32-vjeçari nga Kosova ulet në gjunjë para ish-Presidentit: Po të mos ishit ju, unë nuk do të isha gjallë. Ndodhia emocionuese e së premtes mbrëma në restorantin “Sea Fire Grill”.
I ulur në gjunjë përpara tryezës së tij, shqiptoi fjalët: “Zotëri, unë dua t’ju falënderoj. Nëse nuk do të ishit ju, unë sot nuk do të isha i gjallë.”
Ishte një kamarier kosovar i përulur para ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Padyshim çaste emocionuese, të cilat kanë shkaktuar përlotjen e ish-Presidentit.
Bashkë me Hillary, bashkëshorten tij Bill Clinton darkonte natën e së premtes më 17 shkurt, në restorantin “Sea Fire Grill”, raporton portal amerikan TMZ. Ishte 9-vjetori i pavarësisë së Kosovës.
Afër tryezës së tyre është afruar i riu kosovar, i cili ka bërë gjestin e mirënjohjes për familjen Clinton. Është fjala për kontributin e ish-Presidentit amërikan për çlirimin e Kosovës.
Kamerieri i tregoi ish-presidentit dhe bashkëshortes, Hillary-së historinë e tij të trishtë… Në moshën 16-vjeçare ai u detyrua të largohet, për shkak të luftës në Kosovë. Ai i tregoi ish-Presidentit se si babai i tij dhe anëtarët e tjerë të familjes u torturuan nga serbët dhe më pas u detyruan të jetojnë nëpër male për t’i shpëtuar genocidit serb.
Kamerieri 32-vjeçar, i cili erdhi në SHBA në vitin 1999, i tha Clintonit se përpjekjet ushtarake amerikane të autorizuara nga ai për të përzënë forcat serbe nga Kosova rezultuan në paqe dhe pothuajse në mbijetesën e tij.
Presidenti Clinton është emocionuar pa masë nga fjalët e të riut kosovar dhe nuk i ka shpëtuar përlotjes, ndërkohë që ka përqafuar të riun që ishte ulur në gjunjë para tij.
Pjesa më e madhe e stafit të restorantit është nga Shqipëria dhe Clinton kaloi një kohë pas darke duke u përshëndetur me kamerierë dhe të tjerët që punonin atje.