Deputetja demokrate, Flutura Açka ka shpërthyer në akuza ndaj maxhorancës pas miratimit të moratoriumit të gjuetisë sot në Kuvend. Sipas Açkës, kjo është një masë e qeverisë për të parandaluar zbulimin e të mbjellave me kanabis. Deputetja e PD-së tha se që një shtet që nuk siguron mirëqënien për qytetarin, nuk ka si të sigurojë dhe habitatin për zogjtë dhe kafshët.
“Nuk po flas për shpërthimit për krap në Shkodër që shpesh mbështeten edhe nga policia se u hapet ndonjë ngjalë, nuk po flas as për gjahtarët italianë që hynin si në shtëpi të tyre që organizoheshin nga një familjari i një eksponenti lartë i partisë tuaj. Zogjve u shpëtuan puplat vetëm kur ky familjar i la puplat kësaj bote.
Një moratorium që mbron mjedisin është mrekulli, por prej jush nuk e pranoj dot. Mjafton të kujtoj kodrën që po gërryhet me tërbim në rreth rrugës për në Elbasan.
Po ta kishit merak gjuetinë do të nxitonit të bënit një ligj të mirë, nuk do të llogarisni turistë që shtohen nga veprimtari a e këtij ligji, ato të zonave të mbrojtura.
Pas këshillimit publik që morët leje për kanabisin mjekësor e patë të nevojshme të zgjasnit edhe ndalesën. Pallavra më e madhe. Pse e bëni ligjin kur në 2014 keni gjobitur 30 persona, në 2019-ën 12 e në 2020 vetëm 4 persona. Pra keni rekorde shumë të mira, ose nuk keni bërë punë fare…
Ligji është bërë vetëm për vete dhe miqtë tuaj për të dalë bukur para Europës dhe ngastrat tuaj të kanabisit të mos bien shumë në sy e të mos mundoheni ti ruani. Një shtet që nuk siguron mirëqenie për njeriun si do jetë habitat për zogj e kafshë”, tha ajo.