“Çmimi për librin “Vrima”, çmim për libërlidhjen. Nuk janë favorizuar miqtë e kryeministrit në GKA, nuk do marrim hidraulikë të hapin ekspozita”
Ministrja e kulturës, rrëfehet në “Shih programin në RTSH”. Ajo flet për çmimin e shumpërfolur dhënë autores Rita Petro, për të vërtetën e financimit të ekspozitave të kryeministrit Rama, për akuzat për favorizim të miqve të kryeministrit në GKA e të tjera.
Enkel Demi – Shqipëria është një vend i varfër sidomos për të investuar në kulturë apo jo?
Mirela Kumbaro – Fakti që buxhetet në përgjithësisht në raport me pjesën tjetër të aktiviteteve të një vendi janë më të ulëta në kulturë, nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Përgjithësisht të gjitha shtetet, edhe ato që janë më të pasura, dihet që të gjithë ankohen për buxhete. E sa herë ka kriza, e para që preket është kultura. Por, aq problem sa sasia financiare ka të bëjë edhe mënyra sesi shpenzohen e menaxhohen paratë për t’u vënë në funksion të ideve. Kultura nuk është një aksion politik dhe ekonomik, kultura është përtej qeverive duke qenë se kultura ekziton që para formacioneve qeverisëse, prandaj sado të mëdha të jenë buxhetet, ato përsëri do të jenë të pamjaftueshme dhe gjithmonë do të jemi të pakënaqur me të drejtë. Financimi dhe mbështetja e kulturës nuk është vetëm çështje e shtetit, është një çështje e të gjithëve, është çështje emancimi e të gjithë shoqërisë. Unë besoj se se kemi hyrë në një fazë kur kjo po ndryshon. Edhe vetë njerëzit e kulturës po e kuptojnë se duhet akoma më shumë agresivitet inteligjent nga ana e tyre për të thithur fonde dhe mundësi.
E.D. – Nga një vëzhgim sipërfaqësor shikon se kur ka produksione me fonde të mjaftueshme e kupton se arti ka nevojë për para…
- K. – Kultura nuk është luks, ajo nuk zhvillohet anash apo larg aktivitetit social. Kultura duhet të jetë pjesë e të jetuarit dhe të menduarit të secilit prej nesh. Ne kemi një Shqipëri ku gjysma e popullsisë janë përqendruar mes Tiranës dhe Durrësit, por nga ana tjetër gjatë 25 viteve, kur ka ndodhur kjo zhvendosje ne nuk kemi patur një politikë apo një aksion të organizuar, të ndërgjegjshëm nga të gjithë aktorët në çështjet e kulturës. Askush nuk ka menduar se me çfarë do ta mbushin jetën këta qytetarë, këta të rinj, por bëjmë vetëm analizën përfundimtare bazuar në kriminalitetin për ngjarjet që ndodhin apo merremi dhe me zgjidhjen rast pas rasti. Për këtë arsye ne kemi nisur një program siç është edukimi përmes kulturës, ku përdorim institucionet publike edhe si shkolla apo vende edukimi. Për mua nuk ka investim më të rëndësishëm sesa kultura dhe arsimi, pasi i japin stabilitet shoqërisë, por edhe familjes në vetëvete.
E.D. – Ju përmendët të rinjtë, si mund të përfshihen ata në këtë hulli? A ka fonde për ta?
I vërtetë konstatimi. Ne nuk mund t’u flasim atyre me gjuhën e viteve ’60, sepse i trembim nëse bëjmë një gjë të tillë sot në këto kohë kibernetike. Institucionet e trashëguara në këto 25 vite vazhdojnë për inerci të shërbejnë si në rregjimin komunist. Edhe kur duam që të bëjmë gjëra të reja, modeli është i vjetër. Ndaj ne po përpiqemi të ecim paralelisht në disa pista duke filluar që nga dyshimi i disa institucioneve kulturore të paktën në modele, në aktivitete. I kemi dhënë mbështetje artit bashkëkohor, pa mohuar traditën, por artistët e rinj kanë nevojë për mbështetje. 2015 sidomos në artet pamore ka marrë një mbështetje shumë të madhe. Janë organizuar aktivitet në kështjella, muze. Atriumi i Muzeut Historik është kthyer në një vend ku zhvillohen që nga koncertët rock deri tek koncertet e shkollave. Po përpiqemi që me të gjitha mënyrat të tërheqim publikun e ri, publikun e së nesërmes.
