Kambana e famshme e “Big Ben”-it do të qëndrojë në heshtje duke filluar nga java e ardhshme e deri në vitin 2021, kjo me qëllim që të mund të bëhen punime restaurimi.
Kambana do të bjerë për të fundit herë mesnatën e së hënës, para se gjithçka të ndalet, e ora bashkë me kullën të restaurohen. Kambana e madhe ka rënë për çdo orë për 157 vite.
Kambana do të bjerë për ngjarje të rëndësishme, përfshirë këtu natën e ndërrimit të viteve dhe të dielën e kujtesës. Kujdestari i orës, Steve Jaggs tha se, ndalimi i “Big Ben”-it është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të projektit të restaurimit të kullës.
“Ky projekt, përveçse do t’i japë më shumë jetëgjatësi orës, do të ndihmojë edhe në mbrojtjen dhe ruajtjen e shtëpisë së saj, kullës Elisabeth”, tha ai.
Edhe drita “Airton”, që ndizet kur Parlamenti është në seancë, do të rinovohet. Edhe ndërtesa e Parlamentit ka nevojë për riparime, ndaj dhe një program shumëmilionë stërlinash, përfshirë edhe zhvendosjen e përkohshme të deputetëve, është hartuar tashmë.