Gjykata Kushtetuese, rrëzoi gjithashtu ankimimin tjetër të kësaj ministrie, ku kërkohej anullimi i pezullimit të zbatimit të ndryshimit të procedurave
Pezullimi i ligjit të gjobave për biznesin mbetet në fuqi. Ky është vendimi i marrrë sot nga gjykata kushtetuese e cila në këtë mënyrë ka rrëzuar edhe ministrinë e financave që kërkonte heqjen e këtij pezullimi. Vendimi përfundimtar për ligjin pritet të jepet pas një muaji. Gjatë seancës së ditës së sotme, Gjykata Kushtetuese dëgjoi pretendimet e palëve të interesuara, Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut, kërkues dhe Ministria e Financave, subjekt i interesuar.
Anëtarët e Gjykatës kërkuan të dinin nga përfaqësuesit e Ministrisë së Financave nëse është bërë ndonjë studim për nivelin e lartë të gjobave, ndërkohë që argumentet nga financat nuk ishin bindëse për ta. Gjithashtu anëtarët e Gjykatës argumentuan se dënimet e ligjit të procedurave ishin më të ashpra se ato të Kodit Penal. Parimi i proporcionalitetit në masën e dëmit ishte gjithashtu një tjetër argument i pranuar nga Gjykata.
Po gjatë ditës së sotme, Gjykaka rrëzoi dhe kërkesën e Ministrisë së Financave, e cila kishte kërkuar që të anullohej pezullimi i zbatimit të ndryshimit të procedurave.
Në 23 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese urdhëroi pezullimin e zbatimit të ligjit nr.99/2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, pas ankimit nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut. Me këtë vendim vijojnë të mbeten të pezulluara 10 fishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësve për biznesin e vogël si dhe kallëzimi penal për mosdeklarim real të pages, si edhe shumëfishimin e gjobës për moslëshim të kuponit tatimor.