Blendi Gonxhe zbulon dy vëllezërit biznesmenë nga Bishtqethëmi i Lushnjes, Enea dhe Aldi Llazo dhe u jep menjëherë dy tendera me vlerë totale afro 4.7 miliardë lekë. Brenda tre ditëve, 2 kontrata! Çfarë i tërheq zyrtarët e “Rilindjes” tek këta dy vëllezër? Edhe Blendi, ashtu si Niko Peleshi, Dritan Agolli, Evis Berberi e me radhë, nuk i ka rezistuar ofertës së dy vëllezërve.
I skualifikon të gjithë përveç Llazove
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar Open Data Albania tenderin e fundit të firmosur nga vartësja e Gonxhes tek Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP).
Është fjala për procedurën e prokurimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me objekt “Rikonstruksion i shkollës së mesme profesionale ” Hasan Gina” Lushnjë”. Janë 143 156 814,00 lekë të vendosura si fond limit nga komisioni i Gonxhes tek OBP, por siç do ta shohim më poshtë, kontrata që do të lidhet me vëllezërit Llazo shkon më shtrenjtë.
Për shkeljet e konstatuara, tenderi ka marrë një “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit.
Skema e Goxhes me Fiqiri Palin dhe Aldi Llazon
Tenderi u njoftua në Agjencinë e Prokurimit Publik më 21 nëntor 2024 dhe në kundërshtim me ligjin data e fundit për dorëzimin e Dokumenteve ishte vendosur më 6 dhjetor 2024. Ndërsa afati për këtë procedurë me vlerë të lartë monetare duhet të ishte të paktën 35 ditë.
Megjithëse në këtë procedurë do të paraqiteshin 17 pjesëmarrës të cilët duhet të konkurronin me ofertat e tyre, tenderi u kthye në një farsë mes komisionit të Gonxhes dhe KPP-së që drejtohet nga Jonaid Myzyri.
Loja e Gonxhes ishte me plan A dhe plan B: zgjedhja e parë ishte “SIRETA 2F” e Fiqiri Palit, e dyta “Llazo” Shpk e vëllezërve Llazo.
Natën e Vitit të ri më 31 dhjetor 2024, është publikuar në SPE njoftimi i fituesit paraprak që ishte operatori ekonomik “S I R E T A 2F”. Ai kishte ofruar ta kryente rikonstruksionin me vlerën 94,179,482.00 lekë pa TVSH.
Ndërkohë ishte skualifikuar oferta më e ulët që propozohej nga bashkimi i operatorëve “MF INVEST GROUP” SHPK, “C.E.C GROUP” SHPK, dhe “Mane/S” SHPK. Oferta e tyre është 92,578,732.13 lekë.
Ata janë skualifikuar për mungesën në staf të një audituesi energjetik, fakt të cilin e kundërshtojnë me ankimimet e tyre.
Më pas vinte oferta e “LLAZO” sh.p.k. me vlerë 98,023,514 lekë pa TVSH.
Loja e Jonaid Myzyrit të KPP-së
Më pas loja e Gonxhes u koordinua në KPP me Jonaid Myzyrin për të shuar ankesat e pjesëmarrësit me ofertën më të ulët që kundërshtonte vendimin mbi skualifikimin.
Në datën 3 janar 2025, nëpërmjet sistemit të ankesave elektronike njëherazi pranë Komisionit të Prokurimit Publik dhe autoritetit të Gonxhes, është administruar ankesa e bashkimit të operatorëve “MF INVEST GROUP” SHPK, “C.E.C GROUP” SHPK, dhe “Mane/S” SHPK për procedurën e prokurimit.
Pas shqyrtimit të ankesës Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranojë pjesërisht ankesën, por ky akti vetëm sa i dha kohë Gonxhes të vazhdojë me planin e tij. Në datën 3 mars 2025, KPP vendosi sërish “të mos e lejojë OBP” të vijojë me hapat e mëtejshëm, pasi komisioni nuk i kishte rishikuar arsyet e skualifikimit të BOE “MF Invest Group” SHPK dhe “ C.E.C Group” SHPK dhe “Mane/S” SHPK.
