Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDIU, Shpëtim Idrizi është shprehur se ne nuk kemi Atdhe tjetër dhe po prishëm këtë që kemi, do të duhet ta rindërtojmë prapë, duke vuajtur e duke u lumturuar vetëm këtu, sepse kemi “Veç një Atdhe!”.
Fjala e plotë e kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi:
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar,
Të nderuar kandidatë,
Në këto kohë të turbullta që po kalon shqiptaria, sllogani ynë elektoral ma merr mendja është më i gjeturi, më kuptimploti:
Veç një Atdhe!
Kjo është motoja e fushatës sonë. Duket e thjeshtë, por është kuptimplotë. Ne nuk kemi një Atdhe rezervë.
Veç një Atdhe!
Ne nuk kemi dy që njërin ta bëjmë copash dhe tjetrin ta mbajmë për të jetuar.
Meqë e shohim në rrezik atdheun kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët, kemi vendosur ta ngrejmë atë në lartësinë jo të Olimpit, por të Orakullit të Dodonës.
Këtë Atdhe që po e lodhin të marrët, ne duam ta çmojmë akoma dhe më shumë, jo duke ia mbathur, por duke qëndruar këtu dhe luftuar.
Kjo është motoja e fushatës sonë. Duket e thjeshtë, por është kuptimplotë. Ne nuk kemi një Atdhe rezervë.
Do më thoni a kanë të tjerët? Fatkeqësisht, po!
Në Kuvendin e Shqipërisë dhe në elitën politike, ka shumë njerëz që kanë më shumë se një shtetësi; që kanë një plan B jashtë Shqipërisë, nëse këtu nuk arrijnë të milkojnë me anë të pushtetit pasurinë e tyre.
Në politikën shqiptare kemi parë raste se si deputetë lënë mandatin, pse nuk bëhen ministra dhe arratisen në atdheun e tyre të dytë. Mirëpo, ky realitet i shëmtuar nuk përputhet me shqiptarët.
Ne nuk kemi Atdhe tjetër dhe po prishëm këtë që kemi, do të duhet ta rindërtojmë prapë, duke vuajtur e duke u lumturuar në këtë Atdhe!
Këtë e themi përsëpari ne, shqiptarët e Çamërisë, që lamë vatanin, sepse kishim vetëm këtë Atdhe: Shqipërinë!
Përballë këtij realiteti kemi klasën politike që po luan ping-pong me shpresat e shqiptarëve. As shah e as poker, ping-pong, të cilat nuk dinë as t’i luajnë. Por, edhe nëse do të ishte shah e poker, nuk di të ketë gjë më të rëndë sesa të quash të ardhmen e atdheut një lojë mendjeje apo bllofi! Nuk di të ketë gjë më të rëndë sesa të konsiderosh Atdheun lojë!
Vetëm nëse nuk ke veç këtë Atdhe, por ke një atdhe rezervë, për ditë halli! Për t’i dhënë përgjigjen e merituar partive të mëdha, ndaj kësaj që i bëjnë Atdheut tonë të vetëm, sot, në këtë vend, kjo politikë e konfliktualitetit ka vrarë shpresat që me aq mund u krijuan.
Nëse në vitet ‘90-2000, emigracioni ishte një urë kalimi për të mundësuar rikthimin e begatë në Shqipëri, sot vala emigruese është krejt tjetër.
Organizata e Kombeve të Bashkuara parashikon që në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 1.7 milionë shqiptarë, nga 4 milionë që ishim në vitin 1990.
Kjo është pasoja e kësaj politike konfliktuale nga të gjithë ata që e shohin Shqipërinë, një vend për t’u pasuruar, pavarësisht se si do të përfundojë vendi.
Një vend që është vendi, ku ata jetojnë, por jo ku do të jetojnë fëmijët e tyre që me pasurinë e prindërve, do të kenë atdheun e dytë.
