Nga Lorenc Vangjeli
Ne shqiptarët kemi një raport të veçantë me festat. Ne vazhdojmë të bashkëjetojmë me ngutin për t’i nxjerrë ditës së pushimit zyrtar në kalendar gjithë dembelizmin otoman që na është bërë shprehi dhe gjithë rehatinë mesdhetare që e kemi tatoo në AND-në tonë.
E para, një dhuratë që kemi trashëguar nga një bashkëjetesë e gjatë me ish-perandorinë me çerek hëne në flamur dhe e dyta, nga përgjumja që sjell dielli i fortë.
Ditët e festës në Shqipëri, të gjithë ndjehen nën komandën e zakonit, nën pushtetin e hallit se çfarë do të thotë fqinji dhe në detyrimin për të bërë atë që bën edhe tjetri; edhe të zgjedhin dhurata, edhe të luajnë rolin e njeriut që qesh nga lumturia!
Askush, as nuk e vë re dhe as nuk ia mer për të keq hipokrizisë që i sheh të gjithë të bashkuar nën marshin e pandalshëm të hipokrizisë njerëzore.
Në festa, ne shqiptarët bëhemi më të mirë!
Më i mirë është edhe një burrë që dridhet frikërisht nga eprori i vet në mëngjes, por trimërohet duke rrahur gruan në darkë.
Më i mirë është edhe ai që braktis prindërit apo harron nënën.
Madje edhe ai tipi që i pështyn qiellit, i bindur se çfarë nxjerr nga goja nuk do të zbresë kurrë në tokë, në Tetë Mars ndjen detyrimin që të bëhet njeri më i mirë! Të gjithë nënshtrohen përballë traditës, sepse vazhdon pa prerë tradita me lule, me parfume, me radhë për ar e diamantë tek Pirro DuarArti apo dhe me para të thata në xhep si dhuratë.
Fatmirësisht, Tetë Marsi nuk është festë.
Nuk është as hipokrizia e njerëzve me pushtet që prodhojnë keqardhje televizive për gra të dhunuara e të munduara, që i gjejnë në burgje apo në familje të këputura nga varfëria.
Nuk është as harbimi mashkullor me stripistë burra, me alkool dhe epsh pa fantazi i ca grave të tjera që u ka ecur mbroth në jetë.
Nuk është as protestë dhe dhunë kundër dhunës; nuk është as #me too” dhe #ti nuk je “alone”! Nuk është as kolovajse gërvishtëse për burra që sillen si gra që shesin trupin për palo burra dhe as për gra që trembin burrat si hudhrat vampirët.
Eshtë diçka krejt tjetër dhe krejt përtej kësaj pritshmërie. Eshtë momenti për të kuptuar se revanshi i egër mashkullor i nja dy mijë e kusur vjetëve patriarkat, është një hakmarrje banale dhe e pavlerë përballë dhjetra mijëra vjetëve të tjerë, kur vërtet bota nuk ishte më e mirë, por ishte së paku më e vërtetë dhe e drejtë. Sepse drejtohej nga instikti i pastër njerëzor dhe gratë.
Për këto dhe shumë arsye të tjera që një burrë nuk mund t’i kuptojë dot për shkak të limiteve të inteligjencës që i vendos përkatësia gjinore, Tetë Marsi duhet të jetë edhe kësaj here një ditë burrash në një botë grash: me burra që duhet të festojnë në vetmi e heshtje dhe ditë që duhet festuar në heshtje dhe në vetmi.
Kështu duhet të ndodhë në një ditë si Tetë Marsi dhe në 364 ditët e tjera të vitit që mbeten.
Me një akt vetësakrifikimi që duhet bërë në qetësi e me respekt të thellë.
Njëlloj si hyrja në kishë apo në xhami.
Në një ditë si kjo dhe gjithë ditët e tjera të vitit që mbeten, çdo burrë duhet të bjerë në gjunjë dhe të kërkojë ndjesë!
Edhe nëse nuk ka bërë asgjë!
Edhe nëse është tërësisht i pafajshëm ai duhet ta kërkojë ndjesën në gjunjë. Dikush tjetër, një burrë si ai, me siguri ka gabuar përballë një gruaje. Dhe ai, edhe besimtari në Zot, edhe skeptiku që nuk njeh Zotin, duhet të kërkojë ndjesë edhe për atë! Ndjesë sepse është burrë! Burrë në një botë të papërkryer! Që është edhe e ligë sepse nuk është botë grash!