Ndërsa 9 ditë më vonë KPP i hapi dritën jeshile Gonxhes të vepronte. Në njoftimin e fituesit publikuar më datë 25 mars 2025, mes pjesëmarrësve të skualifikuar, ishte edhe operatori ekonomik “S I R E T A 2F” sh.p.k. Arsyeja ishte se kompania e Fiqiri Palit ishte përjashtuar me vendim të APP nga e drejta e fitimit të kontratave publike për 6 muaj. Kujtojmë se Pali është i dënuar për korrupsion me tenderat dhe kompaninë ia ka kaluar formalisht familjarëve. Ky fakt nuk e ka ndaluar Blendi Gonxhen që t’i hedhë tendera të mëdhenj peshkaqenit të fondeve publike.
Kështu, më 26 dhjetor 2024, katër ditë para se të shpallej fitues i këtij tenderi, kompania ‘Sireta 2F” kishte nënshkruar kontratën me Gonxhen për “Ndërtimin e Qendrës Multifunksionale Kampusi Rinor pranë DROFPP nr.4 Tiranë” me fond limit 222 179 998,00 lekë pa TVSH. Tenderi u përfitua me procedurë të shënuar me “Flamur të kuq”.
Duke u kthyer tek tenderi që po raportojmë, oferta fituese që shpallej më 25 mars ishte “LLAZO” sh.p.k. Edhe këtë radhë bashkimi i operatorëve me ofertë të më mirë do të kundërshtonte, por shigjetat ishin ndaj Jonaid Myzyrit. “KPP me vendimin e tij ka marrë kompetencat e komisionit të vlerësimit të ofertave”, thuhej ndër të tjera në kërkesën për rishikim, e cila do të refuzohej më 6 maj 2025.
“Llazo-t” mbingarkohen me miliona euro kontrata njëherësh
Karta e dytë e Gonxhes, vëllezërit Llazo janë të mbingarkuar me kontrata nga ministri i Ekonomisë. Paralelisht me rikonstruksionin e kësaj shkolle, më 25 prill 2025, ministri u ka dhënë Llazove edhe tenderin mbi 3.3 miliardë lekë “Rikonstruksion i Godinës Qendrore Spitali Lushnje”.
Edhe në këtë rast tenderi është dhënë me procedurë me “Flamur të Kuq”. Kjo na shtyn të dyshojmë se nuk është verifikuar fare plotësimi i kushtit të kapacitetit teknik të firmës për të kryer punimet në afat në të njëjtën kohë në të dyja kontratat.
Nga verifikimi i Gijotina.com del se në rikonstruksionin e Spitalit të Lushnjës, sipas kontratës, Llazot angazhohen të kenë dispozicion minimalisht 90 punonjës dhe 29 mjete dhe pajisje teknologjike. “LLAZO” shpk në këtë kontratë mbulon 89 % ndërsa “METEO” sh.p.k 11%. Pra barra e madhe për personelin bie mbi vëllezërit Llazo.
Ndërkohë, për tenderin e riskontruksionit të shkollës së mesme në Lushnjë, sipas kontratës të firmosur më 28 prill 2025, kërkohet një punësim minimalisht prej 40 punonjësish dhe 19 mjeteve dhe pajisjeve teknologjike.
Sipas verifikimeve që bëmë në pasqyrat financiare të kompanisë, rezulton se kompania nuk ka mjaftueshëm fuqi punëtore për të përballuar këto dy kontrata.
Nga ana tjetër Llazot janë përsëritës në shkeljen e ligjit të prokurimeve. Në maj 2024 Agjencia e Prokurimit Publik e ka përjashtuar firmën nga Bishqethëmi për 6 muaj nga pjesëmarrja në tenderat publikë. Sipas vendimit të APP-së, kjo kompani ka mashtruar të paktën në katër tendera duke mos deklaruar gjobën nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Nuk mund të parashikojmë nëse këto dy objekte do të rikonstruktohen pas një viti, por duket se më shpejt do të shohim ministrin Gonxhe të hedhë hapat tek dera e SPAK-ut.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016