Nga Artan Fuga
Ja se çfarë gjeti në vitin 2007, kontrolli në institutet e albanologjisë, pikërisht kur ata ishin sipas formës sovjetiko-sllave, nën Akademinë e sklerotizuar të asaj kohe, model i dështuar, që edhe sot vazhdon po aq jashtë funksionit që i paracakton ligji dhe statuti i saj si edhe koha.
Pjesë nga raporti
….
- Konstatime paraprake
2.1. Struktura e instituteve
Aktualisht, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, Qendrës do t’i bashkangjiten :
Instituti i Arkeologjisë,
Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë,
Instituti i Kulturës Popullore,
Instituti i Historisë,
Qendra Enciklopedike Shqiptare,
Qendra e Studimit të Arteve.
…
Të shpërndarë në struktura të ndryshme, atje përfshihen: 193 punonjës, prej të cilëve :
-94 punonjës shkencorë (kërkues)
-65 punonjës asistentë apo laborantë
-34 punonjës të administratës, roje, pastrues, etj.
Në këtë kuadër dalin nëntë revista shkencore, nga të cilat tetë në nivel institutesh dhe një është botuar si periodik i Akademisë së Shkencave.
2.2. Drejtimet e punës kërkimore sipas instituteve
…
2.3. Financimi
Financimi i Instituteve bëhet sipas një logjike buxhetore nga ana e fondit të dhënë për sistemin e Akademisë së Shkencave.
Shpenzimet kryesore i zënë ato zëra që mbulojnë pagat e punonjësve, si edhe shpenzimet e funksionimit, të investimeve, të mirëmbajtjes së ndërtesave, në raste të caktuara të pagesave të qirave të disa lokaleve të instituteve dhe të anekseve të tyre.
Veç pagës, kërkuesit shkencorë, sipas rastit, përfitojnë edhe honorare të ardhura nga të drejtat e tyre të autorit.
Shpërndarja e burimeve financiare sipas çdo instituti është bërë përgjithësisht në mënyrë të përqendruar nga ana e Akademisë së Shkencave, ndërsa më pas, administrimi i këtyre të ardhurave është bërë në mënyrë autonome nga çdo institut.
Në raste të veçanta, sikurse është ai i Institutit të Kulturës Popullore, është përfituar edhe nga ndihma e dhurata prej subjekteve të huaja akorduar në të mirë të shkencës shqiptare.
Rasti i Institutit Arkeologjik është i veçantë, sepse aty ka financime për ekspedita nga subjekte financiare të huaja.
…
2.5. Probleme
Sikurse ka konstatuar më parë edhe Grupi i Ekspertëve, në strukturimi dhe funksionimin e instituteve në fjalë ka ardhur koha që të gjenden ato forma efikase punë që krahas ruajtjes së arritjeve më të mira të tyre, të përballohen edhe disa mungesa e vështirësi, sikurse edhe të bëhen ato ndryshime që t’iu lejojnë atyre të vijnë gradualisht në parametrat e sotme të shkencës europiane e botërore.
Të konceptuara thjesht dhe kryesisht si shkenca albanologjike, ato kërkime shkencore që janë bërë dhe strategjitë e tyre janë orientuar më shumë drejt zbulesës së identitetit shqiptar sesa drejt shqyrtimit të marrëdhënieve shoqërore të qytetërimit të tonë në rrafshin historik dhe aktual.
Si të tilla, ato më shumë janë konceptuar si shkenca humane me një profil të theksuar historik sesa janë zhvilluar në fushë të kërkimit të shkencave shoqërore.
Pikërisht për këtë arsye, për rrjedhojë, në rrjetin e këtyre instituteve nuk janë integruar kërkime aktuale në fushën e jurisprudencës, të filozofisë, të sociologjisë, të ekonomisë dhe të mediave.
Për pasojë, siç kuptohet, tematika e kërkimit ka mbetur kryesisht historike dhe nuk ka mundur të përfshijë çështje të aktualitetit dhe të perspektiva të shoqërisë shqiptare dhe të botës shqiptare në përgjithësi. Si shembull, japim faktin se Instituti i Studimeve Ekonomike ka mbetur prej kohësh vetëm me një punonjës shkencor të paguar me kohë të plotë pune.
Ndihet që në mënyrat e financimit, buxheti shkon kryesisht te pagat mujore të punonjësve ose në investime në ndërtime fizike, çka është një mënyrë e pamjaftueshme, burokratike dhe shumë e ngurtë e financimit të shkencës dhe kërkimeve në fushën e shkencave shoqërore.
Praktika mbizotëruese është që gjithçka në financim të pritet nga shteti dhe vetëm nga ai duke u justifikuar me idenë se në këto shkenca nuk ka shumë vend për rentabilitet financiar sakohë që bëhet fjalë për vlerat tona kombëtare, për të cilat duhet financuar pa pretenduar gjithmonë që ato të hyjnë në një qarkullim në formë tregu idesh, arritjesh intelektuale, botimesh dhe shërbimesh.
