Në faqen e Universitetit të Kembrixhit këto ditë është publikuar një artikull, i cili tregon mbi përzgjedhjen e studentëve për të studiuar në Gates Cambridge. Në të thuhet se janë pranuar gjithsej 54 të rinj, por e veçanta është se këtë radhë, në grup përfshihen studentët e parë nga Guatemala, Shqipëria dhe Republika Domenikane.
Në fillim, shkrimi shpjegon mënyrën se si kanë fituar këta studentë. “Nga 28 vende të botës, 54 të rinjtë më të përkushtuar dhe akademikisht më të jashtëzakonshmit janë përzgjedhur si “Gates Cambridge Scholars” dhe do të fillojnë kurset pasuniversitare në Universitetin e Kembrixhit këtë tetor.
Konkursi për Bursa është i fortë. Të 54 kandidatët e suksesshëm janë zgjedhur nga një grup i përgjithshëm prej 3535 aplikantësh në bazë të aftësive të tyre intelektuale, kapaciteteve për lidership, përshtatje akademike me Kembrixhin, dhe në bazë të angazhimit të tyre për të përmirësuar jetën e të tjerëve. Departamentet në Kembrixh nominuan kandidatët për Bursat dhe, nga këta, 106 persona janë intervistuar në Kembrixh në fund të marsit (personalisht, me anë të Skype, ose me telefon) nga katër panele intervistuesish të mbledhur nga të gjithë degët e Universitetit. 41 prej tyre ishin për doktoraturë (PHD) dhe 13 për MPhils. Bursat u ndanë në mënyrë të barabartë mes gjinive”.
Më pas bëhet një përshkrim i secilit dhe specifikohen aftësitë e tyre të veçanta. Andi Reçi është burrelsi ynë i talentuar, i cili renditet në këtë listë të situr mirë nga profesorët e atjeshëm.
“Andi Reçi është i pari “Gates Cambridge Scholar” nga Shqipëria. Ai do të bëjë një PhD në Inxhinieri Kimike. Projekti i tij kryesor do të fokusohet në aplikimin e Imazherisë së Rezonancës Magnetike në aplikime të reja të tilla si karakterizimi katalizator dhe rrjedhja e lëngjeve në materialet poroze. Këto kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e intensitetit të energjisë të proceseve dhe përmirësimin e efikasitetit të marrjes së hidrokarbureve nga shkëmbinjtë” – thuhet në faqen e universitetit.
“Dita” ra në gjurmët e Andit dhe ka folur me të. Mësuam se ai ndihet shumë i lumtur për këtë pranim. Sigurisht që kjo arritje ka patur mund e djersë dhe orë të tëra mbi libra. Por Reçi nuk është rastësisht aty. Ai ka studiuar në mënyrë sistematike që në fëmijëri dhe vlerësimet për këtë nuk i kanë munguar.
Djaloshi i lindur në vitin 1991 në qytetin verior dhe të freskët të Burrelit, na tregon për medaljet dhe certifikimet që ka marr ndër vite dhe na besoni, nuk janë pak. Fillesat e para i ka pasur në qytetin e lindjes dhe aty është spikatur nga mësuesit e tij të parë si një nxënës me aftësi të rralla, sidomos në shkencat ekzakte.
“Jam rritur në Burrel deri në moshën 15 vjeçare, në të cilën kohë familja ime lëvizi në Tiranë. Vazhdova gjimnazin tek “Petro Nini Luarasi”. Gjatë kësaj kohe u aktivizova në olimpiadat e matematikës ku kam marrë 2 vende të para dhe një vend të dytë në Olimpiadat Kombëtare në periudhën 2007-2009. Si rrjedhojë, përfaqësova Shqipërinë në 3 olimpiada ballkanike (2 medalje bronzi) dhe 3 botërore (2 medalje nderi)”- tregon Andi. Duke pare rezultate dhe ambiciet që kishte, ai, e pa të arsyeshme të largohej nga Shqipëria e të studionte jashtë. Zgjodhi Anglinë. Synimi i tij ishte… Kembrixh.
