24 vjet nga konferenca famëkeqe e 13 gushtit 1992. Ku janë sot protagonistët e asaj shfaqjeje të dhunës mbi demokracinë? Mocionistët e kthyer në podiumin e drejtimit të partisë dhe “persekutorët” e tyre të larguar nga PD. Berisha i vetmi që nuk lëviz, është aty ku ishte në atë verë të nxehtë të vitit 1992 dhe rreth tij vërtiten të “demokratë” të vjetër e të rinj, në një PD që nuk ndryshon.
Më 13 gusht të vitit 1992, u mbajt konferenca e jashtëzakonshme e PD-së, ku u përjashtuan disa prej themeluesëve kryesorë të kësaj partie. Me siguri ka protagionistë të asaj konference që e kanë kujtuar edhe këtë gusht atë moment me rëndësi specifike në zhvillimet e PD-së për 24 vitet në vazhdim. Ka prej tyre që nuk duan ta kujtojnë jo vetëm për shkak të dhunës që e shoqëroi atë konferencë, por edhe për shkak të peshës së fajit që ata mbajtën mbi vetë për rolin e tyre aktiv apo të munguar në atë konferencë.
Padyshim protagonisti kryesor është Sali Berisha. Ai e ka shfaqur në një farë mënyrë ndjesën e tij për atë ngjarje që nuk e bën krenare historinë e kësaj partie. Berisha i ftoi në PD të gjithë të përjashtuarit e asaj konference. Shumica iu bashkuan në pranverën e vitit 2005, kur PD po përgatitej për të marrë pushtetin. Disa të tjerë nuk u afruan. Është me rëndësi të theksohet se ata që nuk u afruan, në atë konferencë ishin në pozita të sigurta, pra në krah të Berishës, por zhvillimet e viteve në vazhdim, u kishin rezervuar një histori të ngjashme përjashtimi me atë të 13 gushtit.
Në këtë fotografi që shihni më lart shfaqet podiumi ku ishin ulur ata që drejtuan konferencën e 13 gushtit të vitit 1992. Ishte dita kur Partia Demokratike u nda në dysh, u përjashtuan pjesa e rëndësishme e themeluesëve të saj. Vetëm dy vjet pasi ishte themeluar si shpresa e madhe e shqiptarëve të shtypur 50 vjet në komunizëm, Partia Demokratike dha leksionin më brutal për lirinë, në një parti politike.
Kjo foto tregon sallën që me brohoritjet histerike votoi pa as mëdyshjen më të vogël varrosjen e demokracisë në këtë parti. Është konferenca famëkeqe e 13 gushtit të vitit 1992, kur u përjashtuan me dhunë një pjesë e rëndësishme e themeluesve të Partisë Demokratike. Nuk është fjala për disa fajtorë e disa viktima, është fjala për mënyrën se si u perceptua liria nga ata themelues, të cilët i mbështeti shumica e shqiptarëve në mars të vitit 1992.
Akuzat: “Komunist, bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, pinjoll i udhëheqjes”, e plot të tjera ishte gjithçka brohoritej nga kjo sallë. Dhe çfarë ishte më e papranueshme, këto akuza i drejtoheshin atyre që kishin themeluar PD-në, të cilët e gjithë Shqipëria i kishte brohoritur me shpresën e madhe se ata do të ishin burrat e shtetit që do të sillnin demokracinë e munguar në Shqipërinë e mjerë të 50 viteve të komunizimit. Ato akuza i drejtoheshin më të parit të tyre, Azem Hajdarit, më pas Gramoz Pashkos, Neritan Cekës, Preç Zogajt, Arben Imamit, Arben Demetit, Ritvan Peshkëpisë, Shahin Kadaresë, Edmond Trakos e të tjerë.
Po ku janë sot ata që ishin të akuzuar e ata që akuzonin?!
Ku janë sot ata që ishin në atë podium përballë turmës së lëshuar frikshëm kundër mocionistëve?