Në institute si ai i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i Kulturës Popullore, dëshmohet se ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që nuk financohen, për mungesë fondesh, ekspedita në terren që kanë të bëjnë më pasurimin e burimeve të kërkimit shkencor. Në Institutin e Arkeologjisë kjo gjë është bërë e mundur falë bashkëpunimit me qendra të tjera të interesuara për kërkime arkeologjike. Parë në këtë këndvështrim, si pasojë e financimeve të munguara nga ana e Akademisë së Shkencave, është çekuilibruar në mënyrë të ndjeshme raporti midis mbledhjes, ruajtjes dhe studimit të pasurive burimore.
Mungesa e ekspeditave kolektive, ka bërë që të ndihet një farë stagnacioni në rinovimin e objektit të punës dhe të kërkimit shkencor. Ndërkaq, sikurse rezulton ka edhe vështirësi në pagimin e honorareve të bashkëpunëtorëve, praktikë e cila në ndonjë rast është ndërprerë fare.
Ndihen vështirësi serioze sidomos në rekrutimin, kualifikimin dhe stabilitetin demografik të kërkuesve shkencore me moshë relativisht të re ose mesatare. Kjo vjen edhe si pasojë e largimeve të një pjese prej tyre duke braktisur edhe profesionin e punonjësit shkencor, si edhe në vështirësitë për të rekrutuar të rinj pas specializimeve të bëra brenda ose jashtë shtetit. Mbi këtë bazë ka edhe një lloj plakjeje që vihet re edhe nga hierarkia e moshave të punonjësve shkencorë. Nga 31 punonjës shkencorë vetëm 7 prej tyre janë nën moshën 40 vjeç në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsië. Nga 17 punonjë shkencorë në Institutin e Kulturës Popullore, vetëm 9 syresh janë në moshën 40 vjeç. Nga 17 punonjës shkencorë në Institutin e Historisë, vetëm 4 prej tyre janë nën moshën 40 vjeç. Më mirë paraqitet gjendja në Institutin e Arkeologjisë. Por, në përgjithësi mbetet problem i mprehtë rinovimi i specialistëve të shkencave albanologjike, gjë që do të thotë se ekziston rreziku i humbjes së specialistëve të zotë dhe me nivel në këto fusha.
Janë në nivele të ulëta bashkëpunimet me qendrat e huaja, perëndimore, shkencore. Kjo duket në mënyrë të spikatur sidomos në disa institute ku bashkëpunimi me jashtë është shumë sporadik dhe fare i rrallë e që shpesh kufizohet vetëm në formën e një bashkëpunimi me qendra studimore të hapësirës shqiptare.
Edhe informacioni shkencor që hyn në bibliotekat e instituteve është i rrallë. Botimet e sotme në fushë të shkencave shoqërore dhe humane perëndimore rrallë hyjnë në fondin bibliotekar të instituteve. Sikurse na është thënë nga drejtues të ndryshëm të instituteve edhe pjesëmarrja në kolokiume, konferenca shkencore dhe veprimtari të tjera kërkuese mbetet e rrallë.
Vështirësitë financiare dhe organizative ndjehen edhe në mirëmbajtjen e fondeve dhe të arkivave, të cilat shpesh ndodhen në kushte të vështira ruajtjeje dhe konservimi.
Finaliteti i kërkimit shkencor njeh edhe ai shumë vështirësi serioze. Në gjuhë të huaja botohen vetëm pjesërisht artikuj të ndyshëm shkencorë. Botimet në shqip nuk kanë përkthime në gjuhë të huaj.
Lidhja me publikun e autorëve-punonjës shkencorë është e zbehtë. Shitja e revistave është tepër e vakët. Kurse pjesëmarrja e kërkuesve shkencorë në debatin publik dhe në media përgjithësisht ka qenë e vakët.
Bashkëpunimi ndërdisiplinor midis departamenteve dhe sidomos midis instituteve pothuajse mungon. Në këtë gjendje është edhe puna shkencore kolektive. Tematika është e fragmentarizuar në përgjithësi sipas planeve të punës individuale.
Tema historike është mbisunduese ndërkohë kur dihet se pasuritë tona kulturore kombëtare nuk përbëjnë vetëm një sfond historik, por edhe një vazhdimësi në kushtet aktuale. Sjellja në vëmendje e historisë së kulturës në funksion të ndriçimit gjithnjë e më të mirë të aktualitetit mbetet një detyrë e rëndësishme.
Institutet janë konceptuar sikur kanë për detyrë të mbulojnë në mënyrë ekskluzive të gjithë problematikën e temave të disiplinës përkatëse. Ata nuk kanë specifika brenda tyre, por orientohen për të mbuluar të gjithë fushën e kërkimit. Kjo mund të kishte kuptim në kohën e shoqërisë së kaluar, ku kërkimi shkencor dhe pedagogjia universitare e shkencave shoqërore dhe humane ka qenë e centralizuar dhe monopol i Akademisë së Shkencave, por nuk duket se është në përputhje me përvoja të sotme perëndimore dhe me kushtet e sotme, ku në fushën e kërkimit dhe të mësimdhënies në lëmin e shkencave shoqërore dhe humane veç sektorit publik të deçentralizuar, vepron edhe sektori privat si edhe qendrat studimore në formën e OJF-ve.