“Në vitin 2009, vendosa të vazhdoj studimet në Angli dhe gjatë studimeve para universitare u nderova me një medalje ari në Olimpiadën Kombëtare Britanike të Fizikës (2011) dhe medalje bronzi në Olimpiadën Kombëtare të Kimisë (2011). Në vitin 2011 fillova studimet universitare në University of Cambridge për Inxhinieri Kimike, ku kam dalë vazhdimisht studenti më i mirë në degën time” – tregon 25 vjeçari që na bën krenar, pasi ai është i pari shqiptar që fiton një bursë të plotë në Kembrixh.
Gjatë kësaj kohe Andi ka punuar e po ashtu është argëtuar. Për këtë pjesë tregon se edhe për punë ka udhëtuar në disa vende të botës. “Në sezonet verore kam punuar për Statoil (Norvegji), Granta Design (Angli) dhe Noahs Ark Chemicals (Angli). Gjatë kohës së lirë merrem me futboll dhe kanotazh”. Reçi, pavarësisht drojës dhe modestisë, nuk i rezistoi për shumë kohë këmbënguljes sonë për të patur një bisedë më të gjatë më të.
Andi, çfarë të ka shtyrë drejt shkencave ekzakte?
Jam përpjekur t’i përdor aftësitë e mia në mënyrën më efektive të mundshme. Në këto kushte, mendoj se jam më i vlefshëm për veten dhe për shoqërinë në fushat ekzakte. Më shumë se sa një shtysë, është një përpjekje për t’i mëshuar pikave të mia të forta.
Çfarë të ka mësuar jeta dhe shkolla në këto vite studimi, por edhe jetesa jashtë vendit?
Të jetosh, studiosh apo punosh jashtë Shqipërisë për një periudhe sado të shkurtër është një eksperiencë e pazëvendësueshme. Më pëlqen të bëj gjëra të reja dhe të stimuloj veten me sfida nga më të ndryshmet dhe besoj se kjo mënyrë jetese m’i ka ofruar këto. Për fatin tim të mirë, vendi ku jetoj dhe dega e studimit janë të tilla që takoj njerëz të rinj dhe interesant çdo ditë, dhe mësoj diçka të re vazhdimisht.
Ka qenë e vështirë rruga drejt shkollës ku studion tani, apo nëse je një nxënës i mirë, ia del?
Më shumë se të jesh një nxënës i mirë, të duhet vendosmëri dhe vullnet për t’i shkuar diçkaje deri në fund. Pas kësaj, me pak menaxhim kohe dhe burimesh që ke në dispozicion, mund të arrish gjithçka.
Kur i përfundon studimet dhe ku e mendon veten pas tyre?
Në qershor të këtij viti mbyll studimet Masters për Inxhinieri Kimike. Për vitin tjetër kam një ofertë për doktoraturë këtu në Cambridge dhe oferta për punë nga dy kompani në fushën e eksplorimit dhe përpunimit të hidrokarbureve. Për momentin po i marr në konsideratë dhe do vendos së shpejti.
Andi, është krijuar ideja që, personat që studiojnë shumë janë të dhënë 100 për qind pas mësimeve dhe mbyllen në atë botën e tyre, ndodh me ty kjo?
Sigurisht që duhet punë për të arritur diçka dhe pa studiuar kjo nuk bëhet. Por, nga ana tjetër tregu i punës është i tillë që nëse nuk ke aftësi të tjera si komunikimi, puna në grup apo aftësi lidershipi, do ta kesh të vështirë për të gjetur punë. Kështu që mësimi dhe notat që merr janë kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm, pavarësisht se çfarë bën në të ardhmen.
E mendon të kthehesh një ditë në Shqipëri për të dhënë dijet e tua…?
Unë jam i hapur për çfarëdolloj mundësie që mund të lindë dhe ngado që të vijë. Për momentin, ofertat janë më të mira jashtë, por kjo mund të ndryshojë në vitet në vazhdim. Këtë gjë nuk e parashikoj dot dhe do ja lë kohës.