Nga Enkel Demi
Piana degli albanesi ose më mirë Hora e Arbëreshëvet gjendet në Siçili. Katundet e shqiptarëve të vjetër janë ngritur edhe në Kalabri e gjetkë, ndërsa në vitet ‘90 bijtë e shqipes u rikthyen në këtë tokë pas një gjysëm shekulli terrori komunist. Tashmë, gjuha e dytë më e folur në ato vise është shqipja, ndërsa në Shqipëri është italishtja. Gjithmonë shqiptarët janë ndjerë në shtëpinë e tyre në Gadishulin Apenin, kurrë italianët nuk janë ndjerë të huaj në votrën e Shqipërisë.
“E mbsuame e krështerë” e Lekë Matrëngës është shkruar dhe botuar në vitin 1592 dhe mori vulën papnore para se katekizma të përkthehej në greqisht. Kisha e arbëreshëve është në ritin bizantin, por njeh autoritetin e Vatikanit, një veçanti e admirueshme, e cila rrëfen sa shumë e kanë dashur, respektuar njëri-tjetrin këto dy popuj.
Shqiptari më i ri mes nesh quhet Paolo Tramezzani. Ai thotë se italianët e zgjodhën Palermon për ndeshjen e parë zyrtare me Shqipërinë, sepse i tremben tifozerisë shqiptare. Me thënë të drejtën Paolo Tramezzani ndoshta nuk e di se në Siçili ne kemi shtëpinë qysh në kohët e Skënderbeut. Njoh një mal me njerëz që janë italianë, ashtu si Tramezzani është shqiptar. Ka gjasa që në stadium të kemi më shumë kuqezinj se të kaltër, ashtu si ndodhi me Zvicrrën në Lens të Francës. Shumë nga ne kanë përdorur “dredhinë” greke të Kalit të Trojës, kanë blerë biletat si italianë. Por, nuk ka asnjë shqetësim. Shqiptarët si në Genova do të këndojnë të dy himnet kombëtare. Nuk e bëjnë, se kanë nevojë të japin një shenjë miqësie, por sepse kështu e ndjejnë. Për ta të dyja vendet janë toka e tyre, prandaj do të bëhet një ndeshje, por në të vërtetë do të jetë një shpallje e lartë dashurie. Të paktën për një natë nuk do të flitet për kronikat e policisë, por për lojën, festën, të papriturat e topit.
Kështu që kjo përballje është e rrallë, ndaj çunat duhet të jenë në lartësinë e kësaj ngjarje. Veshin fanellën kuqezi të Gjergj Kastriotit, i cili nuk ka qenë zot vetëm i Krujës, por edhe i San Giovanni Rotondo, shtëpia e sotme e shenjtit Padre Pio. Djali i Skënderbeut Gjoni gjeti strehë tek Ferdinandi I i Napolit dhe u shndërrua në kont i Soletos, zot i malit Sant’ Angelo dhe San Giovanni Rotondo, më pas duka i San Pietro në Galatina dhe zot i Oria-s dhe i Gagliano-s.
Megjithë mend së fundmi shkuam duke u kacavjerrur në anije dhe me lloj-lloj mjetesh lundruese, por shkuam në një tokë që na mirëpriti. Papa Gjon Pali i Dytë nga Otranto më 5 tetor 1980 dënoi persekutimin e besimtarëve dhe të qytetarëve të pafajshëm në Shqipërinë komuniste. E bekoi tokën që dukej vetëm si mirazh me ujë të bekuar, megjithëse e ndante një det i tërë.
Për Italinë kemi qenë përherë vendi përballë. Në Brindisi një pjesë e rrugëve janë në dy gjuhë, në shqip dhe italisht. Nuk kanë patur asnjë nevojë ta bëjnë këtë, as jua ka kërkuar njeri, por kështu u ka ardhur për mbarë. Arbëreshët gjithmonë kanë mësuar gjuhën amtare, kanë festuar ditët e tyre, kanë kënduar këngët e tyre në shqip, kanë patur veshjet e tyre, vallet e tyre, hajet e tyre, kishën e tyre, poetët e tyre si De Rada, Gavril Darat, kanë patur bujarët e tyre. Në Universitetin e Palermos, aty ku zhvillohet takimi sportiv është katedra e gjuhës shqipe.
Kështu ndeshja në kryeqendrën e Siçilisë është një ngjarje që shkon përtej skemave taktike. Është një ngjarje e bekuar nga gjithë uji që aq pak na ndan.