Saimir Tahiri, është një ndër ministrat më të goditur nga opozita për katër vitet e qeverisë Rama. Ai ka dhënë sot dorëheqjen me sa duket për të shërbyer si “konçesion” për opozitën për ta lënë çadrën e për të hyrë në zgjedhjet e 18 qershorit. Rama e kërkoi këtë dorëheqje në mesnatë i sapokthyer nga vizita zyrtare në Gjermani, thua se pati marrë një mesazh në zyrat e Berlinit.
Dorëzimi i Ramës para çadrës së Lulzim Bashës, duket se do të jetë si kredit i fortë për kreun e opozitës në prag të zgjedhjeve. Padyshim që do ta “shesë” si gjunjëzim të kryeministrit para tij dhe në një farë kuptimi kështu është.
Është paradoks ky dorëzim i Ramës duke iu referuar qëndrimeve të tij stoik, për të refuzuar vazhdimisht sulmet e opozitës por edhe të një pjesë të mazhorancës ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Rama nuk i ka përfillur sulmet, edhe pse në disa raste mund të kishte hapësirë për dyshime lidhur me akuzat që i janë adresuar ministrit Tahiri.
Me sa duket kërcënimi i opozitës për të braktisur zgjedhjet e 18 qershorit, e kanë bërë kryeministrin të dorëzohet e të japë “kokën” e Tahirit, pasi në rast të bojkotit të opozitës, procesi zgjedhor është i delegjitimuar.