Edhe në Kosovë ka filluar të përdoret monedha virtuale, madje për këtë shërbim, që siguria nuk garantohet nga asnjë institucion, është instaluar edhe një aparat.
Monedha virtuale, e quajtur ndryshe “Bitcoin”, ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryhen transaksione, sikurse me paranë e vërtetë.
Monedhat virtuale, paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online, media sociale, dhe më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen në jetën reale.
Disa qytetarë që kanë investuar në monedhat virtuale thonë se instalimi i këtyre aparateve është i nevojshëm.
Florent Ibrahimi, është student i nivelit master në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, i cili tashmë ka investuar në monedhat elektronike, pasi shpreson se do të fitojë .
Florenti pretendon se në të ardhmen, paraja letër nuk do të ekzistojë, por vetëm monedha virtuale.
“Arsyeja pse kam investuar është shpresa për fitim. Pretendohet që në të ardhmen të ketë rritje ekstreme dhe përdorimi i valutave elektronike është i garantuar në të ardhmen”.
“Unë nga ky investim, besoj që kam fituar, nga prodhimet që kam bërë dhe nga makinat që i posedoj. Unë kam arritur t’i shndërroj në valutën euro dhe ky është një fitim”,thotë Ibrahimi.
Në anën tjetër kompania “Albvision” ka instaluar një aparat për blerje të monedhës virtuale në kryeqytet, kurse shumë shpejtë pritet të instalohen edhe gjashtë në qytetet tjera të Kosovës.
/REL/