Fatet dhe shpresat e shqiptarëve që Zoti i ka vënë në një tokë të begatë nuk mund të jenë skakierë e lojërave politike, sado të sofistikuara të jenë ato, sado lojtarë të zote të duken.
Nuk duhet të harrojmë që kemi veç një atdhe një atdhe që e kemi bashkë si në kalin e pushtetit dhe kur ecim në këmbë në opozitë.
Këtë atdhe që po e lodhin të marrët, ne duam ta çmojmë akoma dhe më shumë, jo duke ja mbathur, por duke qëndruar këtu dhe duke luftuar për të kthyer shpresën tek shqiptarët.
Të nderuar miq,
Sot, Shqipëria është në një skenë ballkanike të rrezikshme. Greqia është agressive më shumë se kurrë.
Maqedonia po tenton që konfliktin e vetë ta eksternalizojë drejt shqiptarëve.
Serbia po tenton të rikthehet në Kosovë. Rusia, si 100 vjet më parë, po fut rrënjët sërish në Ballkan. Është koha të pyesim veten: po ne ç’po bëjmë?
Si po e përballojmë këtë rrezik?
Fatkeqësisht, përgjigja është e qartë: ne po zihemi për mustaqet e shkulura të politikës shqiptare, duke rrezikuar që edhe një herë të jemi të papërgatitur për sfidat e mëdha kombëtare.
Këto sfida, duan një zë të fortë në Kuvend dhe e vetmja forcë që ka treguar se nuk bën kompromis me Shqipërinë, është PDIU!
Veç një Atdhe, që frymon si përgjegjësi kushtetuese dhe për fatet e shqiptarëve në Maqedoni, ku shqiptarët janë element shtetformues e të drejtat e tyre kombëtare janë në themel të një Maqedonie stabël dhe europiane.
E jo të një Maqedonie, ku banditët sulmojnë ligjvënësit.
E përshëndesim sërish Ziadin Selën, por së bashku me të gjithë klasën politike të atjeshme dhe kemi shumë shpresë që do jenë qëndrestarë, derisa paqja të vijë në vendin e tyre, ku ata janë shtetformues.
Nëse nuk duan t’i pranojnë vetëm kështu dhe kurrë ndryshe, ne nuk do t’i lëmë vetëm.
Ne politikanët e tjerë shqiptarë duhet të marrim shembull nga kolegët tanë të Tetovës dhe Shkupit, të cilët gjetën forcë të dalin mbi mëritë personale, mbi dasitë dhe të bashkohen, vetëm me një qëllim, Atdheun, sepse ne të gjithë kemi:
Veç një Atdhe!
Ata u bashkuan dhe kjo është forcat e tyre.
Kjo duhet të ndodhte edhe në Tiranë, por duket jemi ende shumë kryeneçë për të pranuar kundërshtarin, thua se ai është hasëm dhe jo shqiptar.
E urojmë për detyrën e lartë zotin Talat Xhaferri dhe i themi që tek PDIU-ja nuk do të gjejë vetëm mbështetës të shqiptarisë, por do të gjejë strehën e vërtetë të patriotëve.
Kosova ashtu si dhe Shqipëria po shkon drejt një procesi zgjedhor të komplikuar, por një këshillë mund ta çojmë në Prishtinë: mos ngjasoni me Tiranën.
Mëria personale është shkrepsja më e mirë për fitilin e vëllavrasjes. Në Shqipëri po luajmë në tehun e thikës dhe në këtë lojë nuk ka asnjëherë fitues, por humbësit janë veç qytetarët e thjeshtë, ata që ne politikanët i quajmë popull.
Megjithatë, kthimi në shtëpi i mikut tonë Ramush Haradinaj ishte një kumt i shkëlqyer, jo vetëm për atë personalisht, familjen e tij, Partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por për të gjithë ne shqiptarët. Është një tjetër betejë e rëndësishme e fituar, por që na mëson se udha e patriotit që frymon vetëm për Kombin është e mbushur me kurthe, pabesira, vështirësi të pamenduara, ndaj çdo fitore e këtillë është e çmuar si diamant.
