Ka shkuar në katër numri i viktimave të masakrës në Romë. Mësohet se ka ndërruar jetë Fabiana De Angelis, e cila po luftonte për jetën në spitalin Sant’Andrea në Romë që nga e diela. Ajo u qëllua në kafkë nga arma e Claudio Campiti në një lokal në periferi të kryeqytetit italian.
Gruaja ishte operuar dhe transferuar në terapi intensive, por gjendja e saj ishte shumë e rëndë.
“Testet diagnostike të kryera në këto orë – njoftojnë drejtuesit shëndetësorë të spitalit – kanë nxjerrë në pah një pasqyrë klinike të pakthyeshme. Është deklaruar vdekja e trurit”.
Ajo është gruaja e katërt e vrarë në masakër. Të tjerat janë Elisabetta Silenzi , Sabina Sperandio dhe Nicoletta Golisano. Seanca dëgjimore për autorin, e kërkuar nga prokurori Giovanni Musarò, do të zhvillohet brenda mureve të burgut romak të Regina Coeli dhe ai do të duhet të përgjigjet për akuza shumë të rënda: vrasje e shumëfishtë e rënduar me paramendim.