Ish-Presidenti Bujar Nishani, ka reaguar lidhur me tensionet e krijuara ditën e sotme në disa qytete kryesore të vendit.
Nishani shprehet se Edi Rama ka vendosur të djegë Shqipërinë e ta kthejë këtë vend 30 vite pas.
Reagimi i tij i plotë
Liderët evropianë ndërsa konfirmojnë fort përkatësinë perëndimore dhe evropiane të shqiptarëve, dënojnë dhe nuk pranojnë modelin e një shteti të kapur politikisht dhe institucionalisht nga krimi i organizuar, të një sistemi të degraduar e kalbëzuar nga korrupsioni masiv.
Padyshim që fatkeqësisht shqiptarët u gënjyen e mashtruan keqazi në 2013, por të dorëzohen e nënshtrohen sot në 2019 ndaj mashtruesve dhe batakçinjëve që zvarriten rreth atyre nuk do të mundet të ndodhë më.
Ndaj Evropa ju foli qartë e troç.
Nuk ka vijim të proçesit të përbashkimit të shqiptarëve as në qershor, nuk do të ketë as në shtator, as në tetor dhe askurrë përsa kohë ky vend të jetë i marrë peng nga një anarkist pa fé e pa atdhé, që shtetin ja ka deleguar krimit dhe llumit më të zi të një shoqërie.
Unë e di që Edi Rama nuk ka aftësinë dhe kapacitetin ti lexojë dhe kuptojë mesazhet e komunitetit ndërkombëtar ndaj tij, por po ashtu e di mirë se këshilltarët e tij ja thonë dhe shpjegojnë mirë.
Por Edi Rama ka vendosur të djegë Shqipërinë e ta kthejë këtë vend 30 vite pas.
Ky është misioni i tij !
Edi Rama është tashmë jo vetëm bllokues i rrugës evropiane të Shqipërisë por edhe pengesë për liberalizimin e vizave për Kosovën, siç janë deklaruar burimet evropiane dhe pengues edhe i Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin e saj evropian, siç janë deklaruar kryeministri dhe presidenti maqedonas.
Nuk mund të pranohet kurrë, për asnjë çmim nga një shoqëri dhe popull normal, situata kur faktohet publikisht që kryeministri, ministrat dhe i gjithë rrethi i tij të jetë i lidhur me krimin e organizuar dhe me taborin e këtyre bandave kriminale të ketë kërcënuar dhe izoluar votuesit kundërshtarë dhe të ketë blerë me paratë e pista vullnetin e tjetërsuar të njerëzve të thjeshtë në një proçes elektoral të manipuluar.
Skandalet e pushtetarëve sot janë kthyer në të përditëshme.
Nuk ke kohë të denoncosh, analizosh e dënosh njërin pasi vjen menjëherë tjetri.
Ky është fenomeni më i parë i dekadencës së plotë të një pushteti.
Por kur vetë kryeministri del i përfshirë në krim të rëndë elektoral ky është skandal mbi skandalet.
Një kryeministër që kërcënon shqiptarët se nuk do lejohen të udhëtojnë në Evropë në fakt e ka futur vendin në rrugën e rikthimit të rregjimit të vizave.
Kur Holanda e paralajmërojë ky e përqeshi, kur ajo e propozojë ky e përgënjeshtroi, tani që nisi shqyrtimin dhe vetë Komisioni Evropian, ky hesht.
Një kryeministër që e mbushi grupin parlamentarë me individë me rekorde kriminale e pastaj ligji i Dekriminalizimit i penalizoi gati 15% të atij grupi, ku lista e një qarku të tërë ju penalizua 100% si e kriminalizuar, nuk mund të vijoi të mbajë peng rrugën evropiane të shqiptarëve.
Rruga evropiane nuk do të hapet as në shtator, as në tetor e asnjëherë përsa kohë qeverisja në Shqipëri do të mbetet e kapur dhe në shërbim të krimit të organizuar, përsa kohë korrupsioni dhe vjedhjet masive të parave publike do të funksjonojnë si model, përsa kohë Edi Rama do të mbajë pushtetin ilegjitim me dhunën e policisë dhe prokurorisë.
Sot ka mbaruar koha e dhunës, shantazhimit, kërcënimit, qelive dhe gazit helmues mbi popullin.
Sot është koha e popullit të lirë !
Ata do të bëjnë çdo sakrificë për jetën e fëmijëve të tyre që tenton ta shkatërrojë përfundimisht një njeri pa fé e pa atdhé.