Ndaj Greqia, do të ketë edhe një shenjtor të ri që do të tërheqë mijëra pelegrinë, që do ta fillojnë udhëtimin e tyre nga varrezat e jugut, për të përfunduar në nderimin e varrit të Shën Anastasit në mes të Tiranës.
Nga Arben Llalla
Një nga detyrat e shumta që kishte Janullatosi në ndihmë të interesave greke në Shqipëri, ishte të përdorte gjithë makinerinë e tij kishtare, priftërinjtë dhe mercenarët e paguar, për të lokalizuar, gjetur, zhvarrosur e rivarrosur nëpër varreza ushtarake, trupat e të “rënëve” në luftën italo-greke të 1940. Shteti grek, kishte mundësinë e artë që nuk përfshihej direkt, duke ia lënë këtë detyrë KOASH, e cila do tërhiqte më pak vëmendje, ndërsa Janullatosi, duke treguar gatishmëri maksimale për t’i shërbyer shtetit të tij, do të përfitonte kalimin e miliona eurove investime, për të ndërtuar kisha e shkolla greke për të ngritur kultin e tij të individit, për të fituar adhurimin e atyre ortodoksëve që u dhemb kisha. Ata nga dashamirësia nuk i hapin sytë të shohin se ç’po i bën kombit shqiptar, prelati i tyre i dashur. Por, nëse shteti grek, zgjodhi e gatoi një nga njerëzit më finokë për ta instaluar si kryepeshkop në Shqipëri, në shërbim të interesave greke, ky i fundit, Janullatosi pra, gjithë zinxhirin poshtë vetes, e përzgjodhi me qëllim ta mbushte me njerëz injorantë e të pagdhendur duke arritur kulmin me peshkopët e traditës islame, të cilët i garantonin kontrollin e sigurt mbi sinodin. Rasti i priftit të pashkollë të Kosinës, i shkaktoi Anastas Janullatosit ndoshta një nga skandalet më të mëdha e të paharruara, që frymëzuan më vonë romane e filma tragjikomikë. Më tej, do të vinte përjetësimi i kësaj historie të turpshme, ku civilë, gra e fëmijë shqiptarë, shkuleshin dhunshëm nga vendprehjet e tyre, për të mbushur gropat e varrezave të ushtarëve grekë, kurse gjerdanët e unazat e florinjta, me të cilat ne shqiptarët i zbukurojmë të vdekurit, ktheheshin në mollë sherri mes priftit e punëtorëve, që nga zbulues kokallash, u kthyen në gjuetarë thesaresh, duke u përdhosur të afërmit bashkëfshatarëve të tyre. Makabritete të tilla, nuk ka mendje që t’i rrokë. Kështu, vetë Janullatosi e vuri për të disatën herë në pozicion të vështirë shtetin grek, i cili u detyrua për shkak edhe të ndjeshmërisë së madhe të opinionit publik, të shtynte finalizimin e zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore që garanton ndërtimin e këtyre varrezave.
Po mirë, do pyesë dikush, po nëse ka marrëveshje ndërshtetërore, pse e ngarkoni me faj Janullatosin për këtë çështje? Ja pse e bëjmë; në një marrëveshje ndërshtetërore, Janullatosi nuk ka asnjë punë të ndërhyjë për zbatimin e saj. Zhvarrimin e ushtarëve të rënë, duhet ta bënin strukturat shtetërore, me mbikqyrje ekspertësh nga të dyja palët, në mënyrë që ata që nxirreshin prej varreve, të ishin me të vërtetë ushtarë. Emisari grek u përzie aty ku nuk duhej dhe pa dashje u tall me shtetin e tij, kur një prift i ulët, po u shiste grekëve sapunin për djathë. Mendoni grekët e shkretë, të cilët në vend që të qajnë të afërmit e tyre, të jenë duke i ndezur qiri, ndonjë fshatari të Kosinës, apo ndonjë fëmije a nuseje të vdekur para kohe.
