Aktorja e njohur shqiptare Mimika Luca është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare ditën e martë të datës 21 shkurt 2023.
Shkaku i ndarjes nga jeta të saj ishte ishemia cerebrale.
Ajo u lind në Gjirokastër më 24 dhjetor të vitit 1937 dhe në moshë shumë të re interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë. Për njëmbëdhjetë vite, nga 1951 deri në 1962, ishte balerinë në TKOB. Më pas, jeta e saj mori një drejtim tjetër, atë të aktrimit.
Mimika Luca u pranua në vitin 1962 si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role, si Suzana, Luçia, Dila “Cuca e maleve”, Sonja, Nica “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja “Kur hidheshin themelet” etj. Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. Roli i parë ka qenë krah bashkëshortit Ndrek Luca, në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë.
Një personazh i rrallë si Mimika Luca nuk harrohet dot nga publiku shqiptar, ashtu si roli i nënës së Marigosë te “Përrallë nga e kaluara”. Rolet e nënave, të edukatoreve apo edhe të mësuesve duket se ishin të prera për karakterin e saj. Më 1984, ajo interpreton edukatoren te filmi “Taulanti kërkon një motër”.
Ajo shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”.
Në vitin 1977 fillon punë si pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega Dramë, por nuk ju nda filmit.
The post Ndahet nga jeta aktorja e njohur appeared first on 27.