E.D. – Ju e dhatë vetë çmimin për librin “Vrima” dhe këtu u bë nami apo jo?
Nuk u bë nami për botimin e plotë të veprës së De Radës që u bë për herë të parë në Shqipëri, e kuruar nga dy profesorët arbëreshë, Mandala dhe Altiomari, ndërkohë që ia vlente të behej nami, sepse ishte një botim me vlerë. Nga ana tjetër u bë ngjarje, për çmimin “Lumo Skëndo”, një çmim i cili është dhënë nga Biblioteka Kombëtare dhe është çmim bibliofilie, që do të thotë është çmim për libërlidhjen më të mirë të librin. Unë sapo kam marrë detyrën i kam dhënë fund një historie qokash, si kanë qenë çmimet vjetore të letërsisë, aq sa edhe kur ka patur libra me vlerë kritika është tretur, sepse e kanë dominuar llafet e historitë e fshatit të madh, ku për fat të keq jetojmë. Ndaj unë i reduktova nga dhjetë çmime në dy të tillë, me juri krejt të pavaruar nga Ministria e Kulturës. Çmimin “Lumo Skendo” Ministria e Kulturës ia kaloi Bibliotekës Kombëtare, e cila ka dhe ekspertë të libërlidhjes.
E.D. – Pra, nuk është çmim kombëtar ky, është çmim për libërlidhje?
Po. Atëditë u dhanë dy çmime, për vitin 2013 për librin e Arshi Pipës “Triologjia albanica” dhe për 2014 iu dha çmimi librit të Rita Petros, për kopertinën, dizajnin dhe konfiguracionin. Këto dy çmime u dhanë në kuadrin e 95-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare. Ministria jep vetëm çmimin për librin origjinal më të mirë dhe për përkthimin më të mirë në fushën e krijimtarisë artistike.
E.D. – Mbaroi Fototeka “Marubi?
Fototeka “Marubi” është në muajt e fundit të saj, pasi tashmë do të kemi Muzeun e Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, i cili në pranverë përllogaritet që të jetë mbaruar, me një projekt dhe teknologji të re. Do të jetë një krenari për Shkodrën, vendin dhe rajonin përsa i përket standardeve. Deri më tani janë hedhur rreth 50 mijë fotot në faqen e kësaj fototeke, ndërsa janë dixhitalizuar rreth 100 mijë foto nga 500 mijë foto që ka ky arkiv. Shumë shpejt do të kemi dhe një dhurim tjetër shumë të rëndësishëm që do të jetë një dhuratë e madhe për fotografinë shqiptare.
E.D. – Kur do të nisë restaurimi i Operas?
Jemi në fazën e fundit, kur do të dorëzohet projekt zbatimi. Ai ka mbaruar dhe kam kënaqësinë të them se do të jetë një projekt i jashtëzakonshëm me teknologjinë më të fundit.
E.D. – E ku do të zhvendoset Opera?
Opera do të vazhdojë deri në pranverë me kalendarin e saj. Me mbylljen e sezonit artistik në qershor Opera do të fillojë turnetë si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Ky do të jetë një program i dedikuar, ndërsa provat do të bëhen në institucione të tjera. Sivjet mbaron dhe rikonstruksioni i Teatrit Migjeni, i cili kishte që në vitet ‘50 pa u prekur me dorë.
E.D. – Po Teatri Kombëtar?
