Shtetet e Bashkuara e kanë futur sërish Francesca Albanesen në listën e personave të sanksionuar. Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për territoret palestineze të pushtuara kishte kritikuar ashpër Izraelin gjatë muajve të fundit.
Pak ditë më parë, sanksionet ndaj Albaneses ishin pezulluar pas një urdhri gjyqësor, por administrata e presidentit Donald Trump kishte deklaruar se bëhej fjalë për një masë të përkohshme.
Më 27 maj, Departamenti amerikan i Thesarit publikoi një njoftim në faqen e tij zyrtare ku konfirmohet se Albanese është rifutur në listën e personave të sanksionuar. Përfshirja në këtë listë i pamundëson përdorimin e kartave të kreditit dhe kryerjen e transaksioneve bankare.
Një gjykatës në Uashington kishte pezulluar më herët vendimin e mëparshëm në pritje të shqyrtimit të çështjes në themel, pas një ankese të paraqitur nga bashkëshorti i Albaneses, Massimiliano Cali.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se sanksionet ishin vendosur sepse Albanese “ka përhapur antisemitizëm dhe ka shprehur mbështetje për terrorizmin”.










