“S’ka proces që mund të zhvillohet pa fushatë e pa kandidat”
Socialistët duhet t’i thonë JO referendumit për konfirmimin e kryetarit, pasi ai synon që të zëvendësojë zgjedhjet brenda partisë. Deklarata i takon deputetes socialiste, Mimoza Hafizi, e cila në një intervistë për mediat thotë se do të angazhohet kundër referendumit të paralajmëruar për më 9 prill.
“Në këtë situatë, ne do të kërkojmë të gjitha mundësitë për të kontaktuar socialistët e bazës e për të shpjeguar se pse secili prej tyre duhet të thotë me indinjatë: Jo Referendumit të 9 Prillit! Ky referendum, ky proces pa fushatë e pa kandidat, po tenton të zëvendësojë procesin e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste, proces që nuk do të mund të zhvillohej pa fushatë e pa kandidat.
Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e votës për kryetarin e tyre dhjetëra mijë socialistëve. Ky referendum do të kujtohet gjatë si tentativa më e paprecedentë për t’u hequr të drejtën e kandidimit anëtarëve të PS-së” ka deklaruar deputetja socialiste e Shkodrës.