Policia e Tiranës arrestoi sot 45-vjeçarin Alfred Mikeli, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi ishte dënuar me 10 vite burg për korrupsion dhe trafik droge.Më 10 gusht 2021, Alfred Mikeli pagoi 10 mijë euro dy policë që të mos e arrestonin. Në 31 janar 2022, dy efektivë të Policisë në Durrës janë vënë në pranga me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi liruan për 10 mijë euro Alfred Mikelin.
Ky i fundit ishte shpallur në kërkim pasi ishte dënuar në vitin 2018 me vendim të formës së prerë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Dy efektivët e policisë, Viktor Buça dhe Gëzim Lluka morën ryshfet nga Alfred Mikeli, i cili ishte në kërkim, duke e lënë atë të lirë. Në gusht 2021, punonjësit e policisë, janë vënë në dijeni të vendit, ku ndodhej Alfred Mikeli, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet, pasi u dënua nga gjykata me 10 vjet e 6 muaj burg.
Pasi e kanë lokalizuar Alfred Mikelin, e kanë kapur duke e marrë në automjetin me të cilin lëviznin. Por Alfred Mikeli ju ka ofruar 10 mijë euro dy policëve, të cilët më pas e kanë lënë të lirë në shkëmbim të parave.
Si ndodhi ngjarja në gusht 2021
I shumëkërkuari nga policia po kalonte pushimet verore në qytetin e Durrësit pa rënë në sy nga autoritetet. E megjithatë ai ishte pikasur nga informatorët e efektivëve që janë nën hetim.
Të dënuarit me 8 vjet burgim iu kontrollua banesa ku jetonte me qira dhe gjatë negocimit agjentët i propozuan ta paguante lirinë. I shumëkërkuari iu është lutur duke ju treguar se kishte mundësi t’u paguante direkt vetëm 1500 euro. Por dy të akuzuarit kanë këmbëngulur 10 mijë euro ” pasi sipas tyre 5 mijë euro ishin për shefin dhe pesë për ta”.
Me një BMV, me targa të paregjistruara, oficerët u larguan drejt Tiranës ku do të merrej. 10 mijë euroshi është paguar në afërsi të një hoteli.