Po ata të qoshes së sulmuar në sallën e dhunshme të 13 gushtit 1992, në ambjentet e Teatrit të Operas dhe Baletit?
Sa të vërteta rezultojnë sot ato akuza brenda llojit?
Po ata që akuzuan, çfarë sollën në vazhdimësi në PD dhe qeverisjen e saj?
Fakt, është se sot pas 25 vitesh, Shqipëria është ende në tranzicion dhe ajo elitë politike e viteve të para të demokracisë dhe specifikisht ajo e PD-së, ka padyshim peshën kryesore të fajit. Nga PD priste ndryshimin e gjithë Shqipëria, ndërsa nga PS, e cila ishte veçse një vazhduese e PPSH-së, nuk pritej shumë.
Ishin themeluesit e PD-së të ndarë në dy pjesë, dikush në sallë mes dhunës së atyre që ishin instruktuar të brohorisnin gjatë gjithë kohës kundër mocionistëve, të tjera ishin në podium në mbështetje të liderit Berisha, i cili ishte betuar të asgjësonte “grupin armiqësor” në radhët e strukturave më të larta të PD-së.
Disa prej atyre që shfaqen në atë podium, kanë ndërruar jetë. Të tjerë janë larguar nga PD, ka prej tyre që janë kthyer, ka të tjerë që vazhdojnë të jenë jashtë saj.
Në atë podium përkrah Berishës, ishte Eduard Selami, në atë kohë kryetar i PD-së, i cili mbajti peshën kryesore të linjës politike kundër mocionistëve përmes fjalimit të tij në konferencën e 13 gushtit të vitit 1992. Përkrah Berishës ishin të ndjerët Pjetër Arbnori e Ali Spahia, drejtues të rëndësishëm të PD-së së asaj kohe. Përkrah Berishës ishte edhe i ndjeri Azem Hajdari, por ai ishte midis podiumit e sallës, asaj pjese të sulmuar nga shumica e inatosur kundër mocionistëve. Protokolli ia garantonte vendin në podium si kryetar i parë i PD-së.
Azem Hajdari po sulmohej ashpër nga salla e dirigjuar prej këtij podiumi, i cili padyshim drejtohej nga Berisha. Azem Hajdari u akuzua ashpër si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndërsa mocionistët Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti e të tjerë, u akuzuan si pinjollë të PPSH-së dhe neokomunistë. Përkrah Berishës ishte padyshim kryeministri i qeverisë demokrate, Aleksandër Meksi. Ai qëndroi në postin e kryeministrit deri në mars të vitit 1997, kur përmes revoltës popullore u rrëzua kabineti i tij, për shkak të piramidave që u ndërtuan ato vite në Shqipëri. Meksi nuk dha në asnjë çast shenjat e kundërshtisë ndaj politikave radikale të Presidentit Berisha që nisi të qeverisë vendin me praktika shumë të ngjashme me ato të totalitarizmit komunist. Edhe të tjerët që e kundërshtuan, nuk dhanë më vonë shenjat se ishin larguar nga Berisha për parimet e demokracisë, pasi kur ndërtuan partinë e tyre, shfaqën të njëjtën praktikë të autoritarizimit në drejtimin e saj. Është fjala për PAD-në, historia e së cilës u shoqërua me sherre deri fizike mes themeluesëve të larguar nga PD si mocionistë.
Sot, pas 24 vitesh, vihet re se protagonistët e asaj konference kanë ndryshuar vendet. Ata të sallës, qoshes së sulmuar dhunshëm nga njerëzit e Berishës, janë kthyer në podium, ndërsa ata të podiumit kanë zënë vend në sallë, disa prej tyre në atë qoshen e sulmuar. Ka të tjerë që nuk janë as në sallë e as në podium. Disa kanë ndërruar jetë, të tjerë janë tërhequr krejtësisht nga politika.
Mocionistët
Arben Imami është sot deputet i PD-së, ka qënë ministër në qeverisjen e saj 8-vjeçare dhe aktualisht është anëtar kryesie i PD-së.
Preç Zogaj, nuk mban poste në PD, por prej vitesh është kthyer në këtë parti dhe shfaqet kryesisht në media si mbështetës i rëndësishëm i saj dhe këshilltar i kryetarit Basha.
Gramoz Pashko nuk jeton më. Ai humbi jetën në një aksident tragjik në korrik të vitit 2006.
Arben Demeti nuk është më në PD, por ishte zëvendësministër në qeverisjen e kësaj partie për tetë vite, 2005-2013. Demeti nuk u angazhua politikisht në PD, por qëndroi në PAD.
Edmond Trako është tashmë diplomat dhe qëndron larg zhvillimeve politike.
Neritan Ceka gjithashtu e mbylli karrierën e tij pranë PD-së, si diplomat, ambasador i Shqipërisë në Itali.
Disa të tjerë të larguar në 1992, nuk u kthyen më në këtë parti.
Podiumi i “persekutorëve”
Sali Berisha, asokohe President e më pas kryetar i PD-së, për 16 vite 1997-2013. Berisha dha dorëheqje nga posti i kryetarit të kësaj partie në verën e vitit 2013, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare. Berisha është sot deputet i PD-së. Në vend të Berishës në krye të PD-së u zgjodh Lulzim Basha, i cili e pohon se e drejton partinë edhe nën këshillimet e vazhdueshme të Berishës.
Eduard Selami, në gusht 1992, kryetar i PD-së. U largua nga Shqipëria në vitin 1995, pasi u përjashtua nga kjo parti dhe u kthye sërish në PD, në pranverën e vitit 2013, për t’u bërë deputet i kësaj partie. Selami la pas gjithë betejat e Berishës dhe pjesës tjetër të PD-së kundër tij për t’u kthyer në një parti, ku asgjë nuk ka ndryshuar, veçse disa fytyra. Selami mbahet si një ndër të paktët deputet kritik të drejtuesve të kësaj partie.
Pjetër Arbnori, Ali Spahia dhe Azem Hajdari kanë ndërruar jetë. Arbnori e Spahia për shkaqe natyrore, ndërsa Azem Hajdari u vra në shtator të vitit 1998, në oborrin e selisë së PD-së.
Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i PD-së, në vitet 1992-1997, është larguar nga kjo parti dhe qëndron përgjithësisht i tërhequr nga politika.
Tomor Dosti e ka lënë PD-në që në vitet 1997, për t’u tërhequr nga politika.
Të tjerë protagonistë të asaj konference i janë përkushtuar biznesit.
Ajo çfarë ka mbetur në PD prej asaj kohe është filozofia, me të cilën drejtohet kjo parti në mungesë të plotë lirie ngjashëm me PS-në, ku kryetari e e drejtuesit e tjerë të saj nuk kanë asnjë kompleks me të shkuarën komuniste. Edhe sot PS ka në poste të rëndësishme në qeveri e në parti, pinjollë të Byrosë Politike e ish-zyrtarë të lartë të qeverisë komuniste.
Të drejtuar nga këto dy parti për 26 vite me radhë, sot Shqipëria është një ndër vendet me nivelin e korrupsionit më të lartë në botë. Zë vendin e parë në Europë për korrupsion, varfëri e papunësi. Padyshim që për këtë Shqipëri të vitit 2016 kanë kontribuar bashkarisht PD dhe PS. Është vendi, ku pak kohë më parë u miratua ligji unik për dekriminalizimin e politikës e ku SHBA e BE po vazhdojnë betejën e vështirë për të reformuar drejtësinë, të marrë peng nga kjo elitë politike.
Kjo nuk është Shqipëria që kishin projektuar në aspiratën e tyre për liri, shqiptarët e vitit 1990.