Nga ditari i një të internuare…Nata e Vitit të Ri, trishtimi i kitarës përhapet qetësisht në dhomë

Lexo edhe

Nga ditari i Drita Çomos

*Drita Çomo lindi në Tiranë, më 1958. Eshtë konsideruar si një nga talentet më të mëdha të letrave në kohën e saj.  Në nëntor të vitit 1960, në moshën dy-vjeçare, internohet për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës. Babai i saj, Maqo Çomo, u dënua dhe ridënua nga regjimi komunist. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës Drita e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës, më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundi e internojnë në Cërrik, ku edhe mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të sëmundjes së pashërueshme si dhe të një keqdashjeje politike, u pengua në mbrojtjen e maturës. Sëmundja avancoi dhe, më 19.02.1981, në moshë fare të re, vdes në spitalin onkologjik të Tiranës. Në momentet tragjike të ditëve të fundit të jetës nuk iu lejua të kishte pranë as nënën, dhe deri në grahmat e vdekjes ajo mbeti e vetme.

E shtunë, 31 Dhjetor 1977 

Nata e Vitit të Ri. Ora 2:20. Radioja transmeton muzikë. Kudo është qetësi dhe trishtimi i kitarës përhapet qetësisht në dhomë. Mami u shtri dhe gati e ka zënë gjumi. Ndërsa mua nuk më flihet. Sa njerëz në botë janë zgjuar në këto çaste. Kushedi. Njerëzit festojnë me kaq zhurmë largimin e një viti. Gëzohen. Iku edhe një vit. Po ç’ka këtu për tu gëzuar. Apo njerëzit shpresojnë se Viti i Ri do të jetë më i mirë me ta. Shpresojnë… Kurse unë ndiej një si frikë kur mendoj; kanë ikur kaq shumë vjet, është viti i njëzetë që jetoj dhe nuk kam bërë asgjë, të duket si ëndërr. Po ç’mund të bësh? Po njerëzit e tjerë ç’bëjnë? Përse jetojnë? Rriten, martohen, bëjnë fëmijë, përpiqen, luftojnë, plaken. Po përse të gjitha këto? Sivjet më duket se nuk shkruajta asnjë kartolinë. Nuk di ç’të shkruash. E ç’duhen ca urime banale, standarte, me ca rreshta sentimentale, pa asnjë lidhje me jetën. Megjithatë, njerëzit e duan kaq shumë festën. Edhe unë e dua. Jeta ka nevojë për festa, për gëzim. Edhe ne e festuam VItin e Ri. Çdo gjë duket e qetë në sipërfaqe, bile mundohesh ta bindësh edhe veten se po gëzohesh; ç’hipokrizi! Kurse në shpirt ke kaq shumë trishtim. Babai dhe daja sigurisht tani flenë. Na kanë kujtuar në mbrëmje, e kanë festuar edhe ata në njëfarë mënyre dhe tani flenë. Ndërsa Agroni as që dihet se ku është.

Edhe ti mbase më ke kujtuar. Po në mënyrën tënde. Në botë bashkëjetojnë gjëra kaq të kundërta. Kjo është e pamundur.

“Sa të marrësh frymë shpreso.” Lamartin

Se ç’mund të kemi tjetër veç shpresës? Dhe si mund të jetonim pa të?

Të Lidhura

Para

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *