Nënkryetari i LSI Petrit Vasili ka komentuar progres-raportin për hapjen e negociata të Shqipërisë në Be, duke u shprehur se pengesa galopante në këtë proces është korrupsioni i jashtëzakonshëm që ka kapur vendin.
Konkretisht, Vasili ka akuzuar qeverinë për koncesionet e fundit të miratuara.
Ai shprehet se brenda dhjetë ditëve, qeveria i ka lënë pas popullit minat, një dhuratë e cila shkon jo më pak sesa afër 400 milionë euro e cila do të paguhet nga xhepat e qytetarëve.
Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili:
Të nderuar qytetarë! Dje ju jeni njohur me raport-progresin për Shqipërinë dhe keni kuptuar më së miri që negociatat me Bashkimin Europian nuk hapen dhe një nga shkaqet themelore, kryesore që qëndron si shkëmb në rrugën e integrimit europian të shqiptarëve është dhe mbetet korrupsioni galopant, epidemik dhe i jashtëzakonshëm që ka pushtuar anembanë vendin. Për të qenë akoma dhe më konkret dhe për të kuptuar shqiptarët se në çfarë drejtimi kërkon Europa që të ecim dhe se në çfarë drejtimi ecën qeveria Shqiptare, këtë na e tregojnë shifrat. Korrupsioni pra është plaga themelore dhe pyetja është, “A e lufton qeveria?”, përgjigja është “Jo. Qeveria po thellohet në mënyrë të tmerrshme në një korrupsion galopant”. Po ua them që në fillim pa sqaruar ende me shifra që të gjitha këto kosto të tmerrshme bien mbi xhepin e qytetarëve shqiptarë. Konkretisht, qeveria shqiptare miraton dy konçensione për rrugën Milot – Balldren, më shumë se 260 milionë euro në total dhe 320 miliardë lekë për një rrugë të ngushtë, një rrugë shtesë, nga Orikumi në Dukat me një vlerë prej 70 milionë euro. Në total i thonë 330 milionë euro, të përkthyera në lekë shqiptare i thonë rreth 400 miliardë lekë.
Sa vidhet të nderuar qytetarë? Vidhet në mënyrë çnjerëzore. Rruga Milot – Balldren që lidh dy funde rrugësh. Rruga e ka çmimin 15 milionë euro kilometrin. Një shtesë rruge fushore nga Orikumi në Dukat e ka çmimin mbi 5 milionë euro. Të nderuar qytetarë, që ju të kuptoni më mirë sesa vjedhin këta, pra e kuptoni 15 milionë euro ishte ajo rruga Milot Balldren atje në fund. Po marrim një rrugë të nivelit shumë të mirë evropian, siç është rruga, aksi Fier-Vlorë, në të cilin ju të gjithë keni udhëtuar, një aks me rrugë, me 4 korsi, me ura, me një asfaltim të nivelit europian. Pra gjithçka në nivelin e duhur dhe vazhdon të funksionojë më së miri, rreth 2 milionë euro ka kushtuar kjo rrugë e re dhe që lidh dy qytete, dy qendra qarqesh nga më të rëndësishme të vendit pra 2 milionë euro. 15 milionë euro kushton kjo që lidh dy bishta rrugësh. Ju keni parë, sigurisht se është një rrugë nacionale shumë e rrahur, Bypassin e Rrogozhinës me vepra arti me ura, me 4 korsi dhe me të gjitha elementët e një rruge me standarde evropiane. 5.7 milionë euro ka kushtuar dhe kanë qenë 4.3 kilometra rrugë. Çmimi ka qenë më pak se 1.5 milionë euro kilometri. Një rrugë, një rrëzë atje fushore nga Dukati deri në Llogara pa filluar Qafa e Llogarasë kushton 5 milionë e ca euro. Dhjetëra milionë euro interesa do paguajnë shqiptarët meqë këto firma do të marrin kredi pasi janë firma që futen me kapitale 25 herë më të vogla se ç’është projekti. Pra një çështje e gjitha për tu hetuar nga themeli, sepse që të jemi të qartë të nderuar qytetarë, nëse unë do të bëj një shpenzim 10 milionë lekë, si ta bëj unë atë shpenzim kur unë kam vetëm 250 mijë lek? Pra siç e shikoni qeveria jo vetëm që nuk bën hapa pas, por ecën përpara dhe galopon në korrupsion. Dhe kjo është ajo që e mban Shqipërinë jashtë Europës. Dhe kjo është arsyeja pse opozita dhe mijëra qytetarë shqiptarë janë aty sepse nuk duan që nga xhepi i parave të tyre të paguhen pafundësisht miliona euro.
Përballë meje të nderuar qytetarë në këtë moment që flasim unë kam dy rrugë që kryqëzojnë njëra tjetrën, pikërisht në zemrën e Tiranës, në Tiranën e Re që i thonë apo në njësinë 5, të cilat janë në një gjendje mizerabël, me gropa uji. Janë pikërisht në këtë moment që unë po flas live me ju dhe për këto nuk ka para. Ndërsa për këto bishat rrugësh qindra milionë lekë shkojnë dhe shpenzohen, pa llogaritur edhe gjëmën që i erdhi Shqipërisë, për të cilën unë i kam drejtuar 10 pyetje kryeministrit, për 140 milionë euro të tjera që do të dalin nga xhepi i shqiptarëve.
Pra të nderuar qytetarë shqiptarë, brenda 10 ditëve dhurata e tmerrshme që iu ka lënë mbi kurriz qeveria ju të tërëve, është një dhuratë e cila shkon jo më pak sesa afër 400 milionë euro të cilat di paguhen nga xhepat e qytetarëve të varfër shqiptarë, në mënyrë që këta si qeveri që po ikën, si ata pushtuesit që lënë minat pas, po lënë gjithë këto mina që do shpërthejnë njëra pas tjetrës, për të mos i lënë shqiptarët kurrë të ngrenë kokë. Për të mos i lënë kurrë shqiptarët që të kenë infrastrukturë më të mirë, që të kenë spitale më të mira, të kenë shkolla më të mira fëmijët, të kenë mundësi që librat ti marrin falas, studentët të mos paguajnë tërë ato taksa. Sepse këta dua të vjedhin në një dorë këtu, siç po e diskutojmë bashkë ne, 330 milionë euro pa iu trembur syri.
Ky është niveli i kusarisë të nderuar qytetarë. Prandaj për secilin nga ju, pa asnjë dallim partie, ka një arsye shumë të fortë për të protestuar në 2 qershor, që kusarët të largohen një orë e më parë nga qeverisja e vendit. Ju faleminderit të gjithëve.