Prandaj vlen përherë edhe në Kosovë fjala:
Veç një Atdhe!
Çamëria është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes politike të fqinjëve tonë arkaikë, të Greqisë. Klasa politike e Tiranës po kërcënohet sërish me Çamërinë si monedhë shkëmbimi. Në drejtim të fituesëve të pritshëm të votimeve të 18 qershorit po vijnë sinjale kërcënuese në lidhje më këtë Çështje.
Por, ne jemi te vendosur më shumë se kurë për ta zgjidhur këtë Çështje me dialog e me drejtësi europiane, pa ndryshim kufinjsh, por me vendosmëri për të zgjidhur padrejtësitë historike që rëndojnë sot e kësaj dite mbi shqiptarët e Çamërisë.
Dua t’i kujtoj kujdo votën e deputetëve të PDIU-së për dy bashki me shumicë minoritare në reformën administrative.
Dua t’i kujtoj kujdo bashkëjetesën e shkëlqyer të çamëve dhe minoritarëve në Bashkinë e Konispolit që drejtohet nga një çam e që është shembulli më i mirë për hijet e arrogancës e uniformat laramane që bëjnë tigrin prej letre matanë kufirit.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe kandidatë të PDIU-së në këto zgjedhje,
Zgjedhjet e 18 Qershorit janë të pazakonta, janë produkt krejt i shëmtuar i konfliktaualitetit të instaluar në këto 27 vjet në politikën shqiptare, por veçanërisht i ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, ku jeta politike u bazua në ligjin e xhunglës…
Dilemma është se për kë do të votojnë shqiptarët dhe nëse kjo ditë do të jetë një tjetër stacion i një krize të gjatë që s’simë, kur do mbarojë…
Ky sistem politik nuk mund të prodhonte tjetër veç kaosit, ku logjika e thjeshtë njerëzore nuk hyn dot. Ky sistem, në të cilin ligji zgjedhor është një mamuth që përpin votat e partive për llogari vetëm të dy forcave politike, mbahet në këmbë falë një deformimi të vullnetit zgjedhor të shqiptarëve.
Ndaj ky sistem do të sillte vetëm konflikt, përplasje që urojmë të mos jëne kapilare në shoqërinë shqiptare.
Ne bëmë gjithçka në këtë kohë në lidhje me ndryshimin e ligjit zgjedhor për të garantuar vendosjen e barazisë dhe transparencës së votës.
Ne bëmë gjithçka që mundëm për të arritur në një marëveshje politike që këto zgjedhje të ishin normale për një vend kandidat i BE-së.
Jemi e vetmja forcë politike që propozuam një Pakt Kombëtar për të dalë nga tuneli i krizës, ku të gjitha palët ishin darkod, kurse ndërkombëtarët e përsëriten këtë Pakt me të vetmin ndryshim se e thanë në anglisht e jo në shqip.
PDIU ishte e vetmja forcë politike që i kërkoi kreut të Shtetit tryezën e partive politike parlamentare. Por, nuk u gjet vullneti për këtë, por u kënaq vetëm me thirrjen e dy të ashtuquajturve të “mëdhenj”.
Mirë bëri, por nuk mund ta zgjidhnin krizën vetëm ata që janë përgjegjësit kryesorë të plazmimit të saj. Nga ky ngërç dalim vetëm nëse ka një Pakt Komëbtar.
Ndaj në këto kushte PDIU duhet të vendoste ndërmjet ligjshmërisë apo daljes nga sistemi duke braktisur zgjedhësit.
PDIU zgjodhi para tollovisë përgjegjshmërinë e pse jo të përfaqësojmë në këto zgjedhje dhe ata që nuk e gjejnë veten të përfaqesuar politikisht, ndaj unë u bëj thirrje t’i bashkohen PDIU-së.
