Marklen Haka ka mbetur i plagosur ditën e sotme me një plumb në nofull. Mësohet se është transportuar për në Spitalin e Traumës, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mariglen Haka u qëllua me armë zjarri në fytyrë në një kryqëzim në Nikël, pranë një fushë të madhe. Momentin e atentatit, Marigleni ka qenë duke lëvizur me makinë, ndërsa është qëlluar nga një person ende i paidentifikuar i cili lëvizte në këmbë.
Nuk dihet se kush është personi, por përballë vendit ku u qëllua Haka ka një biznes, kamerat e të cilit mendohet se mund të ketë kapur gjithë ngjarjen.
Por kush është Haka, i riu nga Nikla?
Marklen Haka është pjesë e të ashtuquajturës “Banda e Niklës” dhe herën e fundit që u bë pjesë e kronikës së zezë kishte sërish lidhje me atentat. Kësaj herë i shkuan deri në shtëpi, ku ai vetë i shpëtoi atentatit, ndërsa e vdekur mbeti halla e tij, Shpresa Basha.
Raporti policor
“Më datë 21 shtator 2019, është njoftuar salla operative se në fshatin Zezë, Nikël, janë plagosur Marklen Haka dhe halla e tij Shpresa Basha, e cila më vonë nga plagët e marra ka gjetur vdekjen në spital. Banesa e Marklen Hakës është një banesë dykatëshe, e rrethuar me mure dhe me portë metalike dy kanatëshe, ndërsa ajo njëkanatëshe ndodhet në drejtim të krahut jugor. Në sheshin përpara portës, që të nxjerr në rrugën e asfaltuar që lidh fshatin Nikël me lagjen Zezë, gjithashtu dhe një shesh që ndodhet në anën perëndimore të asfaltit janë gjetur gjithsej 85 gëzhoja model 56 kalibri 7.62 mm.”
I pari që u pyet në lidhje me ngjarjen ishte vetë shënjestra e atentatit të sofistikuar Marklen Haka. Ai iu dha hetuesve asokohe versionin e tij të ngjarjes dhe detaje se çfarë kishte ndodhur një ditë përpara se të binte pre e breshërive të kallashnikovit.
“Më datë 20 shtator 2019, rreth orës 22:00, kam qenë vetëm tek kalçeto në Nikël, në pronësi të Ylli Çangut. Më ka telefonuar nipi im Ervis Basha dhe më ka thënë se janë 4 persona me uniformë policie, te porta kryesore e banesës time. I kam thënë po shkoj të shoh, ndërsa ai ka vazhduar me këmbë drejt shtëpisë së tij. 5 apo 7 minuta më vonë kam mbërritur te shtëpia, por nuk kam parë asnjë person. Kam menduar se është policia dhe nuk kam njoftuar askënd për këtë ngjarje. Kam kontrolluar vendin përreth dhe kam parë se në skarpatin e lumit, kishte shenja dheu të rrëshqitshme dhe degë pemësh të thyera.”
Siç thotë dosja hetimore, mbrëmjen e ngjarjes, Marklen Haka mbërriti në shtëpinë e tij rreth orës 21:00. Mbrëmja po kalonte qetë për të dhe familjarët. Por gjithçka do të ndryshonte pikërisht në momentin kur kushëriri i tij që kishte dalë për të parë një ndeshje futbolli i rrëfen i shqetësuar se tek lumi, shumë pranë shtëpisë, kishte dëgjuar zhurmë. Marklen Haka, mesa duket shqetësohet. Sepse një ditë më parë, nipi e kishte informuar se pranë shtëpisë kishte parë persona të armatosur e të veshur me antiplumb. Markleni nuk kishte reaguar një ditë përpara dhe as kishte marrë masa për t’u mbrojtur, sepse kishte besuar se ishte policia. E me këtë të fundit punët s’i kishte fort mirë. Kishte vetëm dy muaj që kishte dalë nga burgu, e me gjasë nuk donte telashe të reja.
