Nga Frrok Çupi
Çfarë ndodhi në Shtetet e Bashkuara?… Hillary, gruaja e pathyeshme drejt qëllimit të vet, edhe kur po bie, nuk gjunjëzohet; ajo është një monument që kur bie “bie njëcopet”, thonë shkodranët shqiptarë. Me Hillary-në bie një Dinasti, dinastia e Klintonëve. Shpesh here, kur e dëgjoj mbiemrin “Clinton” në këtë trajtë, (domethënë “Clintonëve), më duket se po lexoj Dinastinë e Carëve të Rusisë, Romanovët. Edhe ata ishin disa, Nikolla dhe Aleksandara patën katër fëmijë; Dukesha e Madhe, Ollga Nikolaevna Romanov, Tatjana Nikolaevna Romanov, Marija Nikolaevna Romanov, Anastasija Nikolaevna Romanov (e njohur edhe si Anastasia) dhe Cari trashëgimtar Aleksej Nikolaevič Romanov…
Edhe “Klintonët” thërriten në shumës, jo pse janë kaq shumë, por janë shumë pa e ditur sa është numri. Kur i numëron, dalin vetëm dy: Bill dhe Hillary. Por, kur llogariten në pushtet, dalin shumë: Bill guvernator, Hillary guvernatore; Bill president, Hillary- First Lady; Hillary- sekretare shteti, Bill-Fondacion; Hillary-presidente, Bill-The first Man… Mediat perëndimore po shkruajnë se këta po përgatisin Zonjën e Parë, Michelle për ta bërë Presidente pas Hillary-së…
Dinastia e Klintonëve, si listë, bëhet më e gjatë se Romanovët e Rusisë.
Veçse mes tyre ka një të përbashkët “madhështore”. Si Romanovët, ashtu edhe Klintonët, ranë për shkak të një gjëje aq të parëndësishme e “fluturake”. Romanovët ranë për shkak të Rasputinit. Klintonët ranë për shkak të Humasë.
Grigor Rasputin, një fshatar i Rusisë, hyri aq thellë në besimin e carëve, saqë vullneti i Dinastisë ishte vullnet i mjekërroshit që bënte edhe si prift. Sidomos Alexandra Feodorova, gruaja e Nikolas, e bëri “zot”. Ndërsa Huma-ja e Klintonëve është një fshatare nga India. Ka lindur në Michigan, por studimet dhe shpirtin i kishte andej. Hillary pat’ deklaruar se “sikur të kisha dy vajza, njëra do të ishte Huma; por ja që kam vetëm Chelsean”. Bill-i u bë kumbar i Humasë, kur u martua me Anthony Weiner- një yll i politikës që tani po e thërrasin “pervers”.
Këtu ra edhe Hillary. Amy Chozick, gazetare e “New York Times”, që në shkurt 2016 pat’ shkruar: “A është Huma Abedin arma sekrete e Hillary-së, apo problemi i fundit i saj?!”. Edhe ata që nuk e mbajnë mend titullin e shkrimit të Amy, janë kthyer te pika “Rasputin” e Huma Abedinit. Po kërkohet shkaku pse kjo rënie e Hillary-së. Të premten e kaluar, papritur, Drejtori i FBI njoftoi se u rihapën hetimet mbi email-et e zonjës Clinton, kur ishte sekretare e shtetit. Hetimet e para dhe raporti para Kongresit e kishin lënë “të lirë” Hillary-në drejt Presidencës. Mr. Cosmey i FBI kishte thënë se “ka pakujdesi, por nuk ka krim” në veprën e gruas së Dinastisë “Clinton”. Ndërsa këtë të premte, kur u çelën përsëri hetimet, duket vërtet e pamundur që të kalohet. Edhe sikur amerikanët ta votojnë për Presidente, Dinastia ka rënë. Sot, FBI deklaroi se ka siguruar urdhrin që të kontrollohet vendi ku fshiheshin 650 mijë email-e të Hillary; ato ndodheshin në laptopin privat të Huma Abedinit dhe të të shoqit.
Mekanizmi ishte aq i thjeshtë, aq “fshatçe” si Rasputin, saqë për arsyen e “ulët”, ka shkaktuar çudi të madhe. FBI kishte lexuar e kaluar 330 mijë email-e të Clinton, (në fakt email-e të shtetit) për të cilat edhe vetë Hillary pranoi se “isha e pakujdesshme”; por kaluan. Kur ishin “shuar” të gjitha gjurmët “e krimit”, papritur shfaqen pak email-e të fshehura në një laptop privat. Këto e bënë FBI që të kthejë hetimet. Email-et, o janë asgjë, o janë gjithçka!- akoma nuk dihet. Por janë një gjë shumë e rëndësishme: E para, se email-et ishin fshehur diku në një laptop privat!- dhe kjo është e rëndë për Hillary-në. E dyta, se për herë të parë në historinë e Amerikës, një kandidat(e) për president po shkon në votime duke qenë nën hetim.
E gjitha erdhi nga një laptop privat?
Demokratët e Amerikës, që kërkojnë fitore, po shtrojnë pyetjen para FBI: “Si nuk u shkatërrua ai laptop? E dinim se u shkatërruan të gjithë kompjuterët… Kush e mbajti kompjuterin gjallë?!”. Kaq thjesht e mendojnë demokratët; ose duan ta mendojnë kaq thjeshtë.
Po vallë kaq e thjeshtë ishte rënia e Romanovëve, thua veç për shkak të Rasputinit? Monarkët rusë e vranë Rasputinin duke menduar se po shpëtonin Dinastinë. Por, ishte e pamundur. Edhe në Amerikë po vihet gishti mbi një laptop dhe mbi Humanë, ndihmësen më të afërt të Hillary. Aq e afërt ishte Huma për Hillary!,… i vetmi njeri që kishte të drejtë t’i hynte në dhomën e gjumit në mesnatë e pas mesnate zonjës së parë dhe sekretare e shtetit, Hillary. Kjo ishte Huma-ja.
Por, mbi Huma-në tani drejtohet gishti si shkaktare e rënies së Dinastisë. Te Huma dhe ish-burri pervers Weiner. Ai ka edhe një zakon të keq, që bashkë me sms të turpshme dhe foto të trupit të tij të zhveshur, iu dërgon adoleshenteve edhe simbole për Hillary dhe email-e nga laptopi…
Po, vallë të jetë Huma dhe i shoqi, shaku i rënies së Dinastisë?! Mijëra herë vjen rrotull pyetja.
As Rasputini nuk ishte shkaku. As Huma. Por, gjithmonë shfaqet një shkak “redicolous”. Gazetari amerikan John Kass i “Chicago Tribune” shkruante dje kështu: “Po pse vallë Klintonët? As kishin qenë tregtarë… as kishin qenë prodhues,… as kishin pasur patentë dhe shkencë, por kanë miliona mbi miliona dollarë. Çfarë kishin?”, pyet prapë gazetari. “Shitën influencë politike!”, shkruan ai.
Sigurisht që në fund u “kapën” thërrimëzat më të vogla që shkatërruan një Dinasty: Një idiane me emrin Huma dhe një laptop. Por nuk janë këta; edhe naivët më naivë e dinë.
/veritas.com.al/