Turqia në dy vitet e fundit është kthyer një trend kryesor për futbollistët shqiptarë, ku po të bëjmë një vështrim, janë mbi 10 lojtarë që aktivizohen si në Superligën turke, por edhe në Ligën e Parë.
Emir Lenjani firmosi këtë vit për Umraniesporin dhe sezonin që vjen do ta shohim të luajnë kundër Cikalleshit, Çekiçit dhe shqiptarëve të Istanbulsporit. Ndërkohë, në një intervistë, 32-vjeçari thotë se llogaritë me Kombëtaren nuk i ka mbyllur, pasi ka akoma për të dhënë.
Ermir, si jeni? Si po shkon aventura me ekipin e ri?
Mirë, faleminderit. Jam shumë i lumtur në fillim me këtë aventurë pasi është një vend i mirë dhe ndihem shumë mirë deri tani.
Pas shumë viteve në Zvicër dhe Francë, çfarë ju bëri të kalonit në Turqi?
Insistimi i skuadrës për të më pasur në radhët e veta. Futbolli turk ka ecur shumë përpara dhe është një kampionat shumë interesant. Klubi im këtë vit është ngritur në Superligë dhe ka bërë përforcime të mëdha. Besoj do të jemi befasi e këndshme.
Si ju kanë pritur aty?
Pritja ka qenë fantastike si nga drejtuesit, trajnerët, por edhe bashkëlojtarët. Gjithçka ka qenë mirë deri më tani.
Këtë sezon, do të keni si kundërshtarë Sokol Cikalleshin dhe Endri Çekiçin që luajnë te Koniaspori. Keni folur me ta?
Kam folur me ta dhe më kanë treguar se kampionati turk është një nivel shumë i lartë dhe se do të argëtohem duke luajtur këtu.
Ju keni një kontribut të gjatë në Kombëtare. Mendoni se keni për të dhënë akoma?
Kam dhënë kontribut të madh dhe do të vazhdoj të jap. Tani bëhen 10 vite që jam pjesë e Shqipërisë dhe kam dhënë gjithçka nga vetja për fanellën kuqezi. Kemi arritur shumë suksese si Kombëtare, por gjatë këtyre 10 viteve janë bërë edhe ndryshime rrënjësore në futbollin shqiptar, ku kemi shumë stadiume moderne dhe për këtë meritat i ka presidenti Duka dhe FSHF që kanë bërë një punë të madhe. Normalisht unë do të vazhdoj të luaj për Kombëtaren dhe do ta jap maksimumin sa herë që më kërkohet pasi fanella kuqezi është e shenjtë dhe sa herë e vesh atë, emocionohem.
Çfarë nuk shkoi, sipas jush, në ndeshjet e fundit?
Normalisht që nuk jemi të kënaqur me rezultatet që i kemi arritur në ndeshjet e fundit pasi pritshmëritë ishin shumë më të mëdha. Gjithsesi, në shtator do të përmirësohemi dhe gabimet e njëjta nuk do t’i bëjmë. Besoj se do të jemi shumë të suksesshëm dhe do të japim gjithçka për të arritur pikët maksimale.