Delegacioni i BE ka përgëzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shpallur ligjin e Vettingut në përputhje me Kushtetutën shqiptare. Bashkimi Europian inkurajon autoritetet shqiptare të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Bashkimi Evropian i kushton vëmendje të veçantë vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e ligjit të vetingut në përputhje me kushtetutën e Shqipërisë. BE-ja i inkurajon autoritetet shqiptare të nisin me shpejtësi zbatimin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo është thelbësore për përparimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe është pritur gjatë nga qytetarët shqiptarë. Komisioni Evropian do ta mbështesë Shqipërinë për kryerjen e një procesi vetingu tërësor dhe të besueshëm, duke udhëhequr Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.
Nga ana tjetër Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i bëri thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës. Ajo gjithashtu nëpërmjet një deklarate nxiti udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë
“Ambasada e SHBA në Tiranë mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e vetingut. I bëjmë thirrje të gjitha partive politike të respektojnë vendimin e Gjykatës. Gjithashtu, nxisim udhëheqësit shqiptarë të punojnë me shpejtësi për të zbatuar të gjitha reformat historike të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.Një reformë kuptimplotë që i largon gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor gëzon mbështetjen e publikut të gjerë dhe është një prioritet kryesor i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri”shkruhej në deklaratë.