Propozojnë shërbim 24 orë në dogana dhe një linjë e dedikuar për kamionët me prodhime bujqësore
Fermereët po përballen me probleme shumë shqetësuese në Dogana dhe me skemën e rimbursimeve. Për këtë arsye, grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku shpreh këto shqetësime. Letra e deputetëve të LSI-së I ka shkuar edhe ministrit të Financave Arben Ahmetaj, ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti dhe ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, duke shprehur shqetësimin për problemet e fermerëve.
Sipas LSI-së, fermerët ngrenë shqetësimin për shitjen-blerjen e produkteve bujqësore dhe skemave të subvencionimit. Një tjetër shqetësim është edhe shërbimi në dogana.
“Një tjetër problem me mjaft rëndësi që lidhet me mënyrën direkte me shitjen e prodhimit bujqësor, është se: doganat i mbyllin shërbimet doganore në orën 20:00, ndërkohë që maunet me prodhime bujqësore lëvizin shumë përtej këtij orari. Vonesat dëmtojnë cilësinë e prodhimeve bujqësore dhe thyejnë kontratat e dorëzimit në kohë të destinacionit, gjë që shoqërohen me penalitete për prodhuesit dhe eksportuesit tanë”, theksohet në letrën e LSI-së.
LSI propozon që të aplikohet shërbim 24 orë në dogana, të paktën për ngarkesat bujqësore. Njëkohësisht të krijohet një linjë e dedikuar për kamionët me prodhime bujqësore.