“Mendova se do të digjem i gjallë në vagon, se nuk do të mund të shpëtoja”. Me këto fjalë, 28-vjeçari Stergios Minaemis përshkroi momentin e përplasjes së dy trenave në zonën e Evangelismos, pranë Larisës.
“I shihja flakët, vagoni ishte mbushur me tym, nuk shihja asgjë rreth meje dhe papritmas pashë një dritë nga një dritare e thyer dhe lajmërova të tjerët të dilnin.
Nuk e dinim si dhe ku do të ndalonte vagoni”, tha i riu, i cili po trajtohet në spitalin AHEPA.
Me plagët në fytyrë që dëshmojnë atë që ka kaluar, i tronditur nga përmasat e tragjedisë, thotë se edhe vetë po jeton nga një mrekulli.
“Zjarri ka rënë pranë xhamit të thyer. Kabujt digjeshin dhe dilte tym i zi. Kur dola jashtë, u hodha mbi rrënojat. I shkela dhe gjithçka ishte ende e ngrohtë nga përplasja. Imazhi i parë që pashë ishte një burrë para meje. Nuk e dinim se çfarë ndodhi” theksoi ai.
Stergios humbi celularin e tij gjatë aksidentit tragjik dhe sapo doli i gjallë, ai tha se u përpoq të lajmëronte prindërit e tij në rrjetet sociale.