Deputetja e Lezhës, Lindita Metaliaj dhe deputeti i Beratit, Tomor Alizoti janë dy demokratët që iu bashkuan Sali Berishës në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar.
Lindita Metaliaj ishte pjesë e grupit të Enkelejd Alibeajt, ndërsa vetëm sot ajo u bashkua në mbledhjen që thirri Berisha në selia blu. Nga ana tjetër, Tomor Alizoti nuk kishte mbajtur një krah deri më tani, që mesa duket i është bashkuar zyrtarisht Berishës.
Në mbledhjen e sotme Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të propozojë një ligj të Posaçëm Anti-Korrupsion, të cilin ftoi deputetët e PD që ta firmosin. Në fjalën e tij para deputetëve të grupit parlamentar, Berisha shpreh se e drejta e parashkrimit është e drejtë universale, por shtoi se kjo e drejtë merr konotacion imunitar kur vjen puna te njerëzit që janë në pushtet të cilët ai i cilësoi si të papërgjegjshëm që çojnë pasuritë në offshore dhe pasi largohen nga detyra “ia mbathin dhe i shpëtojnë ligjit.”