Në festën e 1 qershorit në Durrës do të lëshoheshin 2 mijë copë tullumbace nga Sheshi “Liria”. Fëmijët festuan si gjithnjë me këngë e valle, piktura, lojëra, në kopshte e shkolla. Por, tek sheshi nuk pati tullumbace. As kllonë, DJ, animatorë, as pemë 2D. Vetëm disa zbukurime të vjetra.

Tullumbacet dhe dekoret kushtojnë jo pak, por 54 milionë lekë dhe i shfryu korrupsioni para festës.
Kjo është tabela me shpenzimet që do të bëheshin për 1 Qershorin. 

Bashkë me një baner të madh, 40 elemente dekorues do të zbukuronin Sheshin “Liria” më 1 Qershor 2026.
Do të kishte edhe instalacione në forma “Origami’! Ndërsa tullumbacet e loguara të mbushura me helium, në vend që të gëzonin fëmijët, përfunduan në “gjyqin” për tenderin e Bashkisë Durrës.
Nëse do ta dinin, pyetja e mbushur me zemërim e fëmijëve, do të ishte: Kush na i mori tullumbacet?
Personazhet janë Alion Hysko, drejtor i Ndërmarrjes së Rrugëve në Bashkinë Durrës, Fiorent Zguro, nënkryetar i KPP, Anila Malaj dhe Gjergji Mersini, anëtarë të KPP.
Sigurisht, që festa u zhvillua. Në Durrës është bërë traditë që pasditen e 1 qershorit fëmijët mblidhen në këtë shesh. Aktivitetet zhvillohen me fondet e bashkisë, por edhe të donatorëve dhe kompanive private.
Në këtë rrëmujë të festës përfiton Alion Hysko.

Drejtori është krahu i djathtë i kryebashkiakes Emiriana Sako, por është edhe koordinator i PS-së. Dyshohet se Hysko e ka bërë tenderin për festën e 1 qershorit fiktivisht për të favorizuar një kompani eventesh. Plani u prish, pasi njëri nga pjesëmarrësit në tender, i pakënaqur se paratë po shkonin në duar të tjera, ka denoncuar në KPP dhe ka kërkuar anulimin e “pazarit”.
Në datën 5 maj 2026, është publikuar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike, procedura e prokurimit me objekt “Blerje dekorime-furnizim dhe vendosje për festat e 1 qershorit (zbukurime dhe shërbime argëtimi), kampionati botëror i futbollit, flamuj kombëtar, tetori roze si dhe festa të ngjashme lokale” me fond limit: 5,392,000 Lekë të reja pa TVSH.
Data për t’u zhvilluar tenderi ishte caktuar më 15 maj 2026. Duke parë këto afate të ngushta mendja të shkon në dy gjëra që fshihen: Ose këto furnizime nuk do të bëhen dhe paratë ndahen, ose fituesi është i paracaktuar dhe procedura bëhet thjesht për qenë në rregull me letrat.
Në datë 11 maj 2026, operatori ekonomik “Optima
Communication” ShPK, ka dorëzuar një ankesë ku kërkon modifikimin e dokumenteve të procedurës së prokurimit. Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) e ka publikuar pas disa ditësh ankimuesin dhe kërkesat e tij.

Ndërkaq, në datë 18 maj 2026, Bashkia Durrës do ta njoftonte KPP se e ka shqyrtuar dhe pranuar ankesën e kompanisë “Optima Communication” ShPK. Por nuk mbyllet me kaq. Kutia e Pandorës ishte hapur tashmë.
Më 21 maj 2026, kompania dërgon një shkresë me argumente mbi kërkesat për sqarime në lidhje me disa pika të ankesës trajtuar me vendimin komisionit të ankesave në Bashkisë Durrës.
KPP mori në shqyrtim ankesën dhe konstatoi se kërkesa për ndryshim të dokumneteve lidhej ndër të tjera me afatin e ngushtë.