Ky teatër është në një godinë të bërë me një teknologji, e cila duhet të rezistonte vetëm 20 vjet, por ka 70 vite që është në këmbë. Kjo godinë është e rrënuar, por nuk mund të jetë jetëgjatë. Teknologjia e përdorur nga pushtuesit italian ishte e prodhuar vetëm për të argëtuar ushtarët dhe nuk ishte e planifikuar për të rezistuar për dekada. Në asnjë vend tjetër në botë ku janë ndërtuar nga fashistët objekte kulturore si teatri ynë i sotëm nuk janë më në këmbë këto struktura. Teatri ynë është i vetmi në botë. Kemi bërë një investim këtë vit për të bërë të mundur ngrohjen në teatër, një investim ky i merituar për aktorët dhe publikun. Jemi duke bërë një ndërhyrje në pjesën e ateliesë, pasi ka pësuar një demtim shumë të rëndë. Ndërkohë ka filluar puna tek qendra e re skenike afër shkollës “Petro Nini Luarasi”, ku do të kemi një teatër me teknologji moderne përsa i përket ndriçimit, fonisë, skenës. Do të ketë dy salla. Në momentin që do të mbarojë kjo qëndër e re skenike, Teatri do të zhvendoset aty dhe më pas Teatri Kombëtar do të ribëhet, megjithëse këtë nuk mund ta them tani, pasi për këtë do të kemi një konkurs ndërkombëtar.
E.D. – Si të parë qeverie kemi një piktor. Kush i financon ekspozitat e tij nëpër botë?
Asnjë lek nga paratë publike të buxhetit shqiptar nuk shkon për këto ekspozita. Ata janë organizime të galerive private apo institucioneve kulturore që kanë ftuar artistin Edi Rama.
E.D. – Fakti që e kemi kryeministrin artist do të thotë që në artet figurative duhet të promovohen miqtë e kryeministrit?
Jo, nuk e mendoj kështu dhe nuk besoj se do të mund të ma provoni këtë pohim. Nëse do futemi në një analizë, rezulton se të gjithë bashkëkohësist e artistit Edi Rama janë të njohur të tij. Në qoftë se ju do të flisnit për botën e librit, natyrisht që unë miqtë i kam në botën e librit dhe do të më akuzonit për të njëjtën gjë. Kur ka garë, ka konkurencë këto aludime priten, por koha ka treguar se nuk është kështu. Ne në 2015 i kemi dhënë prioritet artit pamor. Në nëntor u hap salloni i artit bashkëkohor, ku morën pjesë 14 artistë të rinj shqiptare dhe nuk mund të më thoni se ata janë miq të kryeministrit, përveçse nihen në botën e artit. Ishte gjithashtu dhe ekspozita XXI Onufri ku prapë nuk mund të akuzohemi për të njëjtën gjë. Nëse Edi Hila është jo vetëm një mik i kryeministrit, por edhe i imi, i juaji, ai mbetet një ndër ato vlera të rralla që nderon Shqipërinë në galeritë botërore, ku ekspozon punimet e tij. Sivjet në Galerinë e Arteve hapën ekspozita dhe artistë të mirënjohur si Sali Shijaku që kishte 25 vite pa ekspozuar, Lumturi Blloshmi që ka ndërkohë një ekspozitë të hapur në GKA apo dhe Gazmend Leka, Maks Velo. Ne nuk do të marrim hidraulikë që të hapin ekspozita, këta emra do të qarkullojnë. Jo kryeministri, por as ministri i Kulturës nuk ndërhyn në kalendarin artisktik të një institucioni.
E.D. – Keni menduar ndonjëherë që ta shkarkoni drejtorin e Teatrit Kombëtar pas peticioneve të shoqatave të medias?
Për çfarë arsyeje, nuk kam asnjë arsye. Ka ndodhur një episode, për të cilin ne jemi shprehur ne deklarata publike përmes zëdhënëses sonë. Ai është qëndrimi ynë. Ne nuk kemi arsye të qenësishme, të konfirmuar për të shkarkuar një drejtor. Dhe kjo nuk mund të bëhet as me një drejtor dhe as me një punëtor të thjeshtë. Ndërkohë kam një Teatër Kombëtar, një Teatër Eksperimental dhe Teatër të Operas që kanë dhjetë fishuar premierat, që kanë katër fishuar numrin e shikuesve.