Zgjedhjet nuk janë për partitë, nuk janë për llogoret e ndara për të marrë kolltukun e radhës dhe për ta trajtuar Shqipërinë si një plaçkë lufte për t’u ndarë. Zgjedhjet janë për shqiptarët që e shohin Shqipërinë si vendin e tyre të vetëm. Për këdo që thotë bashkë me ne se kemi Veç një Atdhe!
Ne nuk kemi tjetër! Prandaj, nuk kemi dilema, nëse do të hynim në zgjedhje, jo sepse e përcakton dekreti i Presidentit e Kushtetuta, jo sepse e duam të paraqesim program e ide, por për një arsye më të thjeshtë: për t’i dhënë mundësinë shqiptarëve të votojnë për një parti, e cila nuk e ka shtuar kurrë konfliktualitetin, por ka qenë përherë në ballë të betejës për kompromis në të mirë të Shqipërisë!
Ne hymë në zgjedhje për cilindo shqiptar që nuk e ndjen veten të përfaqësuar nga elita e sotme; për këdo që pret llotarinë amerikane, mikun që i mundëson kalimin ilegal përtej detit, kartën që i mundëson azil në një vend tjetër.
Ne hymë në këto zgjedhje, sepse ka ardhur çasti të themi boll më! Ne nuk kemi një Shqipëri të dytë që t’ja falim eksperimenteve të radhës, por duam Shqipërinë ku ëndërrojmë të jetojnë fëmijëve tanë.
Njëzeteshtatë vite më parë, isha dhe unë në vrullin e studentëve që u çuan kundër regjimit të kaluar, për të kërkuar të drejtën e votës së lirë dhe për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Sot, të gjithë jemi të bindur që me këto lojëra politike, as nuk kemi gojë të kërkojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian.
Por, kemi ama, të drejtën e Zotit, të kërkojmë që zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet të jenë përgjigja e qytetarëve shqiptarë, sepse ne ende duam ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, siç brohoriste rinia e atyre viteve, dhe këtë, më besoni, e kemi në dorë.
E kemi në dorë, që të mos rrimë në shtëpi në zgjedhjet e ardhshme.
Të mos qëndrojmë apatik, se kështu e tha njëri apo tjetri.
Të mos votojmë si delet që rreshtohen për t’u therrur përpara kasapit, por të votojmë me zemër, për programin dhe bilancin.
Për ato që partitë kanë bërë dhe besimin që kemi te ato që do bëjnë.
Këtu jemi, në sheshin e garës qytetare zgjedhore, me bilanc dhe me program.
Këtu është PDIU, partia që ka qenë gjithnjë për kompromis, partia që detyroi politikën shqiptare të fliste për Çështjen Kombëtare dhe për Çështjen Çame si asnjëherë më parë. Që i bëri partitë të detyroheshin të flisnin, jo vetëm për interesin e tyre të ngushtë, por për ato që shqiptarët kërkojnë. Dhe prandaj, dalim në zgjedhje ballëlartë, sepse kemi çfarë të themi dhe ku të përqëndrohemi.
Ne jemi partia e kauzave të mëdha. Nuk kemi pasur kurrë ministër, nuk kemi asnjë punësim të vetëm në gjysmën e Shqipërisë. Por, i kemi marrë politikës, shumë më shumë se kaq. I kemi marrë fjalën për çështjet e mëdha të kombit.
Dhe kjo është sfida që u japim shqiptarëve: do të votoni për ata që bëjnë gjithçka për pushtetin duke rrezikuar Atdheun, apo do të votoni ata që mbijetojnë, sepse kanë zemër për Shqipërinë dhe nuk e këmbejnë carta bianca me pushtetin?
Do të votoni për ata që kur të lënë politikën, do të rendin në Perëndim për të ngrysur jetën e tyre, fëmijëve dhe nipërve, apo do të votoni për ata që nuk kanë një Atdhe të dytë?