Por, pas rrëfimit të kushëririt, ai vendos të “hedhë një sy rreth e përqark, pasi siç duket po ndjente frikë e shqetësim. Siç rezulton nga hetimi, kushëriri dhe nipi i Marklen Hakës dalin me elektrikë në dorë të kontrollonin zonën përreth. Pas tyre, del Markleni dhe halla e tij Shpresa Basha. Në këtë moment, 3 persona të armatosur hapin zjarr drejt tyre. Siç del hetimi dy qitës qëlluan në drejtim të Shpresa Bashës, ndërsa një tjetër drejt Marklenit. Mesa duket errësira, bëri që ata të mos e shquanin objektivin e tyre, sepse Marklen Hakën e kapën plumba vetëm në krah, ndërsa halla u qëllua me disa të tillë. Në vendin e krimit, policia mblodhi 85 gëzhoja, që ishin qitur nga 3 armë të ndryshme. Ja si e shpjegon këtë moment, shënjestra e atentatit të mirëorganizuar, por që mundi të mbijetonte.
MARKLEN HAKA
“Më datë 21 shtator 2019, kam shkuar rreth orës 2100 në shtëpi, ku kishin ardhur për vizitë motra ime dhe halla ime Shpresa Basha. Kemi qëndruar të gjithë së bashku për darkë, aty ishte dhe djali i xhaxhait tim Egustian Haka. Gusti doli për të parë ndeshjen Inter-Milan. Ai është kthyer rreth orës 2300, dhe ka parkuar automjetin para shtëpisë time. Erdhi tek unë dhe më tha se tek skarpati e lumit, kishte dëgjuar zhurmë. Më ka thënë hajde të dalim të shikojmë njëherë. I kam thënë Gustit dhe nipit Ervis Basha të marrin nga një elektrik dhe të kontrollonim skarpatin e lumit. Të dy kanë dalë nga banesa duke kontrolluar, ndërsa unë me hallën Shpresën kemi dalë tek porta kryesore. I kam thënë Shpresës të kthehet në shtëpi, por ajo nuk më dëgjoi. Pasi kam bërë 4-5 hapa nga porta kryesore, kam dëgjuar breshëri automatiku, po qëllohej drejt meje. Kam ndjerë që u plagosa te krahu i djathtë.”
Ndonëse i plagosur lehtë, Markleni nuk u ngjit në makinë, të nisej drejt spitalit. Duket se frika se mos binte sërish në pritën e grupit të armatosur, bëri që ai të kërkonte ndihmën e xhaxhait, por ky i fundit kishte dalë në kërkim të birit. Ndaj, ai vendos të kërkojë ndihmën e mikut të tij, Indrit Rrajës. Ky i fundit nuk vonoi, bashkë me Valter Bamin dhe miq te tjerë eskortuan të plagosurin drejt spitalit të Traumës.
Marklen Haka i plagosur
Marklen Haka arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah sepse ishte në oborr kur filluan të shtënat. Ndërsa në janar të këtij viti ai u prangos nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona. Por sërish u lirua. Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes. Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zenelit mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet. I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes. Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar dhe Prokuroria nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur të fajshëm. Për vrasjen, mediat asokohe flisnin për dy pista. Fillimisht u dyshua dhe Markleni vrau Nadien Zenelin në shenjë hakmarrjeje për ekzekutimin e vëllait të tij, Rolandit, kur ai vetë ishte vetëm 13 vjeç. Dyshimet e familjes binin pikërisht mbi Nadien Zenelin, të cilin familja Haka e akuzoi se kishte prerë në besë, edhe pse për disa vite ai ka pasur lidhje krushqie me familjen në fjalë. Viktima e vrasjes në Bllok, Nadien Zeneli, ka qenë i martuar me kushërirën e të dyshuarit, me të cilën ishte i divorcuar. Megjithatë nuk kishte prova të mjaftushme.
Nadien Zeneli
Mirëpo kjo nuk do ishte hera e fundit që Haka do të prangosej. Më 12 shtator të vitit 2018, Mariglen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë përfunduan në Polici. Policia arriti të gjente vetëm disa armë pa leje. Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie. Dënimin që e përfundoi në korrik të 2019. Dy muaj më pas e plagosën. Po ashtu, Haka njihet për miqësinë me Valter Bamin, vëllain e Durim Bamit, i cili e transportoi të plagosur në spital në 2019-ën.