Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është pyetur në një konferencë për mediat nëse në takimin që ka zgjatur dy orë me ambasadoren Yuri Kim i është kërkuar një distancim nga Sali Berisha.
Në intervistën e fundit televizive, Kim tha se Berisha i shpallur non grata është një kufizim në marrëdhëniet e saj me partitë politike, por nuk tregoi nëse Metës i ishte kërkuar diçka e tillë. Para gazetarëve, vetë Meta deklaroi se nuk ka asnjë krizë në marrëdhënien e tij me Berishën.
Ilir Meta: Kemi pasur një bisedë të hapur e bashkëpunuese, sikurse dhe vetë me aq sa kam ndjekur është shprehur zonja ambasadore, ne nuk ndajmë të njëjtat mendime e vlerësime për çdo gjë. Kjo është normale se unë jam politikan ndërsa zonja ambasadore diplomate e do i përmbahet udhëzimeve që merr. Ajo që është me rëndësi sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA besoj se bashkëpunimi është i shkëlqyer në gjithë fushat. Sa i takon çështjeve të brendshme, respektojnë zgjedhjet e çdo force politike dhe të qytetarëve shqiptarë dhe jam i sigurt që do respektojnë dhe çdo vendim të hapur e demokratik që merr Partia e Lirisë.
Pyetje: Ka një krizë mes jush dhe Berishës?
Meta: Nuk ekziston asnjë krizë përveç atyre që thotë Rama, besoj se ka qenë një koherencë e qartë mes PL dhe PD e shumë ekspertëve me integritet që ka treguar se vjedhja që planifikonte të bënte Rama ishte një mashtrim që synonte të mbulonte vjedhjet e jashtëzakonshme në sistemin e energjisë, në këto 10 vite nga Rama.