Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

May mbron marrëveshjen e “Brexit”-it: Më e mira për vendin tim

Nga Klodiana 0

Kryeministrja britanike, Theresa May ka mbrojtur pasditen e kësaj të enjteje draftin e marrëveshjes për “Brexit”-in, të arritur një ditë më parë mes negociatorëve britanikë e europianë, pavarësisht një “lumi” kritikash nga disa prej anëtarëve të Partisë së saj Konservatore.

“Besoj me çdo qelizë të qenies sime se, kursi që kam përcaktuar është i duhuri për vendin tim”, tha ndër të tjera May, gjatë një konference nga ambientet e “Downing Street”.

“Që prej fillimeve të para e kam ditur çfarë kam dashur të siguroj për popullin britanik, të nderoj votën e tyre në referendum. Që do të thotë kontroll të plotë të kufijve tanë, duke i dhënë fund lëvizjes së lirë të qytetarëve njëherë e përgjithmonë; kontroll të plotë të parave tona, kështu ne do të mund të vendosim vet sesi do t’i shpenzojmë ato në prioritete si Sistemi Kombëtar Shëndetësor; kontroll të plotë të ligjeve tona, duke i dhënë fund juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar; daljen tonë nga politikat e përbashkëta të agrikulturës dhe politikat e përbashkëta të peshkimit. Kjo është ekzaktësisht çfarë ofron marrëveshja e arritur prej nesh. Fund lëvizjes së lirë, ndalim të shpërdorimit të pagesave të përvitshme, fund i juridiksionit të ECJ-së… Ky është pikërisht ‘Brexit’-i që nderon prioritetet e popullit britanik”, tha Theresa May.

May përjashtoi për të disatën herë mundësinë e mbajtjes së një referendumi të dytë për “Brexit”-in, pavarësisht thirrjes nga disa deputetë, të cilët thonë se marrëveshja e divorcit e saj me BE-në ka për të përfunduar keq. “Për sa i përket ndërgjegjes sime, nuk ka për të pasur një referendum të dytë”, theksoi May në konferencë.

E pyetur nga reporterët e pranishëm se, përse nuk ka emëruar asnjë ministër në kabinet, për të zëvendësuar të larguarit e fundit, May ka theksuar se ka pasur një ditë tejet të ngarkuar, për shkak të 3 orëve të kaluara në Dhomën e Komunëve.

“Sjellja ime, prej fillimit ka qenë të vendos interesin kombëtar përpara interesave të njërës palë apo interesat e mia politike. Nuk kam pse t’i gjykoj ashpër interesat e kolegëve të mi, të cilët donin të bënin të njëjtën gjë, por arritën në konkluzione të ndryshme. Ata duhet të bëjnë atë që besojnë se është më e drejtë për ta, pikërisht siç po bëj unë. Më vjen keq që zgjodhën të largohen nga qeveria dhe dua t’i falënderoj për çfarë ofruan. Por, besoj me të gjithë qenien time se kursi që po ndjek është më i miri për vendin tim dhe për popullin tim”, deklaroi May.

 

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej