Festivali “Netët e klipit”, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të pesëmbëdhjetë do ta mbyllë rrugëtimin e tij ekologjik disa javor në finalen e madhe, natën gala, që do të mbahet të mërkurën e 8 qershorit, pranë Liqenit Artificial të Tiranës, në transmetim direkt nga Televizioni Shqiptar, nën drejtimin e moderatores Iva Mera.
Ky edicion jubilar ka sjellë kujtimet dhe protagonistët e festivalit ndër vite, në biseda që kanë ngjallur debat, por që si çdo debat me argumentet e duhur sjell zhvillim dhe progres.
Shtëpitë e produksionit bëjnë vetë së pari një përzgjedhje që e paraqesin për garën e përvitshme, por ndryshe nga vitet e kaluara, organizatorët, përveç jurisë profesioniste, kanë menduar të sjellin një mënyrë më bashkëkohore të vlerësimit të klipeve, duke ua propozuar nominimet grupeve të ndryshëm, gazetarësh, studentësh, bloggerësh, përdorures të rrjeteve sociale, persona me shije estetike të kultivuara.
Festivali i Klipit, jeton prej vitesh në treg si e vetmja garë që nuk ka prioritet këngën, por e sheh videoklipin si film me metrazh të shkurtër.