Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka ndjekur me shqetësim të thellë situatën e jashtëzakonshme të krijuar në Maqedoni për shkak të reshjeve të shiut që kanë shkaktuar një numër viktimash mes qytetarëve të Maqedonisë.
Meta: “Me shqetësim të madh, trishtim të thellë dhe solidaritet të plotë kam ndjekur situatën e pazakontë të krijuar nga rreshjet e shiut në Maqedoni dhe veçanërisht në Shkup e Tetovë. Ne nxisim, mbështesim dhe përshëndesim çdo iniciativë të qeverisë shqiptare për t’ju gjendur pranë, sipas mundësive tona, qytetarëve të Maqedonisë dhe autoriteteve zyrtare të Shkupit dhe të Tetovës. Kam besim të plotë se banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyre, autoritetet zyrtare të fqinjit tonë, por dhe partnerët evropianë të Maqedonisë dhe sidomos fqinjët e tij, do të jenë në një front e në një aksion të përbashkët për të përballuar tërbimin e natyrës dhe për të minimizuar në maksimum, dëmet e shkaktuara”.