Ministri i Financave Arben Ahmetaj, do të jetë i pranishëm në konferencën e Bankës Botërore me titull “Plani i përbashkët i veprimit për integrimin tregtar dhe të transportit në Ballkanin Perëndimor”. Ky takim është i treti i vendeve të rajonit në kuadër të Proçesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 4 Korrik në kryeqytetin e Francës.
“Falenderoj Bankën Botërore që në tre vitet e fundit ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndryshuar qasjen tonë, duke na kujtuar se në të shkuarën, si rajon, kemi qenë në qendër të vëmendjes për arsyet e gabuara. Jemi fokusuar të bëjmë gjërat e duhura për vendet tona. Kemi hyrë në një rrugë reformash strukturore dhe axhustimi fiskal. Është e vështirë, por e domosdoshme. Ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmin e rritjes krahasuar me vitin 2013, jemi mbi mesataren e rajonit, por aspak mjaftueshëm në raport me objektivat për konvergjencë me BE-në. Sfida jonë është integrimi rajonal tregtar. Edhe pse nën CEFTA, secili vend është treguar shumë i zgjuar për të gjetur instrumente që kthehen në barriera të buta për njëri-tjetrin. Këtu duhet të konsiderojmë riskun e madh të grupeve të vegjël lobuese ne rajon”, është shprehur Ahmetaj.
Ministri i Financave shtoi se, “diskriminimi i produkteve shqiptare në pikat doganore me fqinjët nuk i shërben proçesit të integrimit”.