“Sot në date 11 maj 2026, Bashkia Durrës ka publikuar një shtojcë me ndryshime të kritereve ku ka përcaktuar datën e re të zhvillimit të procedurës 22 maj 2026. Grupi i parë prej 8 produktesh janë të destinuar për festën e 1 Qershorit”, përshkruan rrethanat ankimuesi.
Data e procedurës tashmë ishte vendosur 22 maj 2025. Edhe sikur brenda ditës të shpallte klasifikimin komisioni i Alion Hyskos, do t’i duhej të priste dorëzimin e dokumenteve shkresore nga operatori ekonomik i renditur i pari, që i binte të ishte 25 maj 2026. Më tej, pas vlerësimit të dokumenteve bëhet upload-imi i njoftimit paraprak të fituesit (në rastin më të mirë, nëse nuk do të ketë skualifikim të operatorit dhe nuk do te kalohet tek pjesëmarrësi i renditur i dyti). Fituesi shpallet nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ditën e nesërme të punës (në rastin më të mirë, nëse nuk ka pasaktësi apo gabime). Sado me urgjencë të bëhen veprimet, njoftimi paraprak i fituesit nuk mund të shpallej më herët se data 26 maj 2026.
Me tej duhet të pritet afati i ankimimit që ështe 7 ditë, duke nisur nga e nesërmja e publikimit të njoftimit paraprak te fituesit: Pra, duke nisur nga data 27 maj 2026 deri në orën 24.00 të datës 2 qershor 2026. Më tej, nëse nuk do të ketë ankesa Bashkia duhet të ngarkojë në sisitem njoftimin përfundimtar të fituesit me datë 3 qershor 2026, i cili shpallet nga APP ditën e nesërme të punës, pra më 4 qershor 2026.
Më tej, po përsëri me urgjencë, kontrata mund të lidhet në datë 5 qershor 2026.
Kjo do të thotë që në asnjë mënyrë nuk arrihet të lidhet kontrata, të prodhohen dhe montohen produktete kërkuara për datën 1 qershor. C’është ky mashtrim?!
Mundet që përfituesi i këtij tenderi i ka pasur gati të gjitha furnizimet dhe letrat bëhen më pas, në rastin më të mirë.
E pra, ky drejtor dhe kryebashkiakja që nuk pyesin as për festën e vogëlushëve, duhet të hetohen nga organet e Drejtësisë. Tenderi i mësipërm është skemë për të vjedhur fondin, sepse nuk ka lidhje me festën.
Nga ana tjetër, kompania që ankohet kërkon të marrë cfarë do mbetet, ndërsa KPP thjesht vendos në mënyrë burokratike ndryshime mbi tenderin. Më e pakta që duhet të bënte KPP, ishte të kërkonte hetim administrativ nga APP për këtë mashtrim publik.
“Ne këto kushte procedura duhet të anulohet, të ndryshojë lista e produkteve, të rillogaritet fondi limit, të shpallet një tender i ri, ku natyrisht nuk do të bëjnë pjesë zërat e kërkuar për 1 qershorin”, citojmë kërkesën e ankimuesit.
Ndërkaq, tenderi përfshin edhe produkte për Botërorin e futbollit, si panele LED dhe topa të dizajnuar me logot e bashkisë, tapet për ceremoni, fjongo dhe banera me drita për “Tetorin rozë”.
Duke parë ecurine e procesit të ankimimit, me shumë mundësi edhe eventet e datave 11 qershor dhe 20 korrik 2026 nuk do të arrijnë të realizohen.
Kështu, që lista e produkteve duhet ndryshuar në varësi të afateve të “gjyqit” në KPP.
I ndodhur para këtij zhvillimi, për të shmangur KPP dhe për shpëtuar atë që kishte mbetur nga tenderi, Alion Hysko pranoi “gabimin” dhe mori vendim ta anulonte tenderin.

Dokumentet e tenderit janë një skandal më vete, Hysko në nxitim e sipër, i ka mbushur dokumentet me gabime logjike dhe të dhëna absurde.
Kështu, nuk sqarohet nëse një projektor Lazer i kërkuar, duhet të blihet apo të sillet me qera. Fotoja e LED, sic e pranon vetë Bashkia, i përket një produkti tjetër. Ndërkaq, janë dhënë gabim përmasat e dritave LED. Po ashtu kërkohen flamuj, por në grafikun e lëvrimit nuk janë vendosur.
KPP duke parë se kërkesat e ankimuesit “u plotësuan” mori vendim ta mbyllte cështjen duke e shpëtuar Alion Hyskon nga pasojat ligjore të këtij mashtrimi me të dhënat e tenderit.

Alion Hysko nuk i ka gabime rastësore këto që u zbuluan në tenderin e organizimit të festës së 1 qershorit. Edhe më parë ka bërë tendera fiktivë për dekorin e festave në Durrës.
Kështu, Rafaela Rica është pronare e disa kompanive, përfshirë edhe kompaninë Iceberg Communication, e cila më parë quhej Iceberg Publicity.

Kjo kompani ka përfituar favorizime nga Bashkia e Durrësit, sidomos me Ndërmarrjen e Rrugëve, që drejtohet nga Alion Hysko.
Cdo fundvit, Rica arkëton nga një tender me “Flamur të kuq” korrupsioni për blerje mallra dekori si tullumbace, drita etj.
Me 23 nëntor 2023, Alion Hysko ka firmosur tenderin e radhës për Ricën, me vlerë 120 mijë euro.

Oferta fituese është sa 99 % e fondit limit dhe nuk ka pasur garues as sa për fasadë.
Në 1 dhjetor 2022, Alion Hysko i ka dhënë Rafaela Ricës tenderin e zbulurimeve të rrugëve për festa, me vlerë 100 mijë euro, në të njëjtën formë abuzive.
Për këtë projekt ka regjistruar ofertën e saj vetëm kompania Iceberg Communication. Kryebashkiakja Sako nuk ka vonuar shumë dhe pa konkurrencë fare ia ka xhiruar lekët Ricës. Kështu, Open Data Albania e ka listuar te tenderat me “Red Flag” për shkak të riskut të lartë të shpërdorimit të fondit.

Në 9 nëntor 2021, Rica mori pa garë tenderin për blerje dekori me vlerë 81 milionë lekë, gati sa fundi limit. Vetë tenderi ka qenë një dekor për Ricën. E cila, më pas shfaqet nëpër udhëtime luksoze, vende ekzotike si dhe ekspozohet në dreka dhe darka, pa munguar edhe në festa speciale.

Këtë herë, për të krijuar idenë e garës, formalisht ka marrë pjesë në tender kompania “Primes Albania”.
Kjo firmë ishte në pronësi të Suela Tucit, e cila në fakt ishte punonjëse në kompaninë Iceberg Communication të Rafaela Ricës, që fitoi tenderin.
Suela Tuci ishte thjesht një pjesë lojës së Rafaela Ricës, në skemën e mashtrimit dhe vjedhjes me Alion Hyskon.
Menjëherë, pasi kreu misionin, Tuci ia dhuroi kompaninë në mënyrë të cuditshme shtetases Mirela Baboci.
Edhe në vitin 2020, Rafaela Rica ka marrë një tender tjetër tek Emirjana Sako. Këtë herë me vlerë mbi 100 milionë lekë, duke qenë e vetme në garë.
Por vjedhja e parave të festës së fëmijëve do të ishte kulmi i babëzizë. Indiciet janë të qarta, i mbetet SPAK-ut të hetojë të gjithë tenderat e firmosur prej tij.
gijotina.com/










