Mbrëmjen e sotme ka nisur heqja e dyerve të blinduara nga selia e Partisë Demokratike të cilat u vendosën para protestës së 8 Janarit. Ndërkohë janë hequr edhe logot e selisë blu që “veshën” nga jashtë xhamat e godinës pasi ish-kryetari Lulzim Basha urdhëroi fortifikimin e dyerve si masë mbrojtëse ndaj protestuesve.
Komisioni i Rithemelimit ka vendosur ta zhbëjë këtë vendim një ditë pasi Gjykata regjistroi statutin e dalë nga Kuvendi i 11 Dhjetorit, i thirrur nga Sali Berisha. Ky vendim nënkupton shkarkim të strukturave drejtuese të PD, ndryshim të logos dhe vulës dhe drejtim të PD nga Komisioni i Rithemelimit.
Megjithatë palët nuk bien dakord. Kryetari i Komanduar Enkelejd Alibeaj deklaroi dje se partia nuk mund të drejtohet nga një non grata duke iu referuar këtu ish-kryeministrit Sali Berisha pak minuta pasi ky i fundit konfirmoi kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë.