Katër anëtarë të dy grupeve të organizuara kriminale, mes tyre dy shqiptarë, Elton Hallaçi, 32 vjeç, dhe Artur Iseberi, 27 vjeç, janë dënuar në Britaninë e Madhe për një operacion kontrabande kokaine që përfshinte Aeroportin e Mançesterit. Bashkë me ta u përfshinë edhe britanikët Dale Hosker, 49 vjeç, dhe Dale Creen, 35 vjeç. Gjykata dënoi Hallaçin me 21 vite e 7 muaj burg, Iseberin me 18 vite burg, Creen me 11 vite, ndërsa dënimi për Hosker do të jepet më 1 qershor 2026. Hetimet e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) zbuluan se katër të dënuarit merrnin ngarkesat e kokainës nga korrierë amerikanë që mbërrinin nga Kankuni i Meksikës dhe i shpërndanin më pas në rrjetet kriminale në të gjithë Britaninë.
Sipas hetimeve, më maj 2024, tetë valixhe me kokainë mbërritën në Aeroportin e Mançesterit, secila me pako nga një kilogram, ndërsa grupi shqiptar kontrolloi rreth 100 kilogramë të kësaj ngarkese. Më 31 maj 2024 u zbuluan 300 kilogramë kokainë me pastërti të lartë, me vlerë rreth 24 milionë paund, futur në Britani përmes 12 valixheve. Gjatë kontrollit në banesën e Elton Hallaçit u gjet një automjet Jaguar me hapësirë të fshehtë profesionale për transport droge, si dhe blloqe shënimesh me udhëzime për importin e drogës në gjuhën shqipe, me gjurmë gishtash të Hallaçit dhe Iseberit.
Pamjet e kamerave të sigurisë dokumentuan lëvizjet e katër të dënuarve gjatë operacioneve të kontrabandës, ndërsa në momentin e arrestimit, Artur Iseberi tentoi të arratisej duke dalë në çatinë e banesës së tij. Në dhomën e Dale Creen u gjet një thikë dhe një hanxhar. Hallaçi, Iseberi dhe Hosker pranuan fajësinë për kontrabandë dhe posedim droge me qëllim shpërndarjen, ndërsa Creen u shpall fajtor vetëm për posedim me qëllim shpërndarje dhe i pafajshëm për kontrabandë.