Ne kemi veç një atdhe! Çdo shqiptar i vërtetë ka veç një atdhe!
Ky është çasti që ta vërtetojmë. Jo duke u strukur, por duke folur. Duke shkuar në çdo shtëpi, me programin dhe bilancin tonë, për të kërkuar që të mbështesin jo ne, por veten e tyre. Të ngjashmit e tyre, ata që nuk këmbejnë Shqipërinë me asgjë që nuk kanë plan b, veç këtij vendi, që nuk kanë një shpresë përveç ndërtimit të vendit tonë.
Këto sfida, duan një zë të fortë në Kuvend dhe e vetmja forcë që ka treguar se nuk bën kompromis me Shqipërinë, është PDIU!
Zgjedhjet e vitit 2017 janë një sfidë kombëtare, që kërkojnë besimin e qytetarëve shqiptarë, jo ndaj forcave politike, por ndaj Atdheut tonë.
Për të ndaluar hemoragjinë e emigracionit, varfërinë dhe cungimin e Atdheut, PDIU paraqet një program të plotë elektoral, duke kërkuar që sot, të arrijmë një Pakt Kombëtar për Shqipërinë.
Në këto zgjedhje, në preambulën e programit ne vijmë me një dekalog, një betim, për të thënë se ne kemi Veç Një Atdhe dhe gjithçka që na ndan, është e parëndësishme, para asaj që na bashkon, përpara Shqipërisë:
- Kemi vetëm një Atdhe, nga Preveza në Mollë të Kuqe, që na bën të gjithë shqiptarë, pa dallime politike, krahinore, fetare e prejardhjeje.
- Kemi një zë për bashkimin kombëtar dhe për Çështjen Çame, aspirata të kahershme të kombit tonë.
- Kemi nevojë për një Pakt Kombëtar për të ndërtuar një Shqipëri të drejtë, të konsoliduar e kombëtariste, me siguri të plotë kombëtare, me solidaritet ndaj atyre që kanë nevojë.
- Kemi nevojë të sigurojmë vazhdimësinë kombëtare, duke ndihmuar ekonomikisht familjet me më shumë se dy fëmijë, për të ndaluar rrudhjen e Shqipërisë.
- Kemi nevojë për një Pakt Kombëtar për një ekonomi që nuk u shërben të huajve e as të paktëve, por i shërben prodhuesit dhe qytetarit shqiptar.
- Kemi nevojë për një Pakt Kombëtar që bashkon ekonominë e trevave shqiptare, për të shtuar së paku 100 mijë vende pune dhe për të krijuar parakushtet e bashkimit kombëtar.
- Kemi nevojë për një Pakt Kombëtar, që diaspora është pjesë e pandashme e shqiptarisë dhe duhet të ketë vëmendjen e plotë të shtetit shqiptar.
- Kemi nevojë për një Pakt Kombëtar për integrimin europian, uljen e konfliktualitetit të brendshëm politik dhe zbatimin e ndërsjellësisëme fqinjët tanë.
- Kemi nevojë për një Pakt Kombëtar për t’u shkëputur nga e kaluara, për të mbyllur kapitullin e regjimit komunist, duke zgjidhur çështjen e pronave dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.
- Kemi nevojë për një Atdhe që i mëshon arsimit, kulturës, rinisë, shëndetësisë dhe mjedisit, për të rritur mirëqenien e çdo shqiptari dhe për të rritur shpresën e brezave në vijim.
Këtë besim do t’u prezantojmë shqiptarëve, nëpërmjet një programi të plotë që do të kemi mundësi ta prezantojmë në një fushatë të cunguar dhe anormale. Mirëpo, në këto periudha dallohet atdhedashuria e çdo shqiptari, për t’i dhënë fund marrëzisë dhe për t’u bashkuar, në një zë të vetëm:
Ne kemi Veç Një Atdhe!
Numri pesë, është sfida e çdo shqiptari!
Zoti i ruajt shqiptarët!