Forumi Crans Montana dekoron Presidentin Bujar Nishani, me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016.
Ky çmim iu dorëzua nga Presidenti i Nderit i Forumit të Crans Montanas dhe themelues i Forumit, Ambasadori Jean-Paul Carteron, i cili vlerësoi progresin e Shqipëria për kalimin nga diktatura në demokraci, anëtarësimin në NATO, si dhe afrimin me Bashkimin Evropian.
Nishani: Nuk e di se sa realisht e meritoj këtë çmim, me të cilin janë nderuar shumë liderë të ndryshëm evropiane dhe botërorë, por di të them se vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët në këto momente po përjetojnë ankthin e humbjes së vëmendjes së Bashkimit Evropian. Jam i sigurt që, falë edhe kontributit të Forumit Crans Montana, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të kenë vëmendjen e nevojshme të Bashkimit Evropian për vijimin me rrugën e reformave dhe të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane.
Në Forumin e Crans Montana në Vjenë mori pjesë dhe Deputetja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda. Nga ky samit, deputetja e PDIU-së, u shpreh se Shqipëria është në zemër të Evropës, por nuk mund të jetë lojë e zyrave dhe zyrtarëve të Brukselit.