Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj ka zhvilluar një takim me drejtuesit vendorë të 12 qarqeve dhe drejtuesit kryesorë të Policisë ku në fokus ishte marrja e masave konkrete për parandalimin e korrupsionit në procesin zgjedhor.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Haki Çako, 12 drejtorë vendorë të Policisë në qarqe, drejtori i për Hetimin e Krimin Ekonomik e Financiar dhe Drejtori për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit raportuan konkretisht evidentimin e të gjithë rasteve konkrete të shit-blerjes së votës, presionin ndaj zgjedhësve, përdorimin e burimeve të paqarta në ndikim të procesit elektoral dhe marrjen dhe bllokimin e kartave përkundrejt shpërblimit me qëllim heqjen e të drejtës për të votuar.
Ministri Demiraj kërkoi nga Policia e Shtetit përmbushjen e të gjitha përgjegjësive ligjore që i jep ligji dhe nuk është e nuk do të jetë e toleruar mbështetja e subjekteve politike nga efektivë me uniformë. Demiraj vlerësoi rezultatet e policisë së Shtetit në luftën e përditshme dhe pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Zv/ministrja e Punëve të Brendshme Rovena Voda, e cila drejton Task-Forcen Qendrore në kuadër të Planit kombëtar antikanabis shprehu mirënjohje për punën e vyer në këtë drejtim dhe kërkoi një angazhim të gjithanshëm.