Presidenti Bujar Nishani tha se Shqipëria ende nuk është ndarë nga e kaluara komuniste. Gjatë një ceremonie në Pallatin e Brigadave për nder të “Tetorit gjerman”, kreu i shtetit foli për dosjet e sigurimit dhe për simbolet e komunizmit që sipas tij, po rikthehen të kamufluara.
“Edhe pas 26 vitesh, Shqipëria nuk është ndarë nga e kaluara komuniste. Dosjet e sigurimit të shtetit nuk janë ende të aksesueshme, ndërsa simbolet e diktaturës dhe regjimit komunist po rikthehen të kamufluara si art. Të rinjtë shqiptarë, ashtu si moshatarët e tyre gjermanë, duhet të kenë mundësinë të mësojnë në shkolla për krimet e komunistit dhe të vizitojnë burgjet ku u persekutuan mijëra shqiptarë”, deklaroi Nishani.
Presidenti shkoi edhe më tej, kur tha se klasa politike ka për detyrë dënimin e krimeve të komunizmit, ndërsa shtoi se zërat në mbrojtje të regjimit janë këmbana alarmi.