Minierat e kromit në Bulqizë e Martanesh kanë përgjysmuar prodhimin
Rënia e madhe e cmimit ndërkombëtar i ka vënë sipërmarrësit e kromit në vështirësi serioze. Industria minerare po shkon në agoni, ndërsa Ministria e Energjisë është duke përgatitur një paketë ndihme, për të hequr disa barriera edhe pse shumë prej tyre nuk duhej të ishin në bazë të rregullave të tregtisë. Përfaqësuesit e ministrisë kanë folur pak kohë më parë, për planet e paketës që niste nga ulja e rentës deri te çregjistrimi nga fondi pyjor i tokave ku do të shtrihen minierat. Por, me kalimin e kohës, shqetësimi se kur do të mund të implementohet kjo paketë bëhet më i madh. Ministria pret të ketë gati paketën në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Minierat e kromit në Bulqizë e Martanesh, e kanë filluar vitin me punë të përgjysmuar, ose vetëm duke mirëmbajtur minierat të mos dëmtohen, por edhe sot, pas katër muajsh, minierat janë nën agoninë e çmimeve të ulëta në tregjet e huaja. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në dy muajt e parë të këtij viti, eksportet në vlerë ranë 44 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vlera e eksporteve ishte kështu më e ulëta e këtyre katër viteve të fundit.