dhe nafte në Shqipëri, ndërkohë që ai ka hyrë në një marrëveshje konfidencialiteti dhe besimi me kompaninë Transoil Group,” shkruan Dizdari,
“Në të njëjtën kohë, Z. Robert Noëikovsky, një tregtar austriak, po bën të njëjtën shkelje duke përdorur një kompani fantazmë të quajtur “Jurimex Commerz Tranzit Ges,” shton ai.
Dizadari nënvizon se të dy këta individë ‘pa sens ligjor’ kanë hyrë në një marrëveshje ligjore dhe besimi me Transoil Group, por gjithashtu janë përfshirë në një skenar të pistë pas krahëve, që kanë si qëllim futjen e Gazprom Neft në një mënyrë të kamufluar në Shqipëri.
“Unë i kam prezantuar këto shqetësime me ju gjatë takimit në zyrat tuaja në Shën Petersbug,” sqaron Dizdari, duke nënvizuar se beson se është gabim që Gazprom Neft të përfshihet në mënyrë jotransparente në Shqipëri.
Më tej, Dizdari shkruan se ia ka paraqitur këto shqetësime edhe Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, duke thënë që ky skenar hedh hije dyshimi mbi praktikat më të mira të biznesit ndërkombëtar. Më tej, Dizdari i kërkon Gazprom Neft që t’i frenojë orvatjet e Jurimex, duke kërcënuar hapa ligjorë dhe ndërkohë duke u shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me kompaninë ruse dhe degën e saj në Serbi.
“Transoil Group nuk e fshehur kurrë interesin dhe qëllimin e saj për të ndërtuar një marrëdhënie të hapur, të qëndrueshme dhe transparente biznesi me Gazprom Neft dhe degët tuaja si ‘Nafta Industrije Srbje”, Novi Sad, me të cilën kemi nënshkruar. Por nuk jemi të interesuar dhe të gatshëm të përfshihemi në skenarë që dëmtojnë integritetin e personave ose tëentiteve të përfshira,” shkruan Dizdari.
“Ne besojmë që këto skenarë janë jashtë formatit të biznesit të ndershëm dhe kërkojmë që t’i ndalni aktivitetet e pandershme të përfaqësuesit tuaj të ‘Nafta Industrije Srbje, Novi Sad; përndryshe do ndërmarrim reagime me autorietet shqiptare dhe hapa ligjorë të nevojshëm për të ndërprerë aktivitetin e paligjshëm,” përfundon ai.
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës i tha BIRN se aktualisht grupi negociator i ngritur me urdhërin e ministrit Damian Gjiknuri, po vazhdon punën për negocimin e ‘Termave dhe Kushteve Kryesore të Marrëveshjes Hidrokarbure me Transoil Group, në përputhje me përcaktimet e Rregullores për përcaktimin e procedurave të miratimit të Marrëveshjeve Hidrokarbure, Licencë Marrëveshjes.’
Megjithatë, MEI nënvizoi që përfundimi i kësaj marrëveshje nuk ishte i mundur pa miratimin e saj nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama.
“Referuar ligjit dhe rregullores në fuqi, procedura përfundon pas miratimit nga ana e Këshillit të Ministrave të marrëveshjes hidrokarbure,” tha ministria.
“Ndërkohë, në këtë proces legjislacioni shqiptar i jep të drejtën ministrisë të miratojë apo të ndërpresë procedurat e lidhjes së marrëveshjes hidrokarbure në çdo fazë nga ajo aktuale deri në atë të dërgimit në Këshillin e Ministrave,” përfundoi ajo.
/BIRN