Gazetarja Klodiana Lala thotë se ish-drejtori i përgjithshëm i policisë Gledis Nano është informuar nga agjenti i Operacionales Jeton Lami, tashmë i arrestuar, për të gjithë efektivët që ishin në listëpagesën e të shumëkërkuarit që është zhdukur pa gjurmë, Ervis Martinaj.
E ftuar në studion e emisionit Opinion, Klodiana Lala u shpreh se Lami dhe Nano kanë patur një bisedë 15 minutëshe, gjatë të cilës, efektivi ka treguar lëvizjet e Ervis Martinajt dhe emrat e zyrtarëve të policisë që paguheshin nga ai.
“Ervis Martinaj, është thirrur bashkë me shefin e sektorit të paraqitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Z.Nano nuk flet për këtë histori dhe ka mbyllur çdo kontakt me gazetarët, por këto janë burime të besuara që disponoj. Është thirrur në zyrën e një nga drejtuesit e policisë, nuk është pritur në zyrë nga z. Nano, por në informacionet që disponoj dhe të thëna nga vetë agjenti i Operacionales, rezulton që z.Nano ka qëndruar pak kohë me të, kokë më kokë, diku te rreth 10-15 minuta, ku ai i ka treguar të gjitha lëvizjet e fundit të Ervis Martinajt. Ka folur edhe për emrat e atyre zyrtarëve të inkriminuar të policisë të cilët ishin në listëpagesën e Ervis Martinajt. Mendoj që këta dy njerëz mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit,”- tha Lala. g