Personalisht jam pro zbatimit të konventave ndërkombëtare të luftës, të cilat sanksionojnë se të rënët varrosen përkohësisht afër fushëbetejave, por ata tërhiqen pas mbarimit të luftës. Këtë gjë bëri dhe Italia, por Greqia refuzon ta bëjë, pasi këto varreza i duhen si dokumente të gjalla të historisë moderne të saj, ku pretendimet irredentiste për Vorio Epirin, duket se janë riaktivizuar fuqishëm. Megjithatë, shteti ynë, ndoshta nga presionet për bllokimet integruese e bëri edhe këtë lëshim.
Dhe këtu, sërish hyn ai, kapiteni ushtarak Tasos Janullatosi i njohur në popull si kryepeshkop Anastasis. Pasi njollosi priftërinjtë dhe imazhin kishtar duke e kthyer KOASH-in në firmë funerale zhvarrimesh, dhespoti grek përparoi duke i grabitur popullit shqiptar, prona të paluajtshme, blerë me gjak e mund. Ç’punë kishte Janullatosi dhe kisha shqiptare të lëshonte prona e manastire të saj historikë, që të ktheheshin në varreza greke? A nuk përcaktonte marrëveshja caktimin dhe blerjen e truallit për një qëllim të tillë? Por jo, shteti grek nuk kishte pse harxhohej kot. Sërish Janullatosi u hodh në veprim dhe u fali grekëve manastirin e Grykës së Këlcyrës, duke ua grabitur atë shqiptarëve. Ose i fali shtetit grek një copë tokë shqiptare, duke shkelur rëndë integritetin territorial. Sot, tokat nuk pushtohen më me luftë, ato ose blihen ose falen. Këto gjëra dihen prej shtetarëve dhe ndërkombëtarëve. Në një kabllogram diplomatik, dëshmohet se peshkopi i Elbasanit i njoftonte zyrtarët e një ambasade për masakrën që po bënte Janullatosi i koordinuar nga Athina zyrtare. Por, peshkopit të konvertuar fatkeqësisht iu zbulua “tradhëtia” dhe për këtë gjë, u degdis nga Tirana me ngritje, pasi mbante detyra, të cilat e pajisnin me informacione konfidenciale dhe delikate. Me dyshime për tradhti u pa gjithashtu edhe udhëheqësi i tij shpirtëror, po ashtu i konvertuar nga islami, në pritje të pasojë vetë Janullatosin, nëse nuk ka ndonjë surprizë tjetër apo plan sekret që ta shmangë nga kjo rrugë. Sigurisht, që shteti grek, me durim e taktika të holla, po i fiton njëra pas tjetrës kauzat e veta.
Para pak kohësh denoncova një nen të rrezikshëm të shtuar në statut (63/2), që e rrëzon praktikisht de facto, Autoqefalinë e KOASH. Nuk dihet nëse gjatë vizitës së tij, ministri i jashtëm grek do të rezervojë ndonjë takim zyrtar me Janullatosin, siç rëndom kanë bërë zyrtarët më të lartë grekë, kur kanë vizituar Shqipërinë. Ajo që zyrtarët tanë duhet të dinë, para se të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së rivarrosjes të ushtrisë greke në thellësi të territorit shqiptar, është që këto varreza janë klone simbolikë të një kufiri të ri helenizmi. Dhe, gjenerali i ri i kësaj ushtrie pushtuesish të vdekur, do të varroset ne mes te Tiranës, sipas një plani të mirëmenduar. Ai, kur ta thërrasë Perëndia, do t’i lërë edhe reliket e tij, brenda katedrales bardheblu të Tiranës, që simbolikisht do të jetë flamuri grek që do të mbulojë trupin e prehur të dhespotit që i shërbeu me besnikëri të madhe shtetit të tij. Ndaj Greqia, do të ketë edhe një shenjtor të ri që do të tërheqë mijëra pelegrinë, që do ta fillojnë udhëtimin e tyre nga varrezat e jugut, për të përfunduar në nderimin e varrit të Shën Anastasit në mes të Tiranës.
Ikonat po mbarojnë, kripta është gati, shpallja e shenjtërimit është bërë premortum. Flaka e kauzës së helenizmës, tashmë e ka pishtarin e ngulur ne zemrën e kryeqytetit shqiptar. A jemi ende në kohë ta pengojmë që kjo të mos ndodhë?