Nga Sokol Shameti
Në një fotografi të mirënjohur, të shkrepur siç raportohet në malet dimërore të Rumanisë, një kope ujqish shihet, teksa marshon me disiplinë, nëpër dëborë. Edhe pse debatet shkencore për vërtetësinë e fotos ende gëlojnë, të bie në sy një inxhinieri e përsosur sociale në rendin e marshimit të ujqve. Duke qenë një shoqëri thellësisht hierarkike, ujqit siç duket, besojnë tek organizimi. Duket sikur një dorë e arsyeshme dhe e mençur i ka vendosur ujqit e kësaj kopeje, të ndarë me klasa, të ecin sipas një rendi të caktuar në rresht.
Në fillim të rreshtit prijnë, siç shpjegohet në foto, ujqit e moshuar. Kjo bëhet, sepse për shkak të ngadalësisë së moshës, ata mund të mbeteshin mbrapa të tjerëve. Gjithashtu, ata njohin shtigjet e nëse grupi bie në pritë, ata janë të parët që sakrifikohen. Pas tyre vjen një grup ujqish të rinj e të fuqishëm që shërbejnë si pararojë. Në mes janë femrat dhe këlyshët e pas tyre një grup tjetër të rinjsh luftarakë. Në fund, i shkëputur e i vetmuar, ecën kryetari i kopesë. Ai kujdeset që ta ketë në rreze shikimi gjithë tufën, të përcaktojë drejtimin si dhe që askush të mos humbasë e të mbetet prapa.
Nëse e përkthejmë në terma më njerëzorë gjithë këtë skenë, do të tingëllonte kështu: Në ballë ecën urtësia, përvoja dhe respekti për të (universiteti, akademia), e cila gjithsesi për shkak të mungesës së një rolit biologjik, është lehtësisht e sakrifikueshme. Krahët e tyre mbrohen nga institucionet e dhunës (ushtria, policia, gjykatat). Këto të fundit gjithashtu janë edhe parapritë e rrezikut mbi forcat prodhuese dhe mbi të ardhmen (femrat, këlyshët me fjalë të tjera, populli). Forca mbron gjithashtu edhe shpinën e këtij grupi produktiv, duke lënë në bisht liderin ekzekutiv – qeverinë.
Kjo strukturë sociale, e cila garanton efikasitet e që reflekton po ashtu edhe një logjikë tërësisht të thjeshtë e të mirëkuptueshme, është ndërkohë edhe një kritikë. Kjo është kritika më e qartë që mund t’i bëhet një rendi shoqëror, si ky yni, i cili duket se prej kohësh po dështon të funksionojë. Ky është një rend, të cilit po i mungon empatia dhe respekti për përvojën, ku nuk po ka mbrojtje për forcat prodhuese, e ku dhuna po mbron veç ekskluzivitetet e kreut të kopesë. Sikur ujqit të merrnin shembull nga ky rend shoqëror ku jetojmë ne njerëzit atëherë renditja e tyre do të ndryshonte.
Në krye do të ecte sigurisht masa e femrave dhe këlyshëve, të cilët të lënë pa mbrojtje e pa instrumentin e përvojës që u tregon shtigjet, do të ishin vazhdimisht nën goditje prej rreziqeve, duke pësuar humbje në radhët e vet e duke e shtyrë në rrëmujë e sipër nëpër qorrsokak të gjithë kopenë. Në qendër, i mbështjellë më së miri para e mbrapa prej forcave të dhunës do të qëndronte lideri, i cili nuk shqetësohet për fatin e pararojës, por e gjen rrugën shtruar prej hapave të tyre dhe përfiton avantazhe të tjera prej turmës së popullit që po sakrifikohet duke çarë rrugën. Në fund, të lënë mbrapa e të braktisur janë të moshuarit e të urtët, të cilët vdesin e humbasin pa ndjerë praninë e asnjë lloj përgjegjësie sociale mbi ta.
A nuk ngjan ky përshkrim pikërisht me inxhinierinë çnjerëzore të një vendi nën zgjedhë neoliberale si i yni? A nuk është këtu masa e madhe produktive e popullit e lënë të përplaset pa adresë në mes të katër rrugëve duke i bërë ballë pa mbrojtje stuhive të pashpirta të tregut, të papunësisë, e të së panjohurës? A nuk është kjo masë ajo që i paguan me lëkurën e vet kostot më të shtrenjta kur e gjithë “kopeja” bie në pusitë e krizave gjithfarëllojëshe? Fundja, a nuk është ky grup ai që shfrytëzohet në masën më të madhe për benefitin e “lidershipit” duke e furnizuar atë, jo vetëm me lëndën e parë njerëzore, nga ku dalin policë e militantë por deri edhe me përfitimin më të mirëfilltë, më të ftohtë e më të paturp ekonomik?
Ndërkohë, a nuk është “lidershipi” ekzekutiv dhe financiar shtresa që janë mbështjellë nën mburojën e forcës represive të policisë, ushtrisë e legjislacionit? A nuk janë ata të favorizuarit që përfitojnë privilegje të cilat nuk justifikohen me përgjegjësinë e ulët që ata mbajnë apo llogarinë që japin? A nuk është ky grup dhe keqvendosja e tij në “hitparejdin” social, barra e vërtetë që e pengon përparimin e së tërës? Në fund, a nuk janë mbartësit e përvojës, të mençurit, të diturit e intelektualët ata që janë lënë në plakjen e shpërfilljes dhe moskokëçarjes? A nuk janë ata që shoqëria qëllimisht i ka lënë në bisht si një shtojcë e paleverdishme, e dalë mode, e mërzitshme, e cila meqenëse ka kosto, më mirë të flaket rrugës? A nuk është bash për shkak të kësaj keqvendosjeje të të gjithë aktorëve socialë, që e gjithë turma në vetvete ndodhet në disfatë të përhershme, duke u endur në kaos e duke u shfrytëzuar në vazhdimësi prej kujtdo që mundet? A nuk është ajo në dorë të anarkisë së brendshme, armiqësisë, urisë që ushqen kriminalitetin mes vedi, grabitjes dhe pandershmërisë së përgjithshme? Ujqit, me siguri duhet ta dinë